Kurti i lufton bizneset vendore, Mickoski paralajmëron Marrëveshje me Amerikën
2 qershor 2025 – Jo në të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor qeveria i kundërvihet biznesit e ndërmarrësisë.
Në kohën kur trefishimi i çmimit të rrymës rrezikon
prodhuesit vendor në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut po paralajmërohet nënshkrimi i një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas qëndrimit disaditor në Washington të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Timço Mucunski, kryeministri Hristijan Mickoski sot ka thënë se shenjat janë tejet të mbara për bashkëpunim mes dy vendeve.
“Përshtypjet janë veçanërisht të larta. Mund të them se Timço Mucunski është prej shtatë ministravë të jashtëm të parë nga Evropa që janë pritur në nivel bilateral nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Departamenti i Shtetit”, ka thënë Mickoski në paraqitjen për gazetarë
me rastin e një ngjarje të organizuar për 80-vjetorin e Zyrës Shtetërore të Statistikave në Maqedoninë e Veriut.
“Takimi ka zgjatur 45 minuta, gjatë të cilit është theksuar sërisht bashkëpunimi strategjik dhe rëndësia e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ka bashkëpunim së tepërmi të sinqertë deri më tani me administratën e presidentit Trump.”
Sipas kreut të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, pritjet janë tejet pozitive për një marrëveshje të mundshme me Washingtonin.
“Pritjet e mia janë pozitive, edhe si rezultat i takimit me zotin Greer, por edhe me bisedat e mia telefonike me Sekretarin e Shtetit për Ekonomi, zotin Howard Lutnick, ndaj pres që ne të jemi mes vendeve të para në botë që të bëjmë një lloj të tillë marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.
Në një afishim të bërë në llogarinë e tij në Facebook, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski ka bërë me dije se ai ka pasur edhe një takim në Washington me Jamison Greer, Përfaqësues i Tregtisë në administratën e re republikane.
Ndërkaq më 29 maj, siç qe njoftuar
nga Ministria e Punëve të Jashtme, Mucunski kishte pasur takim bilateral me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio.
Miliona dollarë investime nga ShBA
Në fakt, investime në vlerë prej qindra milionë dollarësh janë disa nga projektet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut iu ka hapur rrugë nëpërmjet afrimit të paprecedentë me administratën e re republikane në Shtëpinë e Bardhë.
Pos investimit prej gjysmë miliard dollarësh për parkun e erës, që do të jetë më i madhi në rajon, investimit nga kompania gjermano-belge ‘Epsotech Aim’, Maqedonia do t’i bëjë vend edhe investimit të kompanisë amerikane ‘Wabtec’.
Kjo kompani nga Pensilvania, e cila bën vend në mesin e 500 kompanive më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, do të investojë në krijimin e frenave për mjetet hekurudhore.
Këto investime dhe plot të tjera ishin përmendur gjatë vizitës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në Këshillin Atlantik në Washington në fund të shkurtit.
Mickoski, një nga liderët e vetëm në rajon që merr ftesa nga Washingtoni
Qysh prej verës së kaluar, kryeministri Mickoski ka shpeshtuar vizitat e tij në Shtetet e Bashkuara duke krijuar lidhje e njohje me kampin republikan.
Me 8 korrik të vitit të kaluar, ai kishte zhvilluar një darkë me Richard Grenellin, i cili nga administrata e re republikane u emërua emisar i posaçëm i presidentit për misione diplomatike në botë.
“Ekonomia, energjetika dhe sundimi i ligjit, tema për thellimin e bashkëpunimit”, kishte njoftuar asokohe Mickoski për këtë takim.
Në ceremoninë përuruese të presidentit të ri amerikan në Capitol Hill, të mbajtur me 20 janar, Mickoski kishte qenë i vetmi lider nga rajoni që kishte pranuar ftesë të drejtpëdrejtë për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje.
Në këtë vizitë katërditëshe, kryeministri maqedonas kishte pasur një agjendë të ngjeshur takimesh me republikanë të njohur dhe funksionarë të lartë në administratën e re në Shtëpinë e Bardhë.
Ai kishte pasur takime edhe me përfaqësues biznesesh e kompanish të njohura amerikane, gjatë të cilave ishte rrahur mundësia e investimeve në Maqedoninë e Veriut.
Kurtin nuk e do askush, përzuri investitorin e vetëm amerikan
Krejt ndryshe qëndron relacioni i Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Ironikisht, kryeministri në ikje Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e kaluara parlamentare në Maqedoninë e Veriut kishin kaluar në mbështetje të hapur për VMRO-DPMNE-në.
Por, derisa ‘ortaku’ i tij në Maqedoninë e Veriut është shndërruar në një nga partnerët më të besueshëm amerikan në rajon, Kurti as nuk bëhet hesap nga administrata e re.
Historia e katër viteve të kaluara, gjatë presidencës së Bidenit, ka shënuar përplasje jo të rralla konfliktuale.
I vetmi udhëtim i Kurtit në ShBA që mori njëfarë vëmendje qe ai i bërë në korrik të vitit 2022. Në takimin e bërë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, projektori i vëmendjes më fort pati rënë të Osmani sesa te Kurti.
Thuajse e padobishme, madje gati private, ishte cilësuar vizita e dytë e Kurtit në ShBA, në gusht të vitit të kaluar, kur ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të demokratëve në Çikago.
Në agjendën e tij nuk pati asnjë takim të rëndësishëm me ndonjë zyrtar në Washington, paçka se njoftimet nga Zyra e Kryeministrit promovonin takime të niveleve të ulëta me politikanë nga Vanuatu, Samoa, Andorra e Grenada.
Për sa u përket investimeve të huaja, Qeveria e Kurtit e kishte shkatërruar përfundimisht mundësinë e të vetmit investim të rëndësishëm amerikan, siç kishte qenë projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’ nga kompania amerikane ‘Contour Global’.
Shkëputja e kontratës ishte cilësuar si alamet arritje nga Kurti, megjithëse Qeveria e Kosovës u detyrua të paguante 21 milionë euro pasi Kosova humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023./NACIONALE/