“Tepër shumë, tepër herët”: Qe qysh Kurti e pati rrëzuar propozimin e Osmanit për “zbatim të njëanshëm” të Marrëveshjes Bazike
Tash e tre muaj lavjerrës që oscillon mes dy qëndrimeve të kahjeve të kundëra: (Një) Kosova s’e ka asnjë obligim ndaj Marrëvshjes së Ohrit dhe (Dy) Kosova ta zbatojë njëanshëm karshi garancive të sigurisë dhe integrimeve ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, veçse i ka shtuar konfuzionit edhe ashtu të madh rreth Marrëveshjes Bazike/Ohrit për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë: traktat ky i gdhendur për obligim të pakapërcyeshëm në integrimet euro-atlantike.
Kërkoi sërish – si para tre muajsh – që të adoptohet strategjia e viteve të para-pavarësisë ku vendi heq Serbinë nga ekuacioni si në zbatimin e Planit të Ahtisaarit që çoi në pavarësimin e vendit.
“Është qëndrimi vetëm i imi”, u kujdes të saktësojë ajo në një intervistë për “Kosovapress” duke e ditur qëndrimi diametralisht të kundërt të kryeministrit kosovar, Albin Kurti.
“E kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008 që do të thotë se atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”, deklaroi Osmani.
E këso zbatimi të njëanshëm, sipas Osmanit, vendi do të mund ta bënte në konjuksion me garanci të sigurisë, përkrahjes ndërkombëtare, njohejve të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Njëjtë ishte shprehur para tre muajsh në Zërin e Amerikës kur për çështjen e Asociacionit – ku ka ngecur i gjithë procesi, sipas QUINT-it – kur shprehej se me draft-Statutin “do të mund të ecej” në qoftë se vendi ka garancitë e kërkuara.
Por, parnterët – pati lënë të kuptohej ajo – nuk ia kanë dhënë vendit ato.
“Deri më tani kanë qenë vetëm sikur ‘do të përpiqemi, do ta shohim, ndoshta’”, qe shprehur ajo.
“Megjithatë ne e kemi dhënë premtimin, dhe Kosova është shtet serioz; kur ndërmerr një detyrim ndërkombëtar duhet ta zbatojë atë. Por zbatimi i Asociacionit është përmes një procesi, dhe ajo është marrëveshja”, pati vazhduar ajo.
Zbatimi i “njëanshëm”, hedhja e poshtë nga Kurti
Gjashtë muaj më parë Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, do të lëshohej në vlerësime për zbatimin e njëanshëm të Planit të Ahtisaarit – siç propozon tash Osmani për Marrëveshjen Bazike – duke kritikuar politikanët e asaj kohe se pse e zbatuan ashtu siç e zbatuan.
Këtë e kishte bërë në një intervistë te Ditmir Bushati, ku zbatimin e Planin e Ahtisaarit – që çoi në shpallje të pavarësisë së Kosovës dhe njohje të më shumë se gjysmës së botës – e shihte të para-kohshëm.
“Është dhënë tepër shumë, tepër herët...(zbatimi i Ahtisaarit) ka qenë mundur të afatizohet”, pati thënë Kurti në atë intervistë, duke e lidhur me qasjen e tij të tanishme karshi Marrëveshjes Bazike/Ohrit.
Vija kryesore e kritikës ishte: Kosova zbatoi të gjitha, Serbia kurrgjë.
“Njësoj ka qenë edhe rasti i shpalljes së pavarësisë. Unë edhe sot e kësaj dite besoj se gjatë bisedimeve të Vjenës kemi dhënë tepër shumë tepër herët. Nuk ka qenë e nevojshme të bëhen gjithë ato koncesione para shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.
“Unë besoj që koncesione të caktuara, të cilat, unë s’kam qenë brenda, mund të kenë qenë të nevojshme, mirëpo ka qenë e mundur të afatizohen. Dhe, në anën tjetër, gjithashtu ka qenë e mundur të lihen për më vonë me rastin e plotësimit të ndonjë kushti nga Serbia”, pati thënë Kurti.
“Serbia i mori të gjitha koncesionet përmbajtësisht dhe nuk e pranoi paketën formalisht. Dhe vazhdoi të sabotojë neve dhe sot e kësaj dite. Unë kam një lloj prirje të këtillë që të kërkoj më shumë, më mirë, më shpejt”, pati thënë mes tjerash Albin Kurti.
Kurti sot, në raport me Marrëveshjen Bazike, e jep të ketë hartuar tri kushte ndaj Serbisë: Nënshkrimi formal/bilateral, tërheqja e një letreje të Ana Brnabiq dhe ekstradimin e Milan Radojçiq.