Mickoski dyert hapë, Kurti nuk bëhet hesap
Si njerkë dhe nënë mund të përshkruhet qasja e Washingtonit dhe administratës së re republikane kundrejt vendeve të rajonit. Përderisa krerët e Kosovës ashiqare nuk po honepsen në Shtëpinë e Bardhë, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zotërit e shtëpisë i kanë bërë një mikpritje tejet dinjitoze. Përveç ftesës për të qenë i pranishëm në ceremoninë e përurimit të presidentit Trump, agjenda e tij e takimeve sy me sy ka pasur bashkëfolës njerëz si Richard Grenell, Michael Whatley e Dan Bonginon — që të gjithë miq e bashkëpuëntorë të ngushtë të Trumpit — ashtu sikurse edhe me Alexander Kasanofin dhe me biznesmë të njohur.
Col Mehmeti
Vetëm për katër ditë qëndrimi në ShBA, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, del praktikisht i pari në rajon për nga numri i takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë. Sebep i vizitës së tij në ShBA ishte ftesa personale që mori për të qenë pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të presidentit, Donald Trump, në Capitol Hill.
Nga e diela kur ka mbërritur në vendin nikoqir, Mickoski ka pasur një agjendë të ngjeshur takimesh me republikanë të njohur dhe funksionarë të lartë në administratën e re në Shtëpinë e Bardhë.
Të hënën, gjatë aktiviteteve të shumta gjatë dhe pas ceremonisë përuruese, ai fillimisht është takuar me kryesuesin e Komitetit Kombëtar Republikan, Michael Whatley.
Po këtë ditë, ai ka zhvilluar edhe një takim sy më sy me të sapoemëruarin e Trumpit për misione të posaçme në botë, Richard Grenell. Temë bosht e këtij takimi ishte kërkesa e kryeministrit maqedonas për thellim të bashkëpunimit në planin ekonomik.
Në kërkim të partneritetit strategjik
Kështu, Mickoski gjatë të martës takoi Alexander Kasanofin, i cili është zëvendësndihmës i Sekretarit për Ballkanin Perëndimor në Byronë për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike. Sipas njoftimit kryeministror, në këtë takim u prekën çështje strategjike me rëndësi për Maqedoninë, me theks të veçantë thellimi i mbështetjes nga ShBA.
Po të njëjtën ditë, në ceremoninë ‘Voices of Freedom’, të organizuar nga Trump Media dhe Rumble, ai është takuar me Dan Bonginon, i cili është njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit, Trump si dhe komentator i njohur në Amerikë.
Qëndrimi i gjertanishëm i Mickoskit ka kaluar edhe me takime profilesh të tjera. I tillë ka qenë edhe ai me Jesse Spiron, i cili është zyrtar përgjegjës për marrëdhëniet strategjike me qeveritë në kompaninë e kapitaleve digjitale dhe kriptomonedhave, Tether. Në fokus të takimit u përmendën investimet në tregun e kriptos në Maqedoni.
Çështja e investimeve potenciale është rrokur edhe në takimin tjetër të Mickoskit me biznesmenin amerikano-maqedonas, Andrew Pejkoff, i cili është themelues dhe drejtues i kompanisë Niagara Bottling.
Në vazhdën e takimeve të tilla, kryeministri i Maqedonisë së Veriut gjatë të enjtes është takuar me përfaqësues të familjes shqiptare Rusi, biznesmenë të njohur në Amerikë me prejardhje nga Dibra. Edhe në këtë takim, sipas njoftimit kryeministror, është biseduar për krijimin e mundësive për investime në Maqdoni.
Qeveria e Kosovës ende në bela me Grenellin
Në anën tjetër, vizita e fundit në New York e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, kaloi e vakët. Në një përgjigje për Nacionalen, kabineti i kryediplomates nuk ka zbardhur asnjë hollësi takimesh ose nëse ka pasur të tilla, duke thënë se “rreth takimeve zyrtare të zhvilluara atje nuk mund të flasim në këtë moment.”
Ndërkohë, janari ka qenë i ngrirë për marrëdhëniet e ftohta të Qeverisë Kurti me Washingtonin. Madje nuk kanë munguar as thumbat nga diplomati amerikan, Richard Grenell, që kritikoi një deklaratë të kreut të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili u ankua për qasjen e administratës amerikane gjatë Obamës dhe Bidenit karshi Kosovës.
“Ata shpenzuan katër vjet duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventa dhe festa të tyre. Pse nuk u ankuan më parë”, shkroi ai në një postim në llogarinë e tij zyrtare në platformën X.
Ndryshe, asnjërit nga krerëve të Kosovës nuk iu bë ndonjë ftesë për ceremoninë e së hënës, me përjashtim të ambasadorit në Washington DC, Ilir Dugolli. Por, kjo është në përputhje me praktikat e ceremonive ku marrin pjesë ambasadorët e akredituar. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin vetëm kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ish-presidenti, Behgjet Pacolli, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe biznesmeni Shkëlqim Devolli.
Katër vjet shpërfillje
Si anashshënim për marrëdhëniet e krerëve rajonalë është edhe fakti që kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e kaluara parlamentare në Maqedoninë e Veriut patën kaluar në mbështetje të hapur të VMRO-DPMNE-së. Dhe derisa ‘ortaku’ i tij në Maqedoninë e Veriut i ka dyert e hapura në Washington, Kurti nuk po bëhet hesap as nga administrata e re.
Historia e katër viteve të kaluara, gjatë presidencës së Bidenit, ka shënuar përplasje jo të rralla konfliktuale.
I vetmi udhëtim i Kurtit në ShBA që mori njëfarë vëmendje qe ai i bërë në korrik të vitit 2022. Në takimin e bërë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, projektori i vëmendjes më fort pati rënë të Osmani sesa te Kurti.
Thuajse e padobishme, madje gati private, ishte cilësuar vizita e dytë e Kurtit në ShBA, në gusht të vitit të kaluar, kur ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të demokratëve në Çikago.
Në agjendën e tij nuk pati asnjë takim të rëndësishëm me ndonjë zyrtar në Washington, paçka se njoftimet nga Zyra e Kryeministrit promovonin takime të niveleve të ulëta me politikanë nga Vanuatu, Samoa, Andorra e Grenada.