Kurti numëron “sukseset” e Qeverisë së tij: Punësuam afër 5 mijë gra në vitin 2022
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka radhitur disa nga të arritura që ka bërë gjatë vitit 2022.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kanë mbështetur vazhdimisht qytetarët në vitin që lamë pas.
Kurti ka përmëndur shtesat për 30 mijë lehona dhe 260 mijë fëmijë.
Një ndër të arritura që ai theksoi për vitin e kaluar ishte edhe punësimi i grave ku tha se janë punësuar 5 mijë gra e vajza.
“Me masën 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra”, tha ai.
Kryeministri gjithashtu ka përmendur edhe Pakot që i ka shpëndarë për të ndihmuar qytetarët, ndër to përmend edhe Pakon e Ringjalljes Ekonomike.
“Brenda një viti, me dy Pako mbështetëm drejtpërdrejt rreth 800 mijë qytetarë të Republikës, pothuajse secilën famije.Pako për Ringjallje Ekonomike 100 milionë euro Dyfishuam asistencën sociale për rreth 26 mijë familje në muajin prill”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri Kurti poashtu u shpreh se gjatë vitit 2022 kanë ndarë nga 100 euro për 300 mijë pensionmarrës, 240 mijë punëtorë të sektorit privat, 74 mijë punëtorë të sektorit publik, 50 mijë studentë.
Ai tha se për 76 mijë punëtorët e sektorit publik kanë ndarë nga 50 euro shtesë saktësisht për muajin shtator deri në muajin dhjetor.
Ndër të tjera tha se kanë subvencionuar 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muaj, ndonëse shtoi se punësuan 770 punëtorë me skemën e punësimit “Qeveria për Familjet”.
“Në vitin për personat me aftësi të kufizuara: u punësuan 239 persona (119 burra dhe 120 gra). Subvencionuam:Tarifat e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët e bizneset që nga shkurti 2022;Faturat e energjisë elektrike për kursimtarët (mbi 200 mijë përfitues); Blerjen e pajisjeve efiçente për ngrohje për mbi 8 mijë familje”, ka thënë ndër të tjera Kurti.


