Avokatët bëhen bashkë me ankesa: Thaçi dhe të tjerët po diskriminohen nga Gjykata Speciale - NACIONALE

Avokatët bëhen bashkë me ankesa: Thaçi dhe të tjerët po diskriminohen nga Gjykata Speciale

1 vit më parë

nga Besian Beha

Avokatët e tre nga katër të akuzuarve në rastin kryesor të Gjykatës Speciale, janë bërë bashkë dhe po kërkojnë që t’u jepet leje për ankesë në Gjykatën e Apelit të Hagës. Krejt kjo, duke synuar ta kundërshtojnë vendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Hagës, në lidhje me intervistimin e dëshmitarëve të mbrojtjes. Gazeta Nacionale ka parë kërkesat dhe sjell detaje.

Vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake që ta lejojë prezencën e Prokurorisë së Specializuar, në kohën kur mbrojtja i merr në pyetje dëshmitarët e saj, ka nxitur një reagim të ashpër. Avokatët e Kadri Veselit, Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit, tash këtë çështje po synojnë ta ngritin në Gjykatën e Apelit. Ata kanë dërguar kërkesa që t’u lejohet ankesa në Apelin e Speciales.

Përkundër se me tri parashtresa të ndara, avokatët e Veseli, Thaçit e Selimit po e quajnë qasjen e Gjykatës Speciale si diskriminuese. Kjo pasi, mbrojtja po pretendon se me vendimin e manualit të dëshmitarëve, po cenohet barazia e armëve në procedurë.

Nëse një palë kundërshtare dëshiron ta intervistojë një dëshmitar të palës tjetër, duhet ta njoftojë palën thirrëse të paktën 10 ditë para intervistës së synuar. Pala thirrëse do të konstatojë në mirëbesim nëse dëshmitari pranon të intervistohet nga pala kundërshtare, dhe duhet ta infromojë dëshmitarin për mundësinë. Pala thirrëse do ta informojë palën kundërshtare nëse dëshmitari ka dhënë pëlqimin. Përveç kësaj, kur pala thirrëse beson se siguria e një dëshmitari mund të jetë në rrezik, mund të kërkojë nga Paneli Gjyqësor që të marrë pjesë në çdo takim ndërmjet palës tjetër dhe dëshmitarit, pavarësisht nga dëshira e dëshmitarit”, thuhej në vendimin e Gjykatës Speciale.

Ankesa e avokatit të Veselit

Në parashtrimin që avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson e ka dorëzuar te gjyqtari i procedurës paraprake duke kërkuar leje për ta apeluar, thuhet se vendimi përmban elemente të diskriminimit të z.Veseli në procedurë.

Ankesa të cilën e ka parë gazeta Nacionale, thotë se gjyqtari ka pasur një qasje të papranueshme për ushtrimin e diskrecionit të tij gjyqësor në këtë vendim.

“Mbrojtja propozon që çëhtjet e mëposhtme të dërgohen për verifikim në Gjykatën e Apelit: Nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar me vlerësimin e tij për bazën ligjore të miratuar. Nëse Korniza shkel të drejtën e të akuzuarit për gjykim të drejtë. Nëse gjyqtari i procedurës paraprake e ka diskriminuar z.Veselin dhe të tjerët, kundrejt të akuzuarve tjerë në Gjykatën Speciale”, thuhet në ankesë.

Sipas mbrojtjes së ish-kryekuvendarit të Kosovës, një vendim i tillë është marrë kryesisht mbi vlerësime teorike, kinse në Kosovë ka klimë për friksimin e dëshmitarëve.

“Mbrojtja kujton se çdo kufizim për gjykimin e drejtë bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe në proporcion me të drejtat e të akuzuarit. Një domosdoshmëri e tillë duhet të jetë reale, specifike dhe e prekshme, e jo siç duket në Protokoll, e bazuar në shqetësime të përgjithshme se ekziston një klimë frikësimi për dëshmitarët e bazuar në diçka që mund të ketë ndodhur 20 vjet më parë”, thuhet më tutje në parashtrimin e avokatit të Veselit.

