U kthye nga Zvicra e iu bashkua UÇK-së për ditëlindje – Rrëfimi i Sadik Halitjahës që u ftua dy herë nga Specialja - NACIONALE

U kthye nga Zvicra e iu bashkua UÇK-së për ditëlindje – Rrëfimi i Sadik Halitjahës që u ftua dy herë nga Specialja

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Me 7 qershor, Sadik Halitjaha feston ditëlindjen. Pikërisht këtë ditë në vitin 1998, ai iu bashkua UÇK-së. Numri shtatë iu vulos në trup me shtatë plagët që mori gjatë luftimeve.

Halitjaha që më vonë do të merrte rolin e zv/komandantit të UÇK-së për Zonën e Pashtrikut, gjatë angazhimit në UÇK do të plagosej rëndë me 7 plagë. Por, betejën për luftën e zhvilluar ai po e zhvillon edhe 24 vjet më vonë. Por kësaj radhe jo me armë.

Sadik Halitjaha është kthyer në adresë të Gjykatës Speciale. Ai është ftuar për herën e dytë nga Prokuroria e Hagës, për t’u marrë në pyetje lidhur me të bëmat e tij gjatë luftës.

Halitjaha në një intervistë për gazetën Nacionale ka rrëfyer detaje të pathëna për veprimtarinë e tij në kohën e luftës, marrjen në pyetje nga Gjykata Speciale, numrin e veteranëve e vrasjet që kanë ndodhur pasluftës.

Kthimi nga Zvicra për UÇK-në

Sadik Halitjaha ka treguar emocionet e tij të para pasi vendosi t’i bashkohet UÇK-së. “Po t’u nxehke trupi ngapak”, tregon Halitjaha fillimisht në këtë intervistë për gazetën Nacionale.

“Me rënien e komandantit Adem Jashari, kam bërë kërkesë në Kosovë sepse kam qenë në Zvicër. Fillimi i qershorit 1998. Më 7 qershor ditëlindjen e kam, atë ditë jam fut në Kosovë dhe na kanë prit me batare armësh, dhe e kam festu ditëlindjen në Pashtrik. Në fillim po u nxejke trupi pak, ishin krismat e fuqishme me mortaja e mitroleza, për herë të parë përballja me armikun, në atë moment u hoq frika arriti që frika të largohej edhe aty kemi pasur të plagosur, të vrarë, komandant Lleshin. Na e vranë një kali na mbetën armët aty. Atë datë jam fut në Kosovë në Majen e Pashtrikut”, deklaroi ai në këtë intervistë.

Por si ishte jeta e tij si ushtarak në kohën e luftës? “Lufta është një gjendje e jashtëzakonshme, gjendje ku mund të ndodhin padrejtësitë më të mëdha. Jetë pa bukë, pa krypë, pa ujë. Shumë herë në të ftohtë e në shi. Nuk ke ku strehohesh. Ke me qëndruar në pika të vëzhgimit, pika të rezistencës, nuk kemi pasur armë shumë e ushtarë shumë që me i ndërru. Ata që kemi qenë kemi qëndruar 24 orë në vijat të zjarrit, në shi, në lloq, sidoqoftë lufta i ka këto. Kemi qenë moralisht të përgatitur, dhe kemi qenë të gëzuar që kemmi ardhur deri te lufta. Mirë që kemi ardhur deri te lufta sepse pa luftë nuk do të kishim ardhur këtu. Kemi pasur të plagosur, vet jam i plagosur me 7 plagë”, deklaroi Halitjaha më tutje.

Gjersa tregoi për zonat ku ka vepuar, ish-eprori i UÇK-së e ka mohuar që në fshatrat Budakovë apo Semetisht, të ketë pasur ndonjë qendër ndalimi.

Ftesa nga Gjykata Speciale

Për qendrat e ndalimit në këto dy fshatra, raportet me shtabin e përgjithshëm, kontaktet me eprorët e UÇK-së, Sadik Halitjaha ishte pyetur gjatë qëndrimit në Hagë ku u ftua për herën e dytë si i dyshuar.

