Albini Airlines – Për 11 muaj, mbi 84 ditë jashtë Kosovës: Çka prodhuan këto vizita?
Ky artikull është publikuar para se Kurti të nisej për në Madrid, dhe ky udhëtim nuk është përfshirë
Është kritikuar shumë ish ministri Rifat Latifi për udhëtimet e shpeshta jashtë vendit gjatë kohës sa udhëhiqte dikasterin e shëndetësisë. Por, dikush që ka një detyrë edhe më të madhe në fakt del se udhëton edhe më shumë e e dhe më shpesh. Emrin e ka Albin dhe mbiemrin Kurti. Këto janë udhëtimet e tij jashtë shtetit, për të cilat dihet.
Muaji i parë i këtij viti ka qenë i vetmi muaj në të cilin kryeministri Kurti nuk ka udhëtuar dikah jashtë shtetit. Të gjithë muajt tjerë, deri me 18 nëntor, kryeministri s’ka lënë muaj pa udhëtuar jashtë shtetit.
Në disa prej tyre ka udhëtuar vetëm për ndonjë vizitë dy-ditore. Në disa të tjerë ia ka tepruar duke qëndruar nga dy javë. Fiks 84 ditë nga janari deri me 18 nëntor, ka qëndruar jashtë shtetit. Një mesatare e nxjerrë nga të gjitha udhëtimet publike del se kryeministri ka qëndruar jashtë vendit nga shtatë ditë në muaj. Për 11 muaj i bie që kryeministri vetëm tetë prej tyre ka qëndruar brenda vendit. Nja dy muaj e gjysmë i bie që ka qëndruar jashtë vendit. Por çka prodhuan këto vizita?
Janari - prit e përcjell
Në Gjakovë dhe Rahovec kanë qenë vizitat kryesore të kryeministrit në muajin e parë të vitit. Kryeministri ka pritur mysafirë sikurse emisari i BE-së për dialog, Lajçak, dhe të dërguarin e ShBA-së Escobar. Në përgjithësi kryeministri gjatë 31 ditëve të Janarit nuk mundi t’i hipte aeroplanit e as të bënte ndonjë vizitë jashtë shtetit. Megjithatë kur muaji më depresiv i vitit kaloi, dhe erdhi ai që njihet si muaji më i shkurtër, Kurtit nisi fluturimet.
Shkurt - 5 ditë jashtë shtetit, në Mynih dhe Londër
Kryeministri udhëtoi për në Mynih në një Konferencë vjetore të Sigurisë. Ishte data 20 shkurt. Kur shkoi në Mynih për tre ditë e shfrtyëzoi kohën për të takuar gati secilin lider që ishte atje i pranishëm. Por përtej llafeve dhe premtimeve për bashkëpunime, nuk pati diçka konkrete. Një ditë pa përfunduar muaji shkurt, me 27 Kurtit i doli edhe një udhëtim. Nja dy ditë i ra të qëndronte në Londër, ku po mbahej Samiti për Investime në Ballkanin Perëndimor. Jemi në nëntor dhe ende asgjë duket se s’ia kemi parë hairin këtij samiti.
Mars - dy ditë në Norvegji
Muaji i tretë i vitit, e gjeti botën të shokuar pasi Rusia kishte hyrë në javën e dytë të invazionit në Ukrainë, dhe kryeminsitri kosovar Albin Kurti ishte goxha i angazhuar në politikë të jashtme. Por asnjë vizitë e tillë jashtë vendit, nuk mundi ta realizonte deri me 28 mars kur u ftua në Norvegji për të vizituar zyrtarisht këtë vend. Atje u përball me kryeministrin norvegjez i cili i shprehu Kurtit zhgënjimin e tij për mosmbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit, dhe mbajti një ligjëratë në një Institut atje.
Prill, 6 ditë jashtë vendit / 3 në Greqi, 3 në Amerikë
Në prill, kryeministri e nisi me një vizitë tre-ditore në Forumin Ekonomik në Delfi të Greqisë. Atje qëndroi nga 7 prilli deri me 10 prill. Përpos që mori pjesë në një panel, takoi homologët nga Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, teksa dialogu me Serbinë nuk mungoi pasi u takua aty me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Asgjë më shumë. Udhëtimi tjetër në këtë muaj ishte ai në ShBA për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së shtetit, Madeline Albright. Kjo vizitë ishte komentuar për shkak se kishte ndodhur pas disa paralajmërimeve të Kurtit se do të shkonte për gjatë në një vizitë në Amerikë.
“Ra ky mort, e u pamë!” – ironizonin pro-amerikanët e Kosovës për Kurtin në Amerikë.
