Ish-komandanti i UÇK-së ftohet për herën e dytë nga Gjykata Speciale, Sadik Halitjaha flet për Nacionalen - NACIONALE

Ish-komandanti i UÇK-së ftohet për herën e dytë nga Gjykata Speciale, Sadik Halitjaha flet për Nacionalen

1 vit më parë

nga Besian Beha

Sadik Halitjaha në kohën e luftës ka qenë zv/komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Pashtrikut. Ai për herën e dytë me radhë është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës si i dyshuar për krime lufte. Halitjaha në një intervistë të shkurtër për gazetën Nacionale ka sqaruar gjithçka.

Ai ka thënë se ftesën e ka marrë nga Prokuroria e Hagës, dhe për dallim nga hera e parë kur u intervistua në Fushë Kosovë, ai tash do të udhëtojë drejt Hagës. Halitjaha ka vlerësuar se në interesimin e Speciales ndaj tij, mund të ketë ndikuar plotësimi i aktakuzës në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.

Në akuzat shtesë ndaj krerëve të UÇK-së, ata akuzohen për krime lufte edhe në fshatrat Budakovë e Semetisht e Gjilan, ku udhëheqës ka qenë edhe Sadik Halitjaha.

“Po, kam marr ftesë. Si i dyshuar jam. Kam qenë edhe më herët në Fushë Kosovë me u intervistu. Kjo është hera e dytë, duhet me shku në Hagë, ma kanë marrë pasaportën. Pres të martën me më sqaru diçka për pasaportë”, thotë fillimisht Halitjaha për Nacionalen.

“Në Hagë duhet patjetër me shku. Jo, informacione nuk ka, përpos asaj që dyshojnë për krime. Ndoshta ka ndikuar plotësimi i aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së. Është zgjeruar aktakuza në Budakovë e Semetishtë, ose te dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi për gjëra të tilla është lakuar emri im. Ku e di unë. Kah ju ka ardhur atyne që mundem me qenë i përzier në ato gjana. Prej 1 tetorit e andej duhet me shku”, theksoi më tutje ish-komandanti i UÇK-së.

Halitjaha nuk ka pranuar të marrë avokat. Thotë se avokatët po tentojnë ta shpërbërjnë UÇK-në duke thënë se nuk ka pasur hierarki, çka sipas tij nuk është e vërtetë.

Deklarata me shkrim e Komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, për ftesën që ka marrë nga Gjykata Speciale - Radio Kosova e Lirë

Jo, nuk kam marrë avokat E kam refuzuar dhe do ta refuzoj. Jurist jam unë. Avokatët po ndikojnë negativisht në shpërbërjen e UÇK-së. Po e mohojnë që ka pasur hierarki, strukturë. Unë për vete du me qenë real, avokati as s’mi hek fajet, as nuk mi shton, as nuk mi heq gabimet. Nëse kam gabime përgjigjem për to, nëse s’kam çka më duhet avokati”, theksoi Halitjaha për Nacionalen.

Ai e ka pranuar se mund edhe të arrestohet ndërkohë nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, por që është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë.

“Mund të ndodhë. Është në dorën e atyre. Sidoqoftë për me vullnet nuk isha shku asnjë minutë, as me i pa hiç nuk më ka marrë malli. Është në dorën e tyre. Nuk largohem kërkah, nuk i iki këtyre seneve. I dalë zot vetes”, theksoi Halitjaha.

“Nuk ka pasur qendra ndalimi”

Në plotësimin e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria pretendon se në Budakovë e Semetisht të ketë pasur qendra ndalimi, ku janë maltretuar qytetarë serbë. Megjithatë, këtë e mohon kategorikisht ish/zv-komandanti Halitjaha.

“Zyrtarisht nuk ka pasur as vend-ndalime e as urdhëra ndalimi për mbajtje. Mirëpo lufta është një etapë pjesë kalimtare që kemi pasur 1 vit e gjysmë 2. Brenda kësaj kohe kërkush nuk e përjashton që ka pasur mundësi të ketë ndonjë padrejtësi, problem, krim, vrasje, por pa dijeninë e eprorëve dhe pa urdhër të caktuar, pa vendim të caktuar sepse nuk kemi pasur asnjë mundësi”, shprehet ai në këtë prononcim.