“Nëse vërtetohet, konstatohet, gjendet urdhër nga unë si komandant zone për ndalim ose arrestim të dikujt, që ska pasur armë, civil, jo në moshë madhore apo pleq, cilido komb shqiptar serb, me jetë përgjigjem. Nuk ka pasur. Gabime mund të ketë, ka edhe sot. Këtu jemi në Prishtinë, në Prizren mund të ndodhë një krim, e me kërku përgjegjësi nga komandanti i Policisë në Prishtinë për një krim në Prizren. Këtu tema e mosveprimit si zinxhir komandues duhet me ra”, deklaroi Halitjaha për Nacionalen.

Ai e ka mohuar se mund të akuzohet nga Gjykata Speciale, teksa është shprehur i bindur se edhe ata që po akuzohen do të lirohen.

“Unë jam i bindur edhe pas reagimit të Edi Ramës në Këshillin e Evropës, edhe pas reagimit të Bidenit, amerikanëve, Gjykata duhet të fillojë ta marrë formën e vetë ta përmbyllë këtë process. Dhe përmbyllja e këtij procesi, mendoj se lirohen këta udhëheqësit e UCK-së që janë atje. Lirohen për shkaqe të ndërprerjes së procedurave, nuk besoj se lirohen të pafajshëm, për shumë shkaqe pasi pretendimet janë se kanë faje e nuk duan të bien poshtë për veten e tyre, e janë të mencur sepse nuk duhet t’i paguajnë, nëse dalin të pafajshëm duhet t’i paguajnë. Edhe i lëshojnë. UÇK-ja nuk zbehet, lartësia e luftës është e barabartë me lartësinë e lirisë dhe pavarësisë së atdheut tonë”, deklaroi Halitjaha për Nacionalen.

Numri i veteranëve

Për zv/komandantin e Zonës së Pashtrikut, është ofendim të thuhet që UÇK-ja ka pasur 15 mijë veteran. Sipas tij, kanë qenë 37 mijë të tillë.

“Atëherë në luftë ka qenë vështirë me dit numrin, pork am qenë në G5 pas lufte në shtab kur janë dorëzuar shifrat e përgjithshme, që janë dorëzuar nga të gjitha zonat ka pasur rreth 37 mijë luftëtarë, nuk kanë qenë të gjithë të vërtetuar nëpër G-ja. Në Zonën e Pashtrikut është mbajtur më mirë administrate. Nja 700 luftëtarë na ka ndryshuar, tek verifikimi i Komisionit Qeveritare. Zona e Pashtrikut ka 8 mijë e 746 ushtarë, ka në mesin e tyre invalid, dëshmorë, pjesëmarrës, pjesëtarë, të internuar”, deklaroi Halitjaha.

Ai e komentoi edhe rastin e kryeministrit Kurti, i cili ka statusin e veteranit.

Kjo është bërë me kërkesën e Adem Demaçit, ai ka qenë në zyrën e Ademit, a ka qenë përkthyes apo sekretar, a ka qenë njeri i mbërrirë apo i thyer nuk hyj në vlerësime, ka bërë punën për UCK-në, derisa ka bërë punën për UCK-në i takon, sepse i kanë quajtuar të interenetuar, edhe ky ka qenë i interneuar. Një gjë nuk pajtohem me Kurtin, pse ka pranuar dorëzimin, kur e di që duhesh të kapesh ose vepro deri në vdekje je UCK, ose dil në mal te shokët e nëse të vrajnë të vrajnë me plumb. Jo ashtu sic është marrë e poshtëruar e është mbajt. Nuk kisha hi në detaje. Por nuk jam kurrë dakord pse u dorëzuar. Përpara kisha bërë vetëvrasje, shumë ushtarë të mi plumbin e kanë ruajt të vriten nëse bien në duar të armikut, ose i kanë thënë shokut nëse bi në duar të armikut vramë. Kjo është që nuk e shoh në piedestal që duhet ta shoh një kryeministër”, deklaroi ai.

Në këtë intervistë, Sadik Halitjaha ka pasur kritika të ashpra për dy ministrat e qeverisë Kurti. Hekuran Muratin e Donika Gërvalla sipas Halitjahës, po tentojnë ta dëmtojnë UÇK-në me deklaratat e tyre për mercenarët dhe dosjet e Gjykatës SPeciale.

Lajme të ngjashme