Në ankesën e Emmerson, gjithashtu thuhet se në këtë proces, ka tërësisht rregulla të tjera përfshirë Tribunalin e Hagës, por edhe me vet rastet e Salih Mustafës e Pjetër Shalës që po akuzohen gjithashtu nga Gjykata Speciale.

“Është e qartë, dhe shumë e qartë se të gjitha çështjet e propozuara ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e procedurës, duke cenuar potencialisht të drejtën e z. Veselit për një gjykim të drejtë siç mbrohet nga Kushtetuta dhe institucionet ndërkombëtare përkatëse. instrumentet e të drejtave të njeriut. Një vendim i menjëhershëm nga Kolegji i Gjykatës së Apelit do të avancojë materialisht procedurën. Një rezolutë pozitive nga Kolegji i Gjykatës së Apelit në këtë fazë do të mënjanonte rrezikun e ndonjë paragjykimi të shkaktuar ndaj z. Veseli”, përfundon ankesa.

Ankesa e avokatit të Thaçit

Ankesa të njëjta mund të vërehen edhe në parashtrimin që e ka bërë avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Gregory Keohe në parashtrimin e tij, thotë se vendimi në lidhje me intervistat e dëshmitarëve, e dëmton rëndë të drejtën e mbrojtjes për të zhvilluar hetime.

“Mbrojtjes i kërkohet t’i regjistrojë me audio e video të gjitha intervistat me dëshmitarët e ZPS-së dhe më pas t’ia jap këto incizime prokurorisë dhe gjykatë. Trupi gjykues më pas, mund t’i pranojë si prova në procedurë këto. Kjo do të thotë gjithashtu se çdo intervistë e mbrojtjes, do të jetë një lloj libri i hapur. Si i tillë, Protokolli përfaqëson një zgjerim të konsiderueshëm të zbulimit të materialeve, dhe një pushim të pajustifikuar të privilegjit avokat-klient, duke komprometuar të drejtën e mbrojtjes për të hetuar”, thuhet në parashtrimin e avokatit Keohe.

Sipas avokatit të Thaçit, me vendimin e Gjykatës Speciale, barazohet viktima ose dëshmitari me banim në Kosovë, me një dëshmitar të rangut ndërkombëtarë që nuk ka fare shqetësime për identitetin e tij, duke e vlerësuar Protokollin si diçka të tepërt.

“Nëse gjyqtari i procedurës paraprake kishte të drejtë ligjore të konstatonte se Protokolli zbatohet njësoj për mbrojtjen dhe prokurorinë, kur dihet se të gjitha intervistat e Zyrës së Prokurorit para 24 qershorit 2022, janë kryer në mungesë të mbrojtjes. Kjo është në kundërshtim me kuadrin procedural që Kosova e parasheh për pjesëmarrjen e mbrojtjes në hetimet e Prokurorisë. Duhet të verifikohet nëse gjyqtari gaboi në konstatimin se mbrojtja nuk kishte të drejtë të ishte e pranishme gjatë intervistave të Task Forcës hetimore sepse ato kishin të bënin me raportin e Këshillit të Evropës”, përfundon parashtrimi.

Si rezultat, mbrojtja e Thaçit ka insistuar që këtë çështje ta adresojë në Gjykatën e Apelit të Speciales.

Ankesa e avokatit të Selimit

Një ankesë në lidhje me këtë çështje në Gjykatën e Apelit, pritet ta dërgojë edhe avokati i Rexhep Selimit, David Young. Ai ka pasur ankesë edhe në lidhje me ruajtjen e provave dhe masat mbrojtëse.

Sipas mbrojtjes së Selimit, miratimi i kërkesës së Prokurorisë në shkallën e parë, ndikon në procedurat e gjykimit.

“Kjo çështje ndikon ndjeshëm në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të gjykimit, pasi një vendim i bazuar në një shpërdorim të diskrecionit, i cili ndikon në sjelljen e mbrojtjes edhe në fazën e gjykimit, do të ngrinte pikëpyetje serioze për drejtësinë e procedimit në tërësi. Për më tepër, një aplikim i panevojshëm i gjerë i Kornizës së propozuar do të ketë një ndikim real në mënyrën se si Mbrojtja i zhvillon intervistat e saj dhe nëse ajo në fakt kryen intervista, si dhe do të shkaktojë vonesa të panevojshme të hetimit”, thuhet në ankesën e avokatit të Rexhep Selimit.

