“Asociacioni – tema e radhës në agjendë”, cilat janë modelet evropiane që i përmend Escobar? - NACIONALE

“Asociacioni – tema e radhës në agjendë”, cilat janë modelet evropiane që i përmend Escobar?

4 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Një marrëveshje për dokumentet e identifikimit është arritur mes Kosovës dhe Serbisë, duke pranuar letërnjoftimet e njëra-tjetrës. Ndërsa për targa ende nuk ka ndonjë marrëveshje, ndonëse është një pikë kundërthënëse mes dy vendeve. Asociacioni është paralajmëruar të jetë temë e dikustimit në takimet e ardhshme dialoguese, teksa analistët inkurajojnë Qeverinë Kurti të gjejë një model të pranueshëm nga Kosova.

Sipas paralajmërimit të të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tema e ardhshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe, të cilën temë e kundërshtonte ashpër kryeministri i tanishëm, Albin Kurti.

Ai tha se tema e Asociacionit do të jetë e radhës, duke përmendur faktin se zbatimin e kësaj marrëveshje e ka kërkuar edhe sekretari amerikan, Anthoni Blinken në takimin me kryeminstrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Analistët thonë se Asociacioni do të jetë një model specifik, duke inkurajuar Qeverinë Kurti të gjejë një model të zbatueshëm në praktikë.

“Model sui-generis”

Profesori unversitar, Robert Muharremi në një përgjigje për gazeten Nacionale tha që është e pamundur që modeli një vendi tjetër të kopjohet dhe të zbatohet në rastin e Kosovës.

“Secili model pasqyron rrethanat specifike të një vendi dhe është vështirë, për mos thënë, e pamundur që modeli i një vendi të kopjohet dhe të zbatohët në rastin e Kosovës”, deklaroi ai.

Muharremi theksoi se Kosova duhet të gjej modelin e saj origjinal.

“Kosova duhet të gjejë modelin e vet, i cili i pasqyron rrethanat specifike të saj. Duhet të jetë një model origjinal sepse modele copy-paste nuk funksionojnë. Natyrisht që modelet e vendeve të tjere mund të merren parasysh si pika orientimi. Mirëpo zgidhja duhet të kërkohet në rendin kushtetues të Kosovës dhe marrëveshjes së ratifikuar nga Kosova. Aty kërkohet kreativitet dhe guxim, dhe jo ngurrtësi dhe mungesë fleksibiliteti”, deklaroi Muharremi për gazeten Nacionale.

Edhe analisti i njohur, Visar Ymeri mendon se nuk ka nje model i cili do të mund të zbatohej në tërësi në rastin e Kosovës.

Por, ai zbërthen edhe deklaratat e diplomatëve rreth mundësisë së një modeli evropian të asociacionit.

“Nuk mendoj që ka një model i cili në tërësi do të ishte i zbatueshëm te ne për shkak të veçorive historike e politike në të cilat jetojmë. Megjithatë mendoj që kur diplomatët i referohen modeleve evropiane, më shumë ka gjasë që elemente të caktuara të tyre të zbatohen në Kosovë për të krijuar kështu siguri te institucionet e Kosovës se Asociacioni nuk do të jetë Republika Srpska, dhe në anën tjetër për të krijuar po ashtu siguri te serbët e Kosovës se Asociacioni nuk është një OJQ e cila nuk do të jetë në gjendje t’ua mbrojë atyre interesat dhe të drejtat”, tha Ymeri për gazeten Nacionale.

Dy modele të përmendura

Kohë më parë, dy modele tanimë ekzistuese janë përmendur si platformë mbi të cilën mund të zbatohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Tiroli Jugor i Italisë dhe Belgjika Lindore janë theksuar nga diplomatë të ndryshëm si modele të mundshme.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon kishte thënë se Tirolin Jugor e sheh si opsion që do mund t’i zgjidhë problemet midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që propozohet në atë dokument [non-paper] duket si statusi i Tirolit Jugor në Itali që zgjidhi problemet bilatarele mes Italisë dhe Austrisë. Mund të jetë një model i suksesshëm, por duhet të jetë i personalizuar duke marrë specifikat e situatës në Kosovë. Të presim e të shohim, por unë i ftoj diplomacitë evropiane të rrisin shkallën e koordinimit për të evituar çdo keqkuptim”, ka deklaruar kohë më parë Von Cramon.

Ndërkaq, Visar Ymeri mendon që një model ku do të mund të bazohej Kosova do të ishte ai i komunitetit gjermanofolës në Belgjikën Lindore.

“Një prej modeleve është ai i komunitetit gjermanofolës në Belgjikë, në llojin e kompetencave që ata gëzojnë e që shtrihen deri te planifkimi rajonal. Komuniteti gjermano folës në Belgjikë gëzon autonomi të theksuar: e kanë qeverinë e tyre, që mandatohet nga parlamenti i tyre, e që udhëhiqet nga një Ministër-President që shërben si kryeministër dhe i kanë 4 ministra – për qeverisje lokale, për kulturë, media dhe turizëm, për arsim, dhe për shëndetësi e çështje sociale, planifikim rajonal dhe strehim”, tha Ymeri.

Paralajmërimi amerikan

Kujtojmë që Kurti në takimin e 18 gushtit ështe pajtuar që të takohet çdo muaj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku në agjenden e takimit të radhës, sipas paralajmërimeve publike të amerikanit Escobar, do të jëtë Asociacioni.

Dje diplomati amerikan theksoi se kërkesva e vetme është që Asociacioni të jetë tema e radhës në agjendën e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne nuk vendosim afate. Kërkesa e vetme, nëse mund ta quani kështu, është që ajo duhet të jetë e radhës në agjendë”, tha ai në një intervistë.

Sipas tij, Asociacioni është një obligim ekzistues që është nënshkruar në marrëveshje dhe duhet të zbatohet.

“Pra, ne do të duhet të flasim për atë komunitet dhe se si do ta zbatojmë atë. Ky është një obligim ekzistues, është nënshkruar në marrëveshje dhe tashmë ajo marrëveshje ka kaluar nëpër procese të ndryshme në qeverinë e Kosovës dhe është konfirmuar. Në takimin e Sekretarit të Shtetit, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, zoti Blinken tha se duhet të zbatohet, për të cilën jemi pajtuar”, tha Escobar.

Arritjen e marrëveshjes për letërnjoftime e ka përshendetur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke theksuar se liria e lëvizjes është themel i vendeve demokratike.

Lajme të ngjashme