Raporti i PE-së ngre alarmin për afrimin e Shkupit me Beogradin, Osmani-Kurtit: Politika matet me pasoja
Ish-kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar pas raportit të fundit të Parlamentit Evropian, i cili raport ka shprehur shqetësim për lidhjet gjithnjë e më të forta që Qeveria e Maqedonisë së Veriut po krijon me Qeverinë e Serbisë.
Në raportin e Parlamentit Evropian thuhet se Maqedonia e Veriut po afrohet me qeverinë e Serbisë, e cila ndjek një agjendë joliberale.
"Vëren me shqetësim lidhjet gjithnjë e më të forta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë, e cila ndjek një agjendë joliberale; paralajmëron, gjithashtu, për rritjen e ndikimit ekonomik dhe politik kinez në rajon, veçanërisht përmes projekteve infrastrukturore dhe huadhënies; vëren me të njëjtin shqetësim raportimet për përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim në Maqedoninë e Veriut; bën thirrje që Bashkimi Evropian ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në forcimin e qëndrueshmërisë së saj ndaj ndikimeve të jashtme që ushtrohen përmes rrjeteve fetare; shpreh shqetësim për narrativat që promovohen në rajon dhe që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve, përfshirë të ashtuquajturën 'Bota Serbe'", thuhet ndër të tjera në raport.

Lidhur me këtë, Osmani e ka kritikuar Kurtin, duke thënë se nuk e di nëse kryeministri në detyrë i Kosovës ka pasur ndonjëherë për qëllim forcimin e ndikimit serb në rajon.
Ai ka theksuar se politika nuk matet vetëm me qëllime, por edhe me pasojat.
"Nuk e di nëse Albin Kurti ka pasur ndonjëherë për qëllim forcimin e ndikimit serb në rajon. Por politika nuk matet vetëm me qëllime. Politika matet me pasoja. Pyetja që meriton përgjigje është: si ndodhi që një lëvizje politike, e cila e ka ndërtuar identitetin e saj mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb, u bë sponsore e aktorëve politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Beogradin?", ka shkruar Osmani.
Ai ka shtruar edhe një pyetje thelbësore për Lëvizjen Vetëvendosje.
"Pyetja që meriton përgjigje është: si ndodhi që një lëvizje politike, e cila e ka ndërtuar identitetin e saj mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb, u bë sponsore e aktorëve politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Beogradin?", ka shkruar më tej Osmani.
Ish-kryediplomati ka shtuar se shqiptarët, për dekada me radhë, kanë ndarë prioritete të përbashkëta strategjike, ndër të cilat janë integrimi euroatlantik dhe partneriteti me SHBA-në.
"Për dekada me radhë, shqiptarët në rajon kanë ndarë disa prioritete të përbashkëta strategjike: integrimin euroatlantik, partneritetin me SHBA-në, orientimin drejt BE-së dhe rezistencën ndaj projekteve që cenojnë sovranitetin e shteteve të Ballkanit. Kur interesat partiake fillojnë t’i zëvendësojnë këto prioritete strategjike, humbës nuk janë kundërshtarët politikë. Humbës bëhen interesat kombëtare. Prandaj, pyetja nuk është pse Parlamenti Evropian po ngre alarmin. Pyetja është: a do të ketë dikush guximin të shpjegojë se si përfunduam këtu?", ka shkruar Osmani.
Duhet theksuar se qeverinë e Hristijan Mickoskit e ka mbështetur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes subjektit politik VLEN, i cili është pjesë e qeverisë maqedonase.
Kurti e ka mbështetur fuqishëm këtë koalicion për të nxjerrë Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit në opozitë, duke u shfaqur edhe në Kongresin e VLEN-it përkrah kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski./Nacionale
