Kush është Alushi, që dikur e mjekonte Rugovën e tash fluturon me Lumirin në Amerikë?
Lumir Abdixhiku po qëndron në “tokën e premtuar”, pra SHBA. Bashkë me të edhe një figurë e harruar, por dikur shumë e rëndësishme e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Alush Gashi, ish-politikan, në mënyrë të befasishme për opinionin publik, u pa të jetë pjesë e ekipit 4-anëtarësh të LDK-së në takimin me Gabriel Escobarin, i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Krahas Gashit, në ekipin e z.Abdixhikut qenë edhe zonja Jehona Lushaku, e anëtarësuar para ca muajve në LDK, dhe Kujtim Shala, deputet i LDK-së.
Por, kush është doktor Alushi, që nga harresa kolektive e pensionimit politik, shkoi në zyrën më të rëndësishme të diplomacisë amerikane?
Alush Gashi është mjek me profesion, madje mban titullin e doktorit të shkencës në mjekësi. Para se të bëhej politikan, Gashi ishte dekan në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa pas luftë, më saktësisht mes viteve 2007-2010, ishte ministër i Shëndetësisë.
Por, edhe Gashi është edhe politikan veteran, që gjatë viteve 90-ta ishte figurë e rëndësishme, nëse jo qendrore, e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ishte ndër themeluesit e LDK-së, e cila gjatë viteve 90-të u shndërrua në forcën primare të shqiptarëve të Kosovës, duke fituar legjitimitet të madh politik. Gashi është njëri ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, e cila u shpall me 17 shkurt 2008.
Por, një gjë e ka karakterizuar z.Gashin gjatë karrierës së tij, e cila vlerësohet edhe aktualisht. Ai ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Pra z.Gashi ka pasur një marrëdhënie të afërt, shumë të afërt, me dr.Rugovën.
Besimi që z.Rugova kishte në Gashin ishte shumë i madh, aq sa ish-kryetari i LDK-së ia besoi Gashit edhe mjekimin me kancer, që fatkeqësisht nuk i mbijetoi sëmundjes. Gashi dhe vëllai i tij, Afrim Gashi, qenë mjekët personal të Rugovës, duke udhëhequr mjekët amerikanë në mjekimin e Rugovës.
Por kjo vdekje nga sëmundja e kancerit e Rugovës do të ishte subjekt i një teorie konspiracioni. Së paku tre persona në deklaratat e tyre publike hidhnin dyshime se vdekja e Rugovës nuk ishte e natyrshme.
Njëri nga ta ishte Haki Abazi, që më vonë do të bëhej zëvendëskryeministër i Kosovës, në vitin 2016 dyshonte se vdekja e Rugovës është e dyshimtë.
“Normalisht, vdekja e një njeriu me rëndësi kaq të madhe historike, duke i prirë proceseve drejt pavarësimit të vendit, lë hapësirë për dyshime. Vdekja e tij bëhet e dyshimtë, pasi ndodhi pas ngjarjeve të vitit 2004 dhe para shpalljes së pavarësisë”, deklaronte Abazi për Rrokum në vitin 2016.
Ndërsa analisti Nexhmedin Spahiu dhe Shefqet Dibrani, aktivist i LDK-së në Evropë, qenë dy individët e tjërë që e theksonin se vdekja e Rugovës ishte e dyshimtë. Për këto akuza, Alush Gashi nuk kishte pranuar të deklarohej në një dokumentar të Zona Express-it që trajtonte “vdekjen e mistershme” të ish-presidentit Rugova.
Gashi ishte emëruar këshilltar në qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ish-kryeiministër i Kosovës, në vitin 2020 pas mocionit të mosbesimit të Qeverisë Kurti I.
Besim në Alush Gashin e ka vazhduar edhe z.Abdixhiku, kryetari aktual i LDK-së, i cili pas zgjedhjet në këtë post, e futi ish-bashkëpunëtorin e Rugovës në Kryesi të partisë.
Ndryshe, dje Abdixhiku u takua me Escobarin në Departament të Shtetit të Amerikës, pas të cilës kryetari i LDK-së tregoi se çfarë biseduan.
“Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane.”, shkroi Abdixhiku ndër të tjera.

