Kurti e lë në terr Kuvendin për dialogun me Serbinë, s’ka raportime para deputetëve - NACIONALE

Kurti e lë në terr Kuvendin për dialogun me Serbinë, s’ka raportime para deputetëve

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Kuvendi i Kosovës ka filluar sesionin vjeshtor të punimeve. Deri me tani ka mbajtur dy seanca, por në asnjërën prej tyre nuk është diskutuar për procesin e dialogut me Serbinë. Nga fundi i muajit gusht, procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka filluar të intensifikohet, ndërsa Kuvendi i Kosovës ende nuk ka pranuar ndonjë informatë zyrtare për këtë proces.

Qeveria ka zgjedhur heshtjen në raport me Kuvendin, duke mos i ofruar asnjë detaj për fazën e re të procesit të dialogut.

Ka kaluar një muaj kur kryeministrit Albin Kurti ka zhvilluar një takim pesë orësh me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, dhe nuk ka raportuar në Kuvend. Në organin më të lartë legjislativ, i pari i Qeverisë nuk ka folur as për takimet me këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Kjo ka nxitur kritika të ashpra ndaj kryeministrit, i cili sa ishte në opozitë vazhdimisht deklaronte se Kuvendi duhet të jetë institucioni kryesor në dialogun me Serbinë.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë thënë se qeveria Kurti ka bërë hapa mbrapa sa i përket transparencës.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka injoruar komplet Kuvendin në këtë proces, duke raportuar vetëm një herë.

Kryeministri Kurti ka bërë një hap prapa krahasuar me qeveritë pararendëse, sa i përket transparencës së takimeve, publikimit të platformës apo strategjisë për procesin e dialogut. Kjo përbën veprim në kundërshtim të plotë me veprimet dhe kërkesat e vetë kryeministrit dhe partisë së tij, para ardhjes në pushtet. Për më tepër, kryeministri Kurti ka vazhduar të injorojë Kuvendin si institucioni më i lartë mbikëqyrës – duke raportuar me vetiniciativë para të zgjedhurve të popullit vetëm një herë, dhe atë në qershor të vitit të kaluar”, ka thënë Kryeziu në një intervistë për gazetën Nacionale.

Ai ka thënë se shefi i ekzekutivit duhet t’i mbajë premtimet që i ka dhënë si opozitar, që thirrej vazhdimisht në transparencë.

Nga një udhëheqës opozitar, që premtonte hapjen e një dialogu të brendshëm me komunitetin serb, ai po përfundon në një kryeministër që ka mbyllur dialogun edhe me qytetarët shqiptarë. Diskutimet apo informimin e publikut për dialogun, kryeministri e ka bartur tek vartësit e tij, kurse komunikimin me opozitën – si aktorë të rëndësishëm në arritjen e një konsensusi politik – po e zhvillon nëpërmjet emisarëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Opinioni në terr informativ për dialogun

Njohësi i rrethanave politike, Afrim Kasolli, ka bërë me dije se Qeveria e ka përjashtuar Kuvendin nga ky proces.

Ai ka vlerësuar se opinionin publik është në terr informativ për këtë proces.

Opinioni vazhdon të jetë i painformuar dhe në një terr të plotë se çka po ndodhë prapa perdeve. Trajtimi i këtillë i dialogut ku mund të vendosjet për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si çështje e mbyllur e salloneve dhe aranzhimeve sekrete diplomatike, nuk është konform parimeve demokratike. Është përjashtim i sovranit nga procesi më i rëndësishëm politik në vend. Sepse ky i fundit në demokraci nuk guxon të konsiderohet si një masë që ka të drejtë të vendos për ardhmen e tij vetëm në zgjedhje. Por është angazhim i përditshëm i tij”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, nëse Kuvendi nuk përfshihet në këtë proces, dialogu i Brukselit edhe mund të dështojë. “Dhe shndërrim në çështje teknike e një teme të pastër politike. Çdo suspendim i demokracisë nga historia është i destinuar të dështojë herët e apo vonë. Dhe si i tillë kushtëzohet nga një mentalitet anakronik sipas të cilit vetëm njerëzit e zgjedhur kanë pronësi mbi historinë, popullin dhe të ardhmen e tij, sepse e vërteta historike fletë nëpërmjet tyre”, ka vlerësuar Kasolli.

Edhe drejtorit Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë se Kuvendi duhet të përshihet në këtë proces.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Kuvendi duhet të jetë vendi ku duhet të informohet në të gjithë për këtë proces. “Mendoj që Kuvendi i Republikës duhet të jetë platforma institucionale e debatit për dialogun si dhe e përfshirjes së partive opozitare në të. Në këtë mënyrë edhe qytetarët e Republikës do të kenë mundësi që të informohen për atë se çfarë po ndodh”, ka thënë Ymeri.

Pas takimit me presidentin serb në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka folur vetëm një herë para ministrave për këtë takim.

Gjithashtu, për këtë takim ai ka njoftuar liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Një takim të tillë e kishte refuzuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Lajme të ngjashme