NUK KALON: ‘I truset’ popullit, s’i jepet Trust-i
Partia në pushtet nuk i ka dhënë dritën e gjelbër nismës qytetare për tërheqjen e kontributeve pensionale nga TRUST-i, as pas një diskutimi të gjatë në Kuvendin e Kosovës.
Shumë shpesh u bë thirrje nga deputetë të ndryshëm për një reflektim mbi-partiak, por palët mbetën të ngujuara në pozicionet e tyre partiake (me fare pak përjashtime).
Nisma qytetare e nënshkruar nga më shumë se 21 mijë qytetarë të vendit u mbështet nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja por u kundërshtua fuqishëm nga Vetëvendosja.
Artikulimin më të mirë për këtë çështje e bëri ish-kryeministri Avdullah Hoti, që tregoi për krizat nëpër të cilat vazhdonin të kalonin qytetarët e vendit: kriza e energjisë, kriza nga rritja e çmimit të naftës, kriza nga rritja e çmimeve të mallrave të konsumit, kriza nga rënia e investimeve kapitale, rritja e bilancit bankar të Qeverisë, kriza me... qeverisjen dy-vjeçare të Kurtit (me fjalë tjera, Kurti është vet Kriza).

Hoti në fjalën e tij tregoi se kjo nuk ishte masa më e mirë e mundshme për të ndihmuar qytetarët e vendit por... meqë Qeveria s’ka bërë asgjë, atëherë duhej të bëhej diçka.
Tre liderët e partive opozitare nuk folën për këtë çështje, ndërsa dy të parët mbajtën fjalime vetëm në fillim të seancës por duke folur për pika jashtë rendit të ditës (Abdixhiku për veriun ndërsa Krasniqi për Martin Berishajn).
Deputetët ‘shkarravitës’
Përveç që vuri në dukje vijat e forta partiake, seanca e sotme për TRUST-in shpalosi edhe ato që kushtimisht po i quajmë ‘shkarravina’ partiake – pra vijëza që nuk dihet saktë se kah janë.
Eman Rrahmani, deputet i Vetëvendosjes, si zakonisht nuk pati guxim të mjaftueshëm që të kundërshtonte plotësisht partinë e tij por as që të pajtohej plotësisht me palën tjetër. Ai dha një zgjidhje të ndërmjetme: të lejohej tërheqja e kontributeve pensionale për personat me probleme shëndetësore.
Haki Abazi, një tjetër deputet që ka shfaqur pakënaqësi abstrakte me Kurtin, e mbështeti këtë iniciativë të Rrahmanit. Por, as ai nuk mund të kalonte përtej vijave partiake ose të paktën të rrinte brenda vijave partiake - veprim i zakontë prej tij.
Për ironi, pikërisht sot Komisioni Qendror Zgjedhor nëmbledhje mori vendim që t’ju ndante paratë subjekteve politike për vitin 2023. Vetëvendosje si parti në pushtet do t’i marrë 2 milionë e 30 mijë euro. PDK 665 mijë euro, LDK 525 mijë, Lista Serbe 315 mijë e kështu me radhë.
Votimi
Deputeti Bekim Haxhiu iu bëri thirrje disa herë që të gjithë të votonin pro kësaj kërkese duke treguar rëndësinë që kishte konsensusi dhe uniteti.
Megjithëse të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin 101 deputetë, nisma në fjalë nuk i kishte votat e mjaftueshme për të kaluar shkaku që deputetët e partisë në pushtet ishin gati të gjithë kundër.
Në bazë të njoftimit të kryekuvendarit Glauk Konjufca, 55 vota ishin kundër dhe vetëm 42 ishin pro.