Këtë, Halitjaha e argumenton me disa aspekte.

“Jemi të revoltuar në Prokurorinë, sepse nëse thua ka pasur qendra ndalimi, cila ka qenë në mënyrë logjike struktura e burgjeve, kush ka qenë roje, drejtor, avokat, prokuror. Nuk kemi pasur. Krejt këta me i pas pas, nuk kemi pasur ligje. Ne i kemi luftuar ligjet e serbëve. Nuk e di pse po tentojnë gjithqysh me gjetë diçka, në zonën time nuk ka pasur. Nëse ka pas ndonjë veprim joligjor, duhet me u trajtu individuale jo Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Çdo zyrtar i UÇK-së është pjesëtar i kësaj ndërmarrje, sepse është kolektive aktakuza”, ka theksuar Sadik Halitjaha.

Halitjaha e ka komentuar edhe vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë. Ai ka thënë se vizitat e tilla, janë për ta përmirësuar imazhin pasi që gjykata atje, nuk ka legjitimitet moral.

“Ata vijnë bëjnë matje në publik, e bëjnë sqarime mos me mbetur keq me Kosovën. Ata janë tu e pa që është devalvuar çdo gjë, e kanë humbur legjitimitetin. Me rastin e daljes në sipërfaqe të mashtrimit të Dick Marytt, Gjykata nuk ka legjitimitet moral. Për legjitimitet juridik, e kanë themeluar tash atë, janë të detyruar me gjetë prova fakte, sepse shumë miliona janë dhënë. Kryetarja ka ardhur këtu me zbutë situatën, sepse ka me fillu gjykimi. Fajet i kanë tek procedurat: 2 vjet ende s’ka nisur gjykimi. 5-7 vjet mundet me nejt njeriu në burg edhe nëse del i pafajshëm”, deklaroi më tutje ai për gazetën Nacionale.

Me detaje të reja javë më parë u plotësua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria e Speciales shtoi akuza të reja për krime të luftës, të cilat pretendohet se janë kryer në Budakovë e Semetisht të Suharekës, si dhe në konviktin e Gjilanit.

Pas ankesave nga avokati i Hashim Thaçit, Prokuroria e Speciales që drejtohet nga Jack Smith, nëpërmjet një parashtrimi ka treguar për rolin që e kanë pasur katër ish-krerët e UÇK-së, në këto krime të pretenduara.

Sipas Prokurorisë, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, edhe në këtë shtesë të aktakuzës, përfshihen si pjesëtarë të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”, raporton gazeta Nacionale.

“Aktakuza në mënyrë adekaute e prezanton rolin e të akuzuarit në krimet. Kur lexohen amendamentet së bashku me pjesën tjetër të aktakuzës, është e qartë se të akuzuarit dyshohet se janë përgjegjës për krime, ndër të tjera, në Budakovë, Semetisht e Gjilan: përmes pjesëmarrjes së tyre në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, si ndihmës dhe përkrahës, ose si eprorë, për krimet e kryra nga vartësit e tyre, siç është konstatuar nga gjyqtari i procedurës paraprake”, thuhet në një pjesë të parashtrimit të Prokurorisë së Speciales.

“Autorët janë identifikuar sipas kategorisë ose grupit si pjesëtarë të UÇK-së të lidhur me bazat, selitë, ngjarjet e caktuara, në Budakovë e Semetishtë, të referuara gjithashtu nga brigada të UÇK-së dhe zonat operative. Mbrojtja injoron referencën për vendndodhjen përkatëse të aktakuzës. Aktakuza identifikon mjaftueshëm autorët. Prandaj, duke pasur parasysh informacionin e detajuar se krimet dhe mënyra e përgjegjësitë nuk varen nga identitetet specifike të autorëve individualë dhe natyrën e shkallën e krimeve të aktakuzës, detaje shtesë me autorët nuk duhet të deklarohen”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Lajme të ngjashme