“Ndërhyrja e menjëhershme nga Dhoma e Apelit do të zgjidhë Katër Çështjet dhe të çlirojë 'procesin gjyqësor nga gabimet e mundshme që mund të dëmtojnë ose drejtësinë e procedurave ose të dëmtojnë rezultatin e gjykimit' duke e çuar kështu procedurën në drejtimin e duhur”, thuhet më tutje në parashtrim.

Kjo është në vazhdën e dakordimit të veprimeve nga ekipet mbrojtëse, pasi ditë më parë avokatët e të gjithë të akuzuarve, kërkuan nga Prokuroria ta dijnë numrin e materialeve që kanë marrë nga Serbia.

Çka vendosi Gjykata Speciale?

Prokuroria kishte kërkuar që të ketë qasje në secilën intervistë, Gjykata Speciale e ka pranuar të njëjtën. Vetëm se, ka vendosur si kusht që ZPS-ja t’i drejtohet trupit gjykues me kërkesë për të marrë pjesë në ato intervista.

Edhe pse në parashtrime përmendet “pala thirrëse” dhe “pala kundërshtare”, te çështja e intervistimit të dëshmitarëve kjo vlen më së shumti për mbrojtjen. Pasi, Prokuroria veç se ka përfunduar pjesën më të madhe të intervistave me dëshmitarët.

Nëse një palë kundërshtare dëshiron ta intervistojë një dëshmitar të palës tjetër, duhet ta njoftojë palën thirrëse të paktën 10 ditë para intervistës së synuar. Pala thirrëse do të konstatojë në mirëbesim nëse dëshmitari pranon të intervistohet nga pala kundërshtare, dhe duhet ta infromojë dëshmitarin për mundësinë. Pala thirrëse do ta informojë palën kundërshtare nëse dëshmitari ka dhënë pëlqimin. Përveç kësaj, kur pala thirrëse beson se siguria e një dëshmitari mund të jetë në rrezik, mund të kërkojë nga Paneli Gjyqësor që të marrë pjesë në çdo takim ndërmjet palës tjetër dhe dëshmitarit, pavarësisht nga dëshira e dëshmitarit”, thuhet decitivisht në vendim.

Sipas gjyqtarit, ky vendim nuk cenon as barazinë e armëve e as gjykimin e drejtë. Kjo pavarësisht, se mbrojtja tashmë nuk ka asnjë gjasë të marrë pjesë në intervistat e Prokurorisë me dëshmitarët, sepse ato veç kanë përfunduar.

“Korniza gëzon bazë në ligj, dhe gjyqtari është i vetëdijshëm se kjo do të respektojë të drejtat e të akuzuarve sipas ligjit ndërkombëtare. Gjyqtari i drejtohet argumenteve të mbrojtjes duke pretenduar se Kornzia shkel një sërë komponentësh për gjykim të drejtë, në lidhje me barazinë e armëve. Ku GJEDNJ ka konstatuar se secilës palë duhet t’i jepet mundësi e arsyeshme për ta paraqitur çështjen e saj në kushte që nuk e vendosin në disavantazh kundrejt kundërshtarit”, thuhet në vendim.

“Së dyti, Mbrojtja pretendon se përfshirja e Prokurorisë në kërkimin e pëlqimit të një dëshmitari për t'u intervistuar dhe prania e Prokurorisë gjatë intervistave të mbrojtjes me dëshmitarët do të ketë një efekt ftohës. Gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se shqetësimet hipotetike të ngritura nga Mbrojtja nuk e vë në pikëpyetje përfundimin se, në bazë të konsideratave të lartpërmendura, Korniza e propozuar i lejon ZPS-së të marrë pjesë në intervistat e Mbrojtjes me dëshmitarët. Siç pasqyrohet në Kornizën e propozuar, ZPS-ja do të veprojë me mirëbesim dhe, nëse ka një arsye konkrete dhe thelbësore për të konsideruar se nuk është kështu”, theksohet më tutje.

Në bazë të praktikave ndërkombëtare, kjo mund të shkaktojë vonesa edhe më shumë në procedurën gjyqësore.

Lajme të ngjashme