Kurti skeptik për ulëse në OKB: Rusia e Kina na e bëjnë të vështirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë së që nga pavarësia, emri i Kosovës nuk është përmend asnjëherë më shumë në arenën ndërkombëtare më shumë se sa në vitin 2022, duke i dhënë merita mënyrës së tij në politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë.
Kurti foli në një intervistë në Euro News Albania edhe për synimin e Kosovës që të ketë ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dukë thënë se Rusia që ka veton në OKB dhe Kina që nuk e njeh Kosovën janë pengesë për një gjë të tillë.
“Dy Gjermanitë morën ulëset në OKB u bënë anëtare të BE-së. Kemi konstalacion tjetër. Viti 2022 është viti prej pavarësisë ku nuk jemi përmendur më shumë në arenën ndërkombëtare. Në njërën anë, qeverisje jonë ka qenë e mirë, por në anën tjetër, nuk ka javë që nuk na përmend presidenti despotik Putini dhe varësit Zakharova, Lavrovi, Medvedevi e të tjerët. Vazhdimisht në hegjemoninë e tyre në Ukrainë thirren pa të drejtë në Kosovën si shembull për atë që bëjnë. Normalisht me atë Rusi që ka veton në OKB e pa Kinën që na njeh, nuk mund të jetë shpresëdhënës për ulëse në OKB. Konteksti historik e politik me atë model është i papërshtatshëm me këtë kohë”, - tha Kurti.
Kryeministri tutje, ka vazhduar ta përsërisë se propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një bazë e mirë dhe një platformë solide për të ecur përpara.
“Propozimi i BE-së është një propozim që ne kemi thënë që ëshët bazë e mirë dhe platformë solide për të ecë përpara, ne nuk mund të shkpjmë prapa. Unë kam konsideruar që ky propozimi franko –gjerman, apo evropian, i mbështetur edhe nga ShBA-ja është një bazë e mirë për këtë gjë. Kjo nuk është marrëveshje finale, i ka pesë fjali në preambulë dhe i ka 10 nene. Ajo që më ka pëlqyer menjëherë në këtë tekst, , është se është propozim evropian dhe demokratik dhe është propozim që thirret në koncepte universale”, - tha Kurti.
Kurti, në një intervistë ne Euro Neës Albania, ka thënë se faza dialoguese nën menaxhimin e tij të qeverisë, dallon nga pushtetet e kaluara duke thënë se tash flitet më shumë për hapa konkret.
“Dekada me përplot dialog para se unë të bëhem kryeministër, ishte dekada le të themi që për nga fryma e marrëveshjeve që realizoheshin në Bruksel, por nuk zbatoheshin aq në Kosovë e Serbi, ishte e ideologjisë së zgjidhjes së problemeve, pra ke një problem, le ta konsiderojmë sit ë veçantë dhe të përpiqemi ta zgjedhim me ç’rast ai bëhej gjithnjë e më komplekse, me një oqean të hollësive që bënte çdo qytetar ta humbte vëmendjen për përmbajtjen. Andaj tash kemi një propozim dy-faqesh, i dendur, me terme ende gjenerike, mirëpo konceptet janë universal, sikurse pavarësisë, sovraniteti, integriteti territorial, sundimi i ligjit, vetëvendosja, të drejtat e njeriut, paqja, siguria e etj”, - tha kryeministri.
Insistimi amerikan për Asociacionin
Kujtojmë se javën e kaluar u mbajtë edhe takimi i dytë për modalitetet e themelimit të Asociacionit i organizuar në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë.
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier – që kishte detyrë edhe të moderonte diskutimin në fjalë – ishte shprehur se do të vazhdojnë të avokojnë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në dialog.
Takimi në fjalë ishte parë gjerësisht si një tjetër presion nga ShBA-ja ndaj Qeverisë Kurti për themelimin e Asociacionit, veçanërisht pasi Serbia dha sinjale se do ta pranonte planin franko-gjerman.
Ndërkaq, nën qeverinë Kurti temë e vazhdueshme e diskutimit janë edhe raportet mes Kosovës dhe ShBA-së të cilat kanë qenë nën fokusin e përcjellësve të politikës në vend për shkak të rëndësisë që ato kanë për ekzistencën dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës. Por, me ardhjen e Kurtit në pushtet, përplasjet janë bërë të vazhdueshme.
Kurse, edhe sipas zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, Asociacioni është obligim i detyrueshëm ligjor për të gjitha palët dhe nga ai nuk mund të ikë një parti apo një individ. Escobar ka elaboruar të mërkurën deklaratën e para një muaji që në rast se Qeveria e Kosovës nuk do që të jetë pjesë e procesit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë për këtë do të diskutohet me “partnerë alternativë”.
“Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ligjor ndërkombëtar. Ai e obligon Kosovën, obligon Serbinë dhe e obligon BE-në që e ka udhëhequr, dhe pse ne e kemi përkrahur, është përkushtim i yni. Andaj, një parti dhe një individ nuk mund të ikë nga ai njëanshëm”, - kishte deklaruar Escobar në janar të këtij viti.