Maj -24 ditë jashtë vendit - 2 ditë në Berlin, 18 në Amerikë dhe nja 4 në Zvicër
Pas një viti qeverisje, kryeministri Kurti më në fund ka realizuar vizitën më të përfolur, atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por para se të nisej për Amerikë, Kurti qysh me 4 maj u ftua në Berlin. Aty u prit nga kancelari i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz i cili gjithashtu priti të njëjtën ditë edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Kurti me Vuçiqin e Lajçakun do ta hanin edhe një darkë bashkë.
Por menjëherë pas Gjermanisë, Kurti vazhdoi në vizitën më të gjatë në historinë e vizitave të kryeministrave kosovarë në ndonjë vend jashtë shtetit. Kurti me 6 maj u nis për Amerikë ku qëndroi përplot 18 ditë. Në Amerikë ai takoi gati gjithkënd. Për më shumë lexoni këtë shkrim të Nacionales. Por as pas 18 ditëve Kurti nuk u kthye në Kosovë. Ai vazhdoi pas Amerikës direkt në Zvicër. Nga data 22 maj deri me 26 maj qëndroi tek “World Economic Forum”. Kur u kthye në Kosovë muaji vetëm kishte përfunduar.
Qershor - 2 ditë në Britani 2 ditë në Bratisllavë
Qershori ishte më i qetë sa i përket udhëtimeve të kryeministrit jashtë vendit. Në fillim të muajit megjithatë bëri një vizitë të shkurtër dyditore në Britani të Madhe. Ai u takua me Lis Truss që atë kohë ishte sekretare britanike për Punë të Jashtme, teksa jashtë takimeve zyrtare, Kurti mbajti një ligjëratë të hapur në Oxford Union dhe në Universitetin e Cambridge. Në Qershor megjithatë priti një vizitë të rëndësishme nga kancelari gjerman që qëndroi dy ditë në Prishtinë. Gjatë qershorit Kurti shkoi edhe në Sllovaki. Qëndroi dy ditë ndërsa takimi më i rëndësishëm ishe ai me ministren e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen.
12 ditë Korrik - 9 ditë në Greqi 3 në Amerikë
Kryeministri nisi korrikun me një vizitë zyrtare dhe paksa për qejfi në Greqi. Me 5 korrik u nis në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e paneleve të diskutimit. U kthye në Kosovë me 13 korrik i rrezitur nga pushimet, teksa me 27 korrik udhëtoi drejt Amerikës me arsytimin se do të nënshkruhej një marrëveshje e madhe me MCC-në. Ajo u nënshkrua nga minsitrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli teksa Kurti me Presidenten Osmani u takuan me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
8 ditë Gusht - 7 ditë në Bruksel dhe 2 ditë sekret në Norvegji
Me 17 gusht kryeministri do të udhëtonte drejt Brukselit për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, por ai nuk u kthye në Kosovë deri me 24 gusht. Edhe pse zyrtarë të lartë amerikan ishin në Kosovë, Kurti nuk u kthye nga Brukseli por nga Norvegjia. Atje kishte shkuar privatisht. Nacionale kishte zbuluar këtë gjë përmes një video, ku shihej Kurti në aeroportin e Oslos.
Kurti mund të ketë udhëtuar shumë më shpesh në Mbretërinë e Norvegjisë pasi për këto vizita nuk njofton popullin.
Shtator - 3 ditë në Japoni, 1 ditë në Shqipëri
Kurti udhëtoi në Japoni me 26 shtator, dhe qëndroi atje për tre ditë. Edhe pse shkoi për një ceremoni varrimi, atje takOi edhe homologun e tij, Fumio Kishida të cilin e ka ftuar ta vizitojë Kosovën. Ndërsa para kësaj, Kurti shkoi në mënyrë të papritur në Shqipëri, për ta takuar kryeministrin Edi Rama në Tiranë.
Tetor - 3 ditë në Gjermani, 1 në Britani
Me 14 tetor Kryeministri udhëtoi drejt Gjermanisë, për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë, PES Congress 2022. Qëndëroi nja 3 ditë atje teksa në fund të Tetorit, iku papritmas për në Mbretëri të Bashkuar.
Nëntor 2 ditë në Berlin, Paris, Vjenë, Shtutgart dhe Estoni
Nëntori e gjeti kryeministrin në Britani, teksa dita e dytë e këtij muaji në Berlin të Gjermanisë për të marrë pjesë në Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Me 10 nëntor pastaj udhëtoi në Paris, ku mori pjesë në Forumin e Paqes dhe takoi presidentin francez Emanuel Macron. Tri ditë më vonë udhëtoi drejt Austrisë, për Forumin Ekonomik të Vjenës. Teksa menjëherë me 15 nëntor Kurti shkoi Stuttgart të Gjermanisë për një qëndrim dy ditor. Kur u kthye, pushoi vetëm një ditë, dhe menjëherë me 18 nëntor u nis për në Estoni.

