Mickoski sjell miliona dollarë investime nga Amerika, Kurti të ‘trashtë e surles’ - NACIONALE

Mickoski sjell miliona dollarë investime nga Amerika, Kurti të ‘trashtë e surles’

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Fill pas ardhjes në pushtet të Kurtit, Qeveria e tij e kishte përmbushur zotimin e vet se “Contour Global nuk do të vijë në shprehje”. Bëhet fjalë për një nga investimet më të mëdha që pritej të bëhej në Kosovë, në vlerë prej 1.2 miliardë eurosh, nga i cili do të përftohej një termocentral modern me kapacitet prej 500 megavatësh. Krejt ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në dy vizitat e tij në Washington, në janar dhe shkurt, ka arritur ta sjellë ‘Wabtec’, një nga kompanitë më të mëdha amerikane, që do të investojë 35 milionë euro për prodhimin e frenave për mjete hekurudhore. Përveç kësaj, kryeministri maqedonas është shndërruar në një nga liderët më të besuar në rajon që ftohet shpesh në Washington nga administrata e re republikane.

Col Mehmeti

Investime në vlerë prej qindra milionë dollarësh janë disa nga projektet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut iu ka hapur rrugë nëpërmjet afrimit të paprecedentë me administratën e re republikane në Shtëpinë e Bardhë.

Pos investimit prej gjysmë miliard dollarësh për parkun e erës, që do të jetë më i madhi në rajon, investimit nga kompania gjermano-belge ‘Epsotech Aim’, Maqedonia do t’i bëjë vend edhe investimit të kompanisë amerikane ‘Wabtec’.

Kjo kompani nga Pensilvania, e cila bën vend në mesin e 500 kompanive më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, do të investojë në krijimin e frenave për mjetet hekurudhore.

Këto investime dhe plot të tjera janë përmendur të enjten gjatë vizitës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në Këshillin Atlantik në Washington.

Mickoski: Energjetika, përparësia jonë kryesore

Në një intervistë para një audience amerikane, ai ka folur për marrëdhëniet me Greqinë dhe Bullgarinë si dhe për aspiratat për anëtarësim në BE.

Nga audienca me gazetarë, kryeministri i shtetit fqinj është pyetur, ndër të tjerash, se cilët janë tre sektorët kryesorë në të cilët Maqedonia e Veriut do të mund të përfitonte prej investitorëve amerikanë.

Sipas Mickoskit, fusha e energjisë përbën një nga prioritetet kyçe të qeverisë së tij, dhe, rrjedhimisht, edhe për investimet potenciale.

“Tregtia me elektricitet është prioritet meqë jemi të mirëlidhur me vendet eksportuese dhe importuese si një udhëkryq për korridorin energjetik”, ka thënë ai.

Pos ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10-D, kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ka folur edhe për ndërtimin dy hidrocentraleve të mëdha.

“Ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për shkak të prodhimit të elektricitetit. Unë besoj fort që ne duhet të lëmë një trashëgimi për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Mickoski.

Ndërkohë, si pjesë e vizitës së tij zyrtare në Washington, Mickoski do të marrë pjesë edhe në Konferencën vjetore të Veprimit Politik Konservativ.

Në të do të jenë të pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump si dhe politikanë nga Britania e Madhe, Italia, Polonia e Argjentina.

Mickoski, një nga liderët e vetëm në rajon që merr ftesa nga Washingtoni

Qysh prej verës së kaluar, kryeministri Mickoski ka shpeshtuar vizitat e tij në Shtetet e Bashkuara duke krijuar lidhje e njohje me kampin republikan.

Me 8 korrik të vitit të kaluar, ai kishte zhvilluar një darkë me Richard Grenellin, i cili nga administrata e re republikane sapo është emëruar emisar i posaçëm i presidentit për misione diplomatike në botë.

“Ekonomia, energjetika dhe sundimi i ligjit, tema për thellimin e bashkëpunimit”, kishte njoftuar asokohe Mickoski për këtë takim.

Në ceremoninë përuruese të presidentit të ri amerikan në Capitol Hill, të mbajtur me 20 janar, Mickoski kishte qenë i vetmi lider nga rajoni që kishte pranuar ftesë të drejtpëdrejtë për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje.

Në këtë vizitë katërditëshe, kryeministri maqedonas kishte pasur një agjendë të ngjeshur takimesh me republikanë të njohur dhe funksionarë të lartë në administratën e re në Shtëpinë e Bardhë.

Ai kishte pasur takime edhe me përfaqësues biznesesh e kompanish të njohura amerikane, gjatë të cilave ishte rrahur mundësia e investimeve në Maqedoninë e Veriut.

Kurtin nuk e do askush, përzuri investitorin e vetëm amerikan

Krejt ndryshe qëndron relacioni i Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

Ironikisht, kryeministri në ikje Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e kaluara parlamentare në Maqedoninë e Veriut kishin kaluar në mbështetje të hapur për VMRO-DPMNE-në.

Por, derisa ‘ortaku’ i tij në Maqedoninë e Veriut është shndërruar në një nga partnerët më të besueshëm amerikan në rajon, Kurti as nuk bëhet hesap nga administrata e re.

Historia e katër viteve të kaluara, gjatë presidencës së Bidenit, ka shënuar përplasje jo të rralla konfliktuale.

I vetmi udhëtim i Kurtit në ShBA që mori njëfarë vëmendje qe ai i bërë në korrik të vitit 2022. Në takimin e bërë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, projektori i vëmendjes më fort pati rënë të Osmani sesa te Kurti.

Thuajse e padobishme, madje gati private, ishte cilësuar vizita e dytë e Kurtit në ShBA, në gusht të vitit të kaluar, kur ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të demokratëve në Çikago.

Në agjendën e tij nuk pati asnjë takim të rëndësishëm me ndonjë zyrtar në Washington, paçka se njoftimet nga Zyra e Kryeministrit promovonin takime të niveleve të ulëta me politikanë nga Vanuatu, Samoa, Andorra e Grenada.

Për sa u përket investimeve të huaja, Qeveria e Kurtit e kishte shkatërruar përfundimisht mundësinë e të vetmit investim të rëndësishëm amerikan, siç kishte qenë projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’ nga kompania amerikane ‘Contour Global’.

Shkëputja e kontratës ishte cilësuar si alamet arritje nga Kurti, megjithëse Qeveria e Kosovës u detyrua të paguante 21 milionë euro pasi Kosova humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023.

Lajme të ngjashme