Nga takimi te marrëveshja, çka pritet tash nga dialogu Kosovë-Serbi - NACIONALE

Nga takimi te marrëveshja, çka pritet tash nga dialogu Kosovë-Serbi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve. Krerët në Kosovë thanë se reciprociteti është thelbi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ndërkaq zyrtarët serbë nënvizuan se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Çka pritet tash nga dialogu?

Sipas paralajmërimit të të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tema e ardhshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe, të cilën temë e kundërshtonte ashpër kryeministri i tanishëm, Albin Kurti.

Kohë më parë, dy modele tanimë ekzistuese janë përmendur si platformë mbi të cilën mund të zbatohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Tiroli Jugor i Italisë dhe Belgjika Lindore janë theksuar nga diplomatë të ndryshëm si modele të mundshme.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon kishte thënë se Tirolin Jugor e sheh si opsion që do mund t’i zgjidhë problemet midis Kosovës dhe Serbisë.

Çka nënkupton marrëveshja për dokumentet?

Kosova, më 1 gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës. Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria në Prishtinë, shtyu vendimin për 1 shtator. Ndërkaq, për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Deri te marrëveshje për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.

Borrell tha se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë. Serbët e Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët, do të mund të lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo ka marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë çështje", tha ai përmes një postimi në Twitter.

Sipas Borrell kjo ishte një zgjidhje evropiane.

Më pas, përmes një video-mesazhi, Borrell tha se kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve të të dyja shteteve.

"Dua të falënderoj të dy liderët që e arritën marrëveshjen, dhe në veçanti presidentin Vuçiq që ka treguar përgjegjësi për lidership", tha ai.

Borrell falënderoi edhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhe shtoi se puna për lirinë e lëvizjes ende "nuk ka përfunduar".

"Ka ende probleme të pazgjidhur. Pres nga dy liderët që të vazhdojnë të tregojnë pragmatizëm dhe konstruktivitet në mënyrë që të zgjidhet problemi i targave. E kam thënë disa herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që po përballen evropianët, ne në Evropë nuk na duhen probleme të tjera, nuk na duhen më tensione. Na duhen zgjidhje. Na duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor dhe sot kemi arritur një zgjidhje, por ka ende probleme të pazgjidhura dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i zgjidhur ato", tha ai.

Çka thanë liderët kosovarë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me marrëveshjen e arritur do të mundësohet që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të mund të kalojnë “pa pengesa” pikëkalimet kufitare midis dy shteteve.

“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti falënderoi zyrtarët e BE-së, Borrell e Lajçak, por edhe emisarin amerikan, Escobar dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier për angazhimin dhe kontributin e dhënë për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Osmani falënderon SHBA-në dhe BE-në për mbështetjen në arritjen e marrëveshjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar SHBA-në dhe BE-në për mbështetjen e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke shtuar reciprociteti nënkupton barazi.

“Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet”, shkroi ajo në Facebook.

Osmani shtoi se Kosova do të vazhdojë angazhimin e saj “drejt njohjes reciproke”.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Kosova është e interesuar që të promovojë lirinë e lëvizjes “për të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Ne kemi shprehur vazhdimisht vullnetin tonë që të mos kemi fare këtë lloj dokumenti, as nga ne dhe as nga autoritetet serbe për sa kohë që kjo bazohet në një raport të drejtë mes dy shtetesh”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ndërkaq, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, falënderoi të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“E falënderoj emisarin Escobar dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi ai në Twitter.

Gjatë kësaj jave, Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me liderët shtetërorë dhe partiakë për çështjen e dokumenteve dhe targave. Ata thanë se palët duhet të zotohen se do të shmangin dhunën më 1 shtator.

Lajme të ngjashme