Kurti dikur e quante Dua Lipën diplomaten më të mirë të Kosovës, tash s’e përmend festivalin e saj - NACIONALE

Kurti dikur e quante Dua Lipën diplomaten më të mirë të Kosovës, tash s’e përmend festivalin e saj

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti në shumë raste e vlerësonte lartë figurën e Dua Lipës. Këngëtaren kosovare me famë botërore, shefi i ekzekutivit e quante diplomatën më të mirë që ka Kosova. Por, në mes Kurtit e Lipës, ka hyrë një tokë. Aq i madh është inati i Kurtit me familjen, sa që nuk e tha asnjë fjalë as për festivalin “Sunny Hill” që po mbahet në Prishtinë.

Disa herë me radhë, Kurti s’kishte përtuar të flasë për këngëtarën Lipa, që ka pushtuar që një kohë të gjatë skenën globale të muzikës.

Aktiviste e diplomate

Hiç më larg se vitin e kaluar, Kurti kishte rezervuar fjalët më të mëdha për Dua Lipën, e cila ishte dekoruar me një çmim nga Atlantic Council në Amerikë.

Ndonëse, Kurti s’kishte arritur të merr pjesë, siç bëri presidentja Vjosa Osmani, ai shkroi për të në Twitter.

Dua Lipa nuk është vetëm njëra prej këngëtarëve më të famshme në botë, ajo është një aktiviste që inspiron lëvizje për ndryshim, ajo është diplomatja më e mirë që Kosova mund ta këtë apo të këtë shpresuar për të. Urime për çmimin nga Atlantic Council. Ti je një inspirim dhe vendi i juaj është krenare për ju”, kishte shkruar Kurti më 11 nëntor të vitit 2021.

Kurti edhe më parë kishte pasur lëvdata për Duan, e cila vazhdimisht lobon për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai e kishte uruar Lipën për fitimin e çmimeve të Grammyt.

Ajo është një inspirim për të rinjtë tanë dhe një ambasadore për vendin tonë”, shkruante Kurti në Twitter.

Heshtja e Kurtit për Sunny Hill

Që nga 4 gushti e deri më 7 gusht, në Kosovë do të mbahet festivali “Sunny Hill”, i cili organizohet nga ylli kosovar i muzikës, Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa. Këtë vit, është edicioni i tretë i këtij festivali dhe mbajtja e tij, ka qëlluar në të njëjtën kohë me atë të festivalit të “Dokufest”. Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që të flasë vetëm për këtë të fundit, e jo edhe për të parin, që zakonisht, rikthen vëmendjen e mediave të huaja dhe 86 milionë ndjekësve të Dua Lipës kah Kosova.

Ani se sot mbahet