Kush është Sadik Halitjaha, komandanti që e ftoi sot Gjykata Speciale?
Sadik Halitjaha, ish zëvendëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut, përsëri ka punë me Gjykatën Speciale. Sipas Gazetës 10, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka udhëtuar drejt Hagës me ftesë të Prokurorisë së Specializuar të Gjykatës Speciale.
Halitjaha ka udhëtuar sot gjatë ditës për në Hagë, pasi siç raportonte Nacionale kohë më parë, ai ishte ftuar për të dytën herë si i dyshuar për krime lufte.
Ushtaraku Halitjaha është ndër të rrallët që është ftuar dy herë për intervistim nga Gjykata Speciale. Ai është një ndër eprorët e lartë të UÇK-së që refuzoi të merrte avokat, duke theksuar se avokatët po ndikojnë në shpërbërjen e UÇK-së.
Eprori…
Gjatë luftës në Kosovë, Halitjaha ka qenë ushtarak dhe madje në cilësinë e eprorit udhëheqës. Ai ishte zëvendëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut, ndërsa pas luftës ishte pjesë e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës.
Ndërsa pasi la aktivitetin ushtarak, Halitjaha ai iu përvesh politikës. Për shumë vite, z.Halitjaha ishte pjesë e Këshillit Drejtues të AAK-së dhe ish-anëtar i Kryesisë së partisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Ndërsa, në vitin 2019, z.Halitjaha u bë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, duke u mirëpritur në këtë parti nga ish-kreu i saj, Kadri Veseli.
Madje, Veseli e kishte prezantuar atë nëpërmjet një statusi në Facebook.
“Partisë Demokratike të Kosovës iu bashkua edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, i cili është ish-anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të AAK-së”, shkroi Veseli ndër të tjera.
Por, Halitjaha në opinionin publik njihet edhe për një deklaratë tjetër, e cila ngjalli debat në studiot televizive. Gjatë një debati në RTV Dukagjini, z.Halitjaha pretendoi se EULEXI e di kush është vrasësi i Ekrem Rexhës, komandant Drini, një nga figurat e mëdha të UÇK-së të vrara pas luftës.
“Vrasja e Drinit ka ndodhur në vitin 2000. Kush ka pasur përgjegjësi për sigurinë në atë kohë. Unë jam i bindur se ata e dinë mirë këtë punë [vrasjen], por ju ka shërbyer atyre. Shpresojmë se do të zbardhet tash...EULEX-i e di 200%, e di saktësisht, qysh dhe si (për vrasjen). E di saktësisht. Edhe unë kam qenë i ftuar aty, janë shoshitur gjërat”, theksonte zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Pashtrikut.
Ftesa e dyfishtë
E kur mori ftesën për intervistimin e dytë, Halitjaha kishte sqaruar shumçka për Nacionale, duke theksuar se ky interesim i Gjykatës Speciale mund të ketë lidhje me plotësimin e aktakuzës në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Në fakt, krimet e supozuara për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së dyshohen të kenë ndodhur në fshatrat Budakovë e Semetisht të Gjilanit, të cilat janë pjesë e territorit ku Halitjaha ka qenë ndër udhëheqësit kryesor gjatë luftës së viteve 1998-1999.
“Në Hagë duhet patjetër me shku. Jo, informacione nuk ka, përpos asaj që dyshojnë për krime. Ndoshta ka ndikuar plotësimi i aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së. Është zgjeruar aktakuza në Budakovë e Semetishtë, ose te dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi për gjëra të tilla është lakuar emri im. Ku e di unë. Kah ju ka ardhur atyne që mundem me qenë i përzier në ato gjana. Prej 1 tetorit e andej duhet me shku”, theksoi më tutje ish-komandanti i UÇK-së.
Në prononcimin për Nacionalen, z.Halitjaha kishte treguar se nuk ka marrë avokat, pasi që të njëjtit po ndikojnë negativisht në shpërbërjen e UÇK-së.
“Jo, nuk kam marrë avokat E kam refuzuar dhe do ta refuzoj. Jurist jam unë. Avokatët po ndikojnë negativisht në shpërbërjen e UÇK-së. Po e mohojnë që ka pasur hierarki, strukturë. Unë për vete du me qenë real, avokati as s’mi hek fajet, as nuk mi shton, as nuk mi heq gabimet. Nëse kam gabime përgjigjem për to, nëse s’kam çka më duhet avokati”, theksoi Halitjaha për Nacionalen.

