Kurti në trysni shtesë? Përmendet afat deri më 17 shkurt për Asociacion, në anën tjetër 'takimet' - NACIONALE

Kurti në trysni shtesë? Përmendet afat deri më 17 shkurt për Asociacion, në anën tjetër 'takimet'

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri bujë të madhe para disa ditësh kur u shpreh se mund ta konsideronte Asociacionin nëse paraprakisht përmbusheshin gjashtë kushte. Por, prej asaj kohe kanë ndodhur zhvillime tjera dramatike. Çka po ndodh?

Kryeministri për herë të parë u shpreh se mund ta konsideronte formimin e Asociacionit, por nëse merreshin parasysh gjashtë kushte.

Nga LDK-ja e Lumri Abdixhikut ky u pa si moment i rëndësishëm, pasi Kurti po shkelte një tjetër qëndrim të tij. Megjithatë, duket se në këtë formë nuk e kanë parë aleatët më të mëdhenj të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Afati

ShBA-të, në bazë të një raportimi nga Nova serbe, nuk e kanë parë qëndrimin e Kurtit si qëndrim final për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas këtij mediumi opozitar, Kurtit madje edhe i është dhënë një afat kohor i shkurtër që ta shprehë qëndrimin e tij përfundimtar.

Ky afat ironikisht skadon më 17 shkurt, ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Paraprakisht, Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë i ka organizuar dy takime në lidhje me Asociacionin. Më i rëndësishmi, ai më 31 janar, mblodhi dhjetëra pjesëmarrës mes të cilëve edhe shumë zyrtarë qeveritarë. Megjithatë, mes tyre nuk ishte edhe kryeministri i Kosovës që kishte thënë se nuk kishte marrë fare ftesë.

Ndërkohë, mediumi serb Nova ka raportuar se ky afat Kurtit i është dhënë në një takim të cilin e ka pasur i vetëm me përfaqësuesit amerikanë.

BE-ja

Një tjetër hap të madh përpara e bëri Kurti edhe javën e kaluar, kur u shpreh pranues ndaj planit franko-gjerman (që po quhet edhe si plan i BE-së) për të vazhduar bisedimet me Serbinë.

Nënsekretari amerikan Derek Chollet kishte njoftuar para dy ditësh për një telefonatë që e kishte pasur me kryeministrin e Kosovës por me një frazim tjetër nga ai i kryeministrit.

“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot. Ne mirëpritëm vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Tash na duhet zbatimi për të siguruar përfitime domethënëse për të dyja vendet.” – ishte shprehur ai në Twitter.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit Peter Stano ka deklaruar se i ka marrë parasysh komentet e kryeministrit Kurti në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Kemi marrë parasysh komentet e kryeministrit Kurti në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt. Forumi për të diskutuar krijimin e Asociacionit, si dhe çdo propozim që mund të kenë të dy palët, është në kuadër të dialogut. BE-ja është e gatshme të ndërmjetësojë diskutimet mbi Asociacionin në takimet e ardhshme të dialogut,” – kishte thënë z. Stano.

Në anën tjetër, Kurti ka qenë i zëshëm në kërkesën e tij për takime të vazhdueshme me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, është shprehur sejanë në kontakt të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian për caktimin e takimit të radhës.” Por pa dhënë detaje shtesë.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës e kishte ndryshuar pjesërisht edhe qëndrimin e tij për reciprocitet (dhe heqje të tarifës doganore, e njohur si taksa 100%) në vitin 2020 por nuk ishte përfillur nga administrata e atëhershme amerikane Trump.

Lajme të ngjashme