Votuan kundër trustit, por deputetët e VV-së morën mëditje të majme për udhëtimet zyrtare
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që votuan kundër trustit, nuk kanë refuzuar edhe mëditjeve për udhëtimet zyrtare jashtë vendit.
Në udhëtime zyrtare nëpër vende të ndryshme të botës, deputetët e partisë më të madhe në vend kanë marrë shuma të majme të parave si mëditje, të cilat iu takojnë me ligj.
Gjatë vitit 2021 dhe gjatë vitit 2022 (janar-shtator) ata kanë marrë 50 mijë e 489 euro mëditje për udhëtime zyrtare. Në këtë shumë përfshihen edhe akomodimi dhe shpenzime tjera gjatë vizitave jashtë vendit.
Pjesën më të madhe të këtyre para ata i kanë marrë gjatë vitit që e lamë pas.
Në shpenzimet që i ka siguruar gazeta Nacionale, vetëm në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar deputetët e VV-së për mëditje, akomodim dhe shpenzime tjera gjatë vizitave zyrtare kanë shpenzuar 35 e 955 euro.
Ndërsa në vitin 2021, sipas dokumentit, deputetët e LV-së kishin marrë 14 mijë e 535 euro mëditje për udhëtime zyrtare, akomodim dhe shpenzime tjera gjatë vizitave jashtë vendit.
Deputetët që më së shumti kishin udhëtuar gjatë vitit 2021 kanë qenë nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, Saranda Bogujevci, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Mëditje për udhëtimet jashtë vendit gjatë dy viteve të para të kësaj legjislature kanë marrë edhe deputetët e partive tjera, por jo aq sa deputetët e VV-së.
Gjatë vitit 2021 deputetët e të gjitha partive kanë shpenzuar mbi 25 mije euro për mëditje dhe akomodim jashtë vendit.
Kurse, vetëm nga janari deri në muajin shtator të vitit kaluar deputetët e të gjitha partive politike kanë shpenzuar 84 mije e 704 euro mëditje dhe akomodim.
Në dokumentin më poshtë, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, gjeni të gjitha shpenzimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që i kanë shpenzuar për mëditje dhe akomodim gjatë vizitave zyrtare.
KQZ-ja ndan 2 milionë euro për VV-në
Në ditën që deputetët e VV-së nuk e votuan trustin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë mjetet financiare për subjektet politike për periudhën 1 janar–31 dhjetor. Sipas njoftimit, Lëvizja Vetëvendosje do të marrë afër dy milionë euro nga fondi për mbështetje. Vendimi kishte ardhur në ditën kur ky subjekt parlamentar, i tha "JO" tërheqjes së mjeteve nga Trusti, si ndihmë për qytetarët gjatë krizës ekonomike.
KQZ përmes një komunikate për media ka thënë se 4 milionë e 200 mijë euro janë ndarë për financimin e subjekteve politike dhe mbështetjen e punës së deputetëve.
Partia që ka përfituar më së shumti është Lëvizja Vetëvendosje, për të cilën janë ndarë 1 milionë e 827 mijë euro. 230 mijë euro të tjera, janë ndarë për shpenzime të deputetëve.
Partia Demokratike e Kosovës do të marrë 598 mijë e 5000 euro, ndërsa 66 mijë e 500 euro për shpenzime të deputetëve.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës nga ky fond do t’i ketë 472 mijë e 500 euro, ku 52 mijë e 500 janë për deputetë.
Subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka përfituar 252 mijë euro, ndërsa 28 mijë shkojnë për shpenzime të deputetëve.
Trusti nuk kalon
Shumë shpesh u bë thirrje nga deputetë të ndryshëm për një reflektim mbi-partiak, por palët mbetën të ngujuara në pozicionet e tyre partiake. Pavarësisht debateve të shumta, seanca e djeshme e Kuvendin nuk dolli ndonjë rezultat.
Nisma qytetare e nënshkruar nga më shumë se 21 mijë qytetarë të vendit u mbështet vetëm nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja.
Artikulimin më të mirë për këtë çështje e bëri ish-kryeministri Avdullah Hoti, që tregoi për krizat nëpër të cilat vazhdonin të kalonin qytetarët e vendit.
“Prandaj, me gjithë këto kriza dhe kur mbështetja e qeverisë mungon, është e natyrshme që opozita të propozojë masa siç është tërheqja e kursimeve pensionale nga Trusti. Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike dhe sociale. Por, në mungesë të masave substanciale nga Qeveria, është zgjidhja e vetme”, kishte thënë Hoti.
Kurse, deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se tërheqja e mjeteve nuk do ta luftojë inflacionin.
“Në propozim ekziston një justifikim dhe thuhet që ky projektligj ta luftojë inflacionin dhe rritjen e çmimeve duke mos e ditur se janë e njëjta gjë. Ky kuvend e ka dhënë verdiktin më 2022. Nga BQK-ja guvernatori vlerëson se tërheqja nuk ndihmon në luftimin e inflacionit, përkundrazi e përkeqëson. FMN dhe banka botërore janë kundër. Kur bëhen propozime të tilla, paraprihet me një fushatë për gjendje të rëndë ekonomike por që nuk mbështetet me të dhëna”, ka thënë Muja.
Në fund, më shumicë votash i rrezua projektligji, i cili ishte sjell në kuvend nga opozita. Kundështimi i këtij projektligji nga VV-ja është konias argumentet e Hotit dhe as të opozitareve tjerë nuk u dëgjuan nga deputetët e partisë në pushtet.

