Kryeministri Kurti takoi Lajçakun në Greqi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Miroslav Lajçak, përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, gjatë ngjarjeve të Simpoziumit Symi që po zhvillohen në Greqi.
Temat kryesore të takimit ishin përmbyllja e procesit të diskutimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel deri më tani dhe fazat e ardhshme.
"Kryeministri Kurti theksoi sërish që Qeveria e Republikës së Kosovës është përherë e gatshme për dialog parimor, të balancuar e konstruktiv. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme e të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. Për këtë, kemi edhe Rezolutën e Parlamentit Evropian, të miratuar pak ditë më parë, ku bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazuar në njohje reciproke. Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Kurti diskutoi në panelin me temë “Implikimet e luftës në Ukrainë: Momentum i ri për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor? Mundësitë dhe skenarët”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.