"Ehhhh" - Lubonja shfaq kritikë të çuditshme ndaj Albin Kurtit
Fatos Lubonja, publicist i njohur e shkrimtar, ka dhënë një intervistë për KTV-në, ku është deklaruar gjatë për zhvillimet në Kosovë. Në intervistë, ai foli gjatë për situatën aktuale, Qeverisjen e Kurtit, Asociacionin, por edhe për Edi Ramën, të cilin, si gjithnjë, e kritikoi. Lubonja, që njihet për një gjuhë kritike të theksuar, ishte pak më “human” në diskursin e tij kundrejt Qeverisë së Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës. Përgjigjet e Lubonjës shpërfaqën një kritikë të dyzuar, nganjëherë me lëvdata, e nganjëherë më thumbuese, por asnjëherë kritik si ndaj të tjerëve.
Sidoqoftë, shkrimtari shqiptar bëri edhe një paralajmërim në lidhje me Serbinë dhe Kosovën, duke thënë se Perëndimi ka një interes nga shteti serb, gjë e cila e rrezikon Kosovën.
“Nuk është më Serbia e Millosheviqit që në një mënyrë duhej nxjerrë, sepse s’ishte pjesë e sistemit. Tashmë ka një interes për Serbinë që të inkludohet në Perëndim. Kjo e rrezikon Kosovën. Kosova është e rrezikuar, nuk është që të braktiset, nuk është kaq e domosdoshme, por këtu pastaj jemi sërish në një moment historik që është krijuar iluzioni sikur tani Serbia po konsiderohet si aleate e Rusisë dhe në këtë konflikt mund të hidhet një hap më tej”- vlerësoi ai.
Z. Lubonja bëri një koment të dyzuar në lidhje me Asociacionin, duke theksuar se Kurti ka të drejtë për mosthemelimin e Asociacionit, që e quajti ishull i pastër etnikisht. Por ky refuzim mund të kuptohet, paralajmëron Lubonja, që shqiptarët duan t'i dëbojnë serbët.
“Në një vështrim ideal, mendoj që Kurti ka të drejtë (v.j., për Asociacionin), sepse t'i krijosh këta ishuj të pastër etnikisht, ndërkohë që fare mirë atje ku ka qytetarë serbë, i kanë të drejtat e tyre, jetojnë bashkë me të tjerët, nesër mund të shihen si pika referimi për një agresion siç ndodhi me Rusinë që sulmon në Ukrainë, sepse përdoret një minoritet atje për sulm. Nga ana tjetër, mosnjohja e Asociacionit konsiderohet sikur shqiptarët duan të jenë etnikisht të pastër, duan të asimilojnë, duan t’i dëbojnë serbët”- theksoi Lubonja.
Ai vlerësoi se sheh një lloj kokëfortësie të Kurtit në çështjen e targave, duke shtuar se ky është një guxim i madh.
“Me çështjen e targave, Albin Kurti mendon se këtu mund të kishte një mbështetje për ta goditur Serbinë, por interesantja është se opozita po e pyet nëse ka diskutuar me amerikanët apo jo. Më duket pak shumë ai lloj kokëfortësie i Kurtit për ta bërë këtë vetë pa u konsultuar, duket se është një guxim i madh. Nga ana tjetër, them se a flasim për një lloj dinjiteti, që nuk jemi vasalë”- theksoi z. Lubonja, megjithatë, duke shtuar se Kurti pësoi një lloj bumerangu për targat.
Gjatë intervistës ai u bë pak më kritik karshi Kurtit, por larg gjuhës së tij të zakonshme kritike, duke thënë se nuk sheh ende mjaftueshëm një model tjetër nga ai vjetri.
“Pra për t’u bërë një model tjetër, këtë nuk e shoh akoma. Ju mund të thoni dy vite janë pak, por ndoshta ka edhe vështirësitë e gjithë atij sistemi që të kapë, të futë brenda dhe nuk reziston, nuk ndryshon. Por këtë nuk e shoh të më japiëmotivim”- tha fillimisht z. Lubonja.
Ish i burgosuri politik në kohën e diktatorit Enver Hoxha, pra Lubonja, u bë pak më i zëshëm, kur foli për marrëdhëniet e Kurtit me Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë.
“Sidomos tash e pashë që takoi Edi Ramën, e kujtoni për Portin e Njomë, Portin e Thatë, hekurudhat, na bënë propagandë shqiptarëve, tash pas ca muajve kanë kaluar, del ky thotë: Portin e Durrësit ia japim arabit të bëjë për jahte, të ndërtohen hotele, resorte turistike. Dhe Kurti që është si një patriot, flet si njeri që vë shqiptarët, erdhi aty, i bëri një reklamë, ndërkohë që nuk shoh këtu, jo që pres të reagojë ky direkt, por në një mënyrë indirekte. Aty po bëhet një Shqipëri, vjen kryeministri dhe thotë: merrni Bangladeshin, se unë do ik, se nuk kam punëtorë, i thotë ai, sepse ata kanë një të mirë se nuk dinë shqip të ankohen”- tha ai.
“Unë dua që Kurti të jetë një model tjetër i kësaj, si patriot. Nuk e shoh të mjaftueshëm”- shtoi ai në kritikën e butë ndaj Kurtit.
Por gjatë intervistës pati edhe një moment gjysmëqesharak, që e nënkuptonte mosdëshirën e Lubonjës për kritikë ndaj Kurtit, përkundër këmbënguljes së moderatorit.
“Por nganjëherë, këtu, duke bërë këto zigzage, ngelesh, e humbet fare edhe atë shikimin e qëllimit që e ke”- tha Lubonja, teksa u përball me një pyetje të drejtpërdrejtë nga moderatori: e ka humbur (qëllimin) Kurti, nga ajo që e lexoni?
“Eeeeehhhh. Ose e sheh, por e sheh si një mirazh që mendon se s’mund të arrij më”- ishte përgjigjja prej shkrimtari e z. Lubonjës, i cili theksoi se nuk jeton në Kosovë që të mund ta masë suksesin ose jo të Qeverisë Kurti. Momentin e ofshamës para analizës së Lubonjës mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme.
Shumë prej nesh që mund ta kemi votuar z. Kurtin në zgjedhjet e fundit, nganjëherë mund të bëjmë një ofshamë të tillë në muhabete nëpër kafene, kur na e shtrojnë të njëjtën pyetje.

