Kurti kujton praninë e strukturave paralele: Shkaku i tyre kosovarët paguan 320 milionë euro që nga paslufta - NACIONALE

Kurti kujton praninë e strukturave paralele: Shkaku i tyre kosovarët paguan 320 milionë euro që nga paslufta

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është deklaruar sërish rreth zhvillimeve politike në vend.

Përmes rrjetit social "Twitter" ai ua rikujtoi ndërkombëtarëve faktin e pranisë së strukturave paralale në veri të vendit.

Teksa fliste për praninë e këtyre strukturave, pohoi se taksapaguesit kosovarë, pra të pjesës së jugut të Ibrit kanë paguar rrymë për serbët e veriut dhe kjo si shkak i strukturave paralele.

"Strukturat paralale të kontrolluara nga Serbia e që funksionojnë në komunat veriore, u kanë kushtuar taksapaguesve kosovarë të pjesës tjetër të vendit plot 320 milionë euro për fatura të rrymës dhe 17 milionë euro për atë të ujit", shkroi ndër tjerash Kurti.

Më poshtë edhe postimi:

Gjithashtu, shefi i ekzekutivit përmendi atë se banorët serbë nuk duhet të fajësohen për këtë.

Sipas tij, ata e pranojnë faktin se të paguarit e këtyre shpenzimeve administrative është për të mirën e tyre.

"Sigurisht, banorët tanë në komunat veriore nuk duhet të fajësohen për këto padrejtësi. Ata e kuptojnë dhe e pranojnë se pagesa e shpenzimeve elementare si rryma dhe uji janë normale dhe kjo do të mundësonte investimet e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve".

"Ata kanë të drejtë të kenë qasje në shërbime të tilla dhe të jenë të lirë nga krimi i organizuar, presioni dhe kërcënimet nga strukturat paralale të udhëhequra nga Serbia. Qeveria ime është e përkushtuar që t'ua përmirësojë atyre cilësinë e jetës, përfshirë këtu lirinë dhe sigurinë", vazhdoi ai.

Aksioni në veri

Ky deklarim i Kurtit erdhi pak orë pasi u konfirmua operacioni anti-drogë në veri të vendit, me të njëjtin që edhe u shkatërrua.

Njoftimin e dha Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ky i fundit gjithashtu dha detaje shtesë, duke thënë se bashkëpronari dyshohet ta ketë sulmuar Policinë e Kosovës muajin e kaluar.

"Sot Policia e Kosovës në kuadër të detyrave të saj në zbatim të ligjit, ka identifikuar dhe shkatërruar një laborator droge në Mitrovicë të Veriut me ç’rast është arrestuar pronari i këtij laboratori. Pavarësisht angazhimeve të policisë, kriminelët ende po mendojnë se mund të vazhdojnë me shkeljen e ligjit dhe kundërligjshëm të pasurohen në kurriz të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve", shkroi ndër tjerash ai.

Lajme të ngjashme