Kurti kthehet i rrezitur nga Greqia, nuk flet për gjendjen alarmante ekonomike e as inflacionin 14,1% - NACIONALE

Kurti kthehet i rrezitur nga Greqia, nuk flet për gjendjen alarmante ekonomike e as inflacionin 14,1%

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti është kthyer nga Greqia. Ai u shfaq sot në Kuvend. Natyrisht, nuk munguan ironitë për “pushimet” e tij në shtetin helen.

Së paku dy deputetë e komentuan “rrezitjen” e tij. Por, Kurti s’është se u mor gjatë me këtë çështje. Shefi i ekzekutivit nuk foli fare as për krizën ekonomike e inflacionin që tashmë ka shkuar në kulm.

Teni i ndryshuar i lëkurës së Kurtit, i cili qëndroi 9 ditë në Greqi, u bë temë e diskutimit në Kuvend.

“Rrezitja”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ishte i pari ligjvënës që foli rreth rrezitjes së Kurtit në bregdetin helen.

Madje, deputeti veteran ishte i drejtpërdrejtë.

“Qenke rrezitur”, iu drejtua Gashi kryeministrit.

E batuta në adresë të kryeministrit dërgoi edhe Hisen Berisha, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke komentuar deklaratën e Gashit, ish-komandanti i Koshares tha se Kurti s’ka shkuar në Greqi për t’u rrezitur.

“Unë desha ta falënderoj kryeministrin, por para se ta falënderoj, desha ta bëj një reagim ndaj z. Arben Gashi, i cili iu drejtua kryeministrit dhe i tha se “qenkeni rrezitur mirë”. Dua t’i them se kryeministri, duke e njohur kursin e tij patriotik dhe atdhetar, nuk ka shkuar për t’u rrezitur, por ka shkuar ta zgjerojë projektin e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, prandaj duhet të keni më shumë konsideratë në vlerësim”, deklaroi Berisha.

Kurti ishte i shkurtër në përgjigjën e tij. Në një postim në Facebook, Kurti shkroi se seanca ishte e rëndësishme, përtej asaj nëse i dukej dikujt i rrezitur.

“Me fjalë të tjera, ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi se kujt i dukesha i rrezitur unë”, komentoi Kurti komentet për tenin e ndryshuar.

Heshtja për inflacionin

Por, Kurti ishte krejtësisht i heshtur gjatë seancës për çështjen e inflacionit.

Kurti nuk foli gjatë seancës për këtë çështje.

Njëjtë veproi edhe në Facebook-un e tij. Kurti shkroi për Revolucionin e famshëm Francez, e për ato çfarë ndodhën në Kuvend.

“Me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ecim bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot. I falënderoj deputetët e Kuvendit për këtë votim me të cilin iniciuam themelimin e një mekanizmi të rëndësishëm me diskrecion për të hetuar pasurinë e të gjithë personave zyrtarë”, shkroi Kurti në Facebook.

Ndërsa sa qëndroi në Greqi, Kurti thoshte se Kosova është storie suksesi dhe se pas fitores së partisë së tij, vendi ka pësuar rritje ekonomike.

Kurti në Greqi ka thënë se Kosova ka pësuar rritje impersive të ekonomisë. Ai ka përmendur edhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Kemi pasur stabilitet institucional që na mundësoi të kemi rritje impresive ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e parë dyshifrore ndonjëherë pas çlirimit, më 1999”, ka thënë ai ne Simpoziumin Symi që mbahet në Greqi.

Inflacioni 14,1%

Jeta në Kosovë është shtrenjtuar edhe gjatë muajit qershor. Kosovarët paguan më shtrenjtë për shumicën e produkteve bazë, me karburantet që shënojnë rritjen më të madhe të çmimit për litër.

Në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni është jashtëzakonisht i madh. 14.1%, raporton ASK, është norma vjetore e inflacionit në qershor të këtij viti, në krahasim me atë të 2021-tës.

Një normë e tillë e inflacionit është e krahasueshme vetëm me vitin 2008, i cili vit shënon krizën e madhe financiare e ekonomike të krejt eurozonës. Në vitin 2008, gjatë periudhës që njihet si “Recensioni i madh”, norma e inflacionit ishte saktësisht 14.02%.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Por, gjatë muajit qershor, kosovarët u përballën edhe me shtrenjtimin e çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022”, thuhet tutje në këtë raport.

Lajme të ngjashme