Edhe një seancë pa afat për nisjen e gjykimit, përplasje të reja në procesin ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë
Edhe konferenca e 13-të në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, është shoqëruar me përplasje. Ashtu siç ndodh rëndom. Ngjashëm, sikur edhe në këtë seancë nuk pati asnjë datë se kur mund të nis gjykimi zyrtarisht ndaj 4 prej udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gazeta Nacionale sjell një përmbledhjeve të debateve që u zhvilluan në seancën e sotme në Gjykatën Speciale të Hagës.
Avokati i Kadri Veselit, Bem Emmerson, në pjesën e parë të seancës së sotme që u zhvillua në Gjykatën Speciale dha një propozim. Ai kërkoi që Prokuroria e Specializuar t’i anulojë pushimet e verës, në mënyrë që të kryejë të gjitha punët në mënyrë që gjykimi të nis sa më shpejt që është e mundur.
Në konferencën e 13-të statusore, Emmerson pati kritika për Prokurorinë duke e cilësuar si joprofesionale e që po shkakton vonesa në proces.
“Pas dy vitesh me katër të akuzuar në paraburgim, një Prokurori që s’ka plan për gjykim është një nocion shokues. Pra, ne iu ftojmë që të mos i jepni më liri kësaj prokurorie. Por ta detyroni të marrë vendime të rëndësishme gjatë kësaj vere. Duhet të anulojë pushimet, dhe ta formulojë çështjen e vetë, dhe të tregojë se cilët dëshmitarë do t’i thërrasë në 3 muajt e parë. Cilët janë 107 dëshmitarët e parë. Keni një prokurori absolutisht dembele. Me një prokurori të tillë gjykimi mund të zgjasë 5 deri në 7 vjet”, ka thënë Emmerson në seancën e sotme.

Ai deklaroi se procesi nuk është as afër nisjes së gjykimit. Sipas Emmersonit, kjo ka ardhur si pasojë që Prokuroria nuk e di cilët dëshmitarë do t’i ftojë. Emmerson pati kritika edhe për nxjerrjen e materialeve. Prokurorin e Specializuar madje e quajti patetik.
“Ne kemi kërkuar materialet tona, me sa duket ZPS-ja do t’i nxjerrë ato materiale të paktën deri më 30 shtator. Nuk ngrihem në këmbë, edhe pse ai ka zakon të jetë patetik. Ne nuk duhet ta humbasim datën për dorëzimin e dosjes paraprake. Me respekt do të doja t’i kërkoja që të tërhiqej nga pjesa e parashtrimeve që ai bëri”, tha Emmerson.
“Nuk duam që të vonohet procesi, po përpiqemi ti çojmë cështjet përpara, dhe dosja paraprake do të zbulojë edhe pikat me të cilat jemi në mospajtim. Ne jemi në një pozitë që duhet të dijmë kënd do ta thërrasin për dëshmi, cilat prova do t’i dorëzojnë, dhe materialet e tjera”, theksoi Emmerson.
Kritika edhe nga avokati i Thaçit
Ngjashëm sikur homologu i tij, kritika të ashpra për Prokurorinë e Specializuar ka pasur edhe avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe. Ai ia ka përmendur Prokurorisë faktin që kohë më parë, kishte propozuar që gjykimi të nis në vitin 2021. Aktualisht është korriku i vitit 2022, dhe gjykimi nuk ka nisur.
“Ne kërkojmë një lloj nxjerrje materialesh në vijmësi. Sa herë që mbaron një grup dokumentesh, pse mos ta dorëzosh tani që të trajtohet tani, në vend që të marrim një tufë dokumentesh të gjitha në shtator. Ne nuk kemi kundërshtim për afatin 30 shtator, por po flasim për datën 30 shtator kur prokuroria ka thënë që jemi gati për gjykim që në maj të 2021. Ne po mbahemi në errësirë për këto materiale, të cilat janë shfajësuese”, deklaroi Keohe.
“Faqe të tëra të dëshmitarëve janë me redaktime, a e pengon kjo hetimin tonë. Pa diskutim. Për muaj të tërë jemi përpjekur të hyjmë nëpër arkiva, por ka dëshmitarë në OSBE që duan të shohin dokumentet. Kemi 91 dëshmitarë anonimë nga mbi 300 dëshmitarë tërësisht. Më është dashur të anulojë intervistat, pas urdhrit tuaj për manualin e dëshmitarëve”, shtoi avokati i Thaçit.

