Nga 13 në 16%, nisin pakënaqësitë në LDK: Duhet reflektim, LDK-ja nuk është për vendin e tretë
Pas përfundimit të numërimit të votave, kanë filluar pakënaqësitë në LDK. Disa zyrtarë të lartë të LDK-së nuk janë shprehur të kënaqur me rezultatin e zgjedhoreve të 7 qershorit. Ata kanë kërkuar përgjegjësi dhe reflektim nga lidershipi i kësaj partie. Ndaj kritikave kanë heshtur Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili në këto zgjedhje ka fituar edhe një mandat të deputetit, ka qenë nder të parët që ka shprehur pakënaqësi.
Në profilin e tij në Facebook, Hoti ka shkruar se LDK-ja duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional.
“Eksperimente me LDK-në dhe me të ardhmen e saj nuk do të ketë. Rezultati ka dhënë një mesazh të qartë: LDK duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional, te vlerat e saj dhe te vizioni që e ka ndërtuar këtë parti. Duhet të luftojmë çdo mentalitet që dobëson aleancat tona historike dhe cenon rrugën euroatlantike të Kosovës. LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historik”, ka shkruar Hoti.
Edhe më i ashpër ka qenë ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili e ka fituar edhe një mandat.
Ai ka bërë me dije se rezultati i fundit duhet shërbej si reflektim.
“Një LDK me vlerat e saj autentike. Një LDK me njerëzit më të mirë, me mendim të lirë, me demokraci të brendshme, me profesionalizëm dhe me vizion. Mbi të gjitha, një LDK fituese. Rezultati i fundit zgjedhor duhet të na shërbejë si thirrje për reflektim. Ne nuk duhet ta pranojmë si normalitet një LDK në vendin e tretë. Një LDK me 16% nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës. Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në Facebook, duke e vazhduar kritiken.
“Është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm, demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje. Që nxjerr në pah vlerat dhe energjinë më të mirë të partisë sonë. Sepse vetëm kështu mund ta bëjmë LDK-në të madhe përsëri. LDK-në fituese përsëri. Dhe vetëm me një LDK fituese mund ta ndërtojmë Kosovën që e duam: një shtet më të fortë, më të drejtë, më të zhvilluar dhe më evropian. Le ta nisim këtë rrugëtim me guxim, me besim dhe me përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Kurse, ish-deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, për këtë rezultat ka bërë përgjegjës direkt lidershipin e kësaj partie.
Në profilin e saj në Facebook, Krasniqi ka shkruar se nuk funksionoi “bashkimi i madh”.
“LDK është më e madhe se çdo interes personal. Kur pritjet ndërtohen mbi spektakël e jo mbi organizim, rezultati e jep verdiktin pa emocione e pa arsyetime. Pra, nga 13 në 16, dobët shumë dobët. Na u tha se “bashkimi i madh” do ta kthente fitoren në realitet. Ndërkohë, në terren u krijuan ndarje, u anashkaluan aktivistë që e kanë mbajtur partinë në ditët më të vështira dhe u ushqye ideja se disa janë më të rëndësishëm se të tjerët. Mbi të gjitha i lënduat ata që qëndruan fuqishëm për dekada me radhë. Në fund, bilanci është i ftohtë: pak vota më shumë në nivel vendi, e në disa bastione edhe rënie.”, ka shkruar ajo, duke e vazhduar kritiken e saj.
“Në politikë nuk matesh me fotografi, me duartrokitje e as me rreth shokësh. Në politikë matesh me votë. Dhe kur vota nuk e konfirmon premtimin, atëherë duhet përgjegjësi. Reforma nuk fillon nga poshtë. Reforma fillon nga lart. Nuk mund të kërkosh besim duke u sjellë si gjithçka është në rregull. Nuk mund të jesh njëkohësisht edhe rugovist edhe argat deri para disa muajsh i atyre që e shajtën ndër vite. Nuk mund të qëndrosh në LDK me identitet të paqartë deri dje e sot të kërkosh besnikëri pa kushte", ka shkruar ai.
Abdixhiku e Osmani heshtin, Paris Guri flet
Ndaj këtyre kritikave ka heshtur kryetari LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe bartësja e listës së LDK-së në këto zgjedhje, Vjosa Osmani.
Derisa Abdixhiku e Osmani kanë heshtur, për këto kritika ka folur kandidati për deputet i LDK-së, Paris Guri, i cili njihet si njeri i afërt i Abdixhikut.
Guri, i cili e ka fituar mandatin e deputeti në zgjedhjet e 7 qershorit, ka kritikuar ashpër zyrtarët e lartë të parti të cilët kanë shprehur pakënaqësi me rezultatin.
“Interesante se si, për tri palë zgjedhje radhazi, sapo përfundon procesi zgjedhor, më të zëshmit bëhen pikërisht ata që nuk i sheh askund gjatë fushatës. Nuk i sheh në terren, nuk i sheh në organizim, nuk i sheh në asnjë betejë politike. Përkundrazi, i dëgjoje nëpër qoshe duke folur me më shumë pesimizëm për LDK-në sesa vetë kundërshtarët tanë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, LDK-ja është rritur në kohë rekorde.
“Kontributi i tyre në betejë, në rastin më të mirë, ishte zero, por ambicia për të dhënë leksione pas rezultatit është gjithmonë maksimale. LDK-ja u rrit në kohë rekord. U rrit falë besimit tuaj, falë përkushtimit dhe vizionit të kryetarit të LDK-së, falë punës së atyre që ishin në ballë të betejës, falë bashkimit dhe falë aktivistëve tanë që, pa u kursyer asnjëherë, trokitën në çdo derë, takuan çdo qytetar dhe mbajtën gjallë frymën e LDK-së, kur shumë të tjerë kishin zgjedhur vetëm të komentonin dhe të prisnin fundin e procesit për t’i bërë publike po ato komente”, ka shkruar ai.
Në zgjedhjet e 7 qershorit LDK-ja është renditur si partia e tretë në vend.
Sipas rezultateve preleminare të KQZ-së, kjo parti ka marrë 16.69% apo 135,563 vota.
Rezultati i këtyre zgjedhje fituese e ka nxjerr Lëvizjen Vetëvendose të Albin Kurtit me 47.13% apo 382,858 vota, në vend të dytë e ka renditur Partinë Demokratike të Kosovës me 19.44% apo 157,894 vota dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me 6.74% apo 54,731 vota.