Kurti i harxhoi mbi 11 mijë euro në bileta për 6 muaj: Kryeministri “nuk prezantoi” shpenzime për dreka e darka
Udhëtimet e kryeministrit Albin Kurti në vitin 2022 ishin mjaft të shpeshta. Nacionale madje, në një artikull të publikuar më herët mes tjerash, e quante “Albini Airlines”. 84 ditë për 11 muaj, nga janari në nëntor (pa përfshirë dhjetorin), shefi i Qeverisë qëndroi jashtë vendit. Sa shpenzoi ai nëpër udhëtime për gjashtë muaj?
11 mijë e 554 euro. Kaq ka shpenzuar shefi i Qeverisë në vizitat e realizuara nga qershori në dhjetor.
Nacionale kishte dërguar kërkesën për qasje në dokumente zyrtare në adresë të Zyrës së Kryeministrit më pesë janar, dhe ka marrë përgjigje vetëm sot, më dhjetë shkurt 2023.
Pak detaje...
Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë detaje për secilën vizitë ndaras. Madje, përgjigja e tyre, siç mund të shiheni në dokumentin më poshtë, është tepër e shkurtër.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, shefi i Qeverisë përveç 11 mijë e 554 eurove të shpenzuara në bileta, ka harxhuar edhe 5 mijë e 337 të tjera në akomodim.
Kurti, siç ishte bërë e ditur edhe më herët, nuk i shfrytëzon meditjet. Megjithatë, më “misterioze”, mbetet pjesa ku flitet për shpenzimet në dreka e darka.
Zyra e Kryeministrit i ka thënë Nacionales se “Kryeministri nuk ka prezantuar shpenzime për dreka dhe darka në udhëtimet jashtë vendit”.

Kjo përgjigje, lë hapësirë për shumë interpretime, si: “A e ka paguar kryeministrit vetë ushqimin?”, “A nuk ka ngrënë fare ushqim?”.
Pra Zyra e Kryeministrit ka përdorur një gjuhë me dykuptimësi, duke mos e sqaruar se çka saktësisht nënkupton "mosprezantimi" për dreka e darka.
Pas gjithë kësaj, vlen të përmendet se Zyra e Kryeministrit kishte kërkuar afat shtesë sipas ligjit për dhënien e këtyre informacioneve.
Zakonisht, afati shtesë prej 15 ditësh shfrytëzohet në raste kur kërkohet një numër i madh i dokumenteve.
“Institucioni publik mund të vazhdojë afatin e përcaktuar nga paragrafi 1. i këtij neni për marrjen e vendimit për qasje në dokumente publike më së shumti edhe për pesëmbëdhjetë ditë shtesë, në qoftë se: 3.1. dokumenti duhet të kërkohet brenda një numri të madh të dokumenteve apo jashtë institucionit publik; ose 3.2. me një kërkesë kërkohen një numër i madh i dokumenteve publike, nga e njëjta palë.” – thotë neni 12 i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.
Pavarësisht kësaj shtyrje për 15 ditë, dokumenti i ofruar për Nacionalen përmban të dhëna tepër të kufizuara dhe pa përmbajtje të detajeve.

Ku shkoi Kurti nga qershori në nëntor?
Nacionale kishte raportuar më herët në lidhje me këto udhëtime, duke publikuar një përmbledhje të plotë të të gjitha vizitave të realizuara.
Në qeshor, Kurti kishte qnëdruar dy ditë në Britani, dhe dy të tjera në Bratisllavë. Në korrik më pas, ai kishte qëndruar në një vizitë të shumëkomentuar në Greqi, për nëntë ditë. Tri të tjera, ai kishte qnëdruar në Amerikë.
Shtatë ditë i kaloi në Bruksel gjatë muajit gusht, dhe dy të tjera, kryeministri qëndroi në një vizitë “sekrete” në Norvegji.
Në shtator, kryeministri Kurti ka vizituar Japoninë për tri ditë dhe një ditë, Shqipërinë.
Tri ditë të tjera ai qëndroi në Gjermani gjatë muajit tetor, dhe një, në Britani të Madhe.
Në nëntor, për dy ditë Kurti realizoi udhëtime për në Berlin, Paris, Vjenë, Shtutgart dhe Estoni.
Që nga fillimi i këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka realizuar dy vizita zyrtare, një në Austri dhe një në Turqi.