Keohe gjithashtu zbuloi se do të dorëzojnë prova, të krimeve serbe në Kosovë.
“Kemi ndërmend t’ia dorëzojmë prokurorisë disa dosje për krimet që kanë kryer serbët në Kosovë, e që janë të shumta. Mbase Prokuroria do të merret edhe me ato. Shpresojmë ti shohim krimet e kryera kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës nga serbët, dhe kjo do të na shkurtojë shumë kohë”, përfundoi Keohe.
Pakënaqësi nga avokatët e Krasniqit dhe Selimit
Pakënaqësi në lidhje me procesin e deritashëm kanë pasur edhe ekipet mbrojtëse të Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
“Njëlloj sikur kryeministri i Britanisë që u hoq, edhe ata do të përpiqen e do të përpiqen, derisa t’i heqin të gjitha materialet. Një ditë përpara se të bëhet konferenca, Prokuroria na dërgon numër të madh tabelash e dokumentesh. Shpresojmë që të kemi mundësi të ecim përpara, në lidhje me manualin e dëshmitarëve. Hetimet tona varen nga ritmi i nxjerrjes së materialeve, nëse shpejtohen afatet kjo do të na ndihmonte të flasim me dëshmitarët. Ka faktorë që shkojnë paraleleisht me njëri – tjetrin. Hetimet e mbrojtjes nuk janë të ndara nga detyrimet e nxjerrjes së materialeve”, deklaruan nga ekipi mbrojtës i Rexhep Selimi.
Kurse, avokati i Jakup Krasniqit, Adam Ellis përmendi gjithashtu kohëzgjatjen e paraburgimit, ku ish-krerët e UÇK-së po mbahen për më shumë se 20 muaj.
“Prokuroria nuk duhet të bëj bisht dhe duhet të nxjerrë materialet shfajësuese posa ato i ka në duar. E dimë që janë në paraburgim tash e 20 muaj, dhe ende jemi në fazën paraprake. Z.Krasniqi pa dyshim dëshiron që cështja t’i transferohet trupit gjykues sa më shpejt që është e mundur. Kur e dëgjojmë ZPS-në duke thënë se kanë përpshejtuar procesin, ne mirëpresim këtë. Kjo nuk tregon se ka pasur përparim të madhe deri më tani”, ka thënë Ellis.
Edhe gjyqtari i ashpër me Prokurorinë
Sikur rrallë herë, në seancën e sotme, gjyqtari i procedurës paraprake ka pasur urdhër direkt për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kjo në lidhje me nxjerrjen e materialeve shfajësuese.
“Iu kuptoj juve, por edhe mbrojtjen, sepse është në interes të tyre që të marrin materialet shfajësuese. Kjo nuk iu pengon që ju t’i nxjerrni këto materiale përpara. A i keni përfunduar detyrat e juaja për materialet shfajësuese? Duhet të bëjmë një dallim: nga njëra anë kemi materiale që juve do t’i merrni pas afatit të qershorit. Nga ana tjetër, kemi materiale që ju keni por që mund të bëhen shfajësues. Pse kontrollimet e tilla nuk mund të bëhen tani. Duhet të nxjerren ato materiale, kaq dhe pikë. Edhe mbrojtja duhet ta mbrojë që megjithë kërkesat e jashtëzakonshme, ne i jemi përmbajtur afateve tona”, ka thënë gjyqtari Giju.
Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka qenë e qetë duke thënë se po i zbaton të gjitha kushtet. Mbrojtjen e Kadri Veselit madje, e kanë quajtur spekuluese.
“Ne po vazhdojmë t’i kryejmë detyrat tona sipas vendimeve tuaja. Duket se mbrojtja mendon që ne po i bëjmë bisht këtyre materialeve, dhe kjo nuk qëndron. Ne kemi bërë rishikimin për çdo material. E kemi përmbushur detyrimet për nxjerrjen e materialeve sipas rregullave. Nuk ka afat ligjor për të nxjerrë dicka që jemi të detyruar të nxjerrim. Ne kemi përshpejtuar nxjerrjet që nga konferenca e fundit. Kjo është detyrë që është kryer përmes angazhimit të gjithë stafit të ZPS-së.”, tha Matt Haëling nga ZPS-ja.
Dorëzimi i dosjes paraprake të këtij rasti që vlerësohet nga fazat e fundit para nisjes së gjykimit, pritet të bëhet në muajin tetor.
Megjithatë, ka dilemma të mëdha nëse gjykimi mund të fillojë para janarit të vitit 2023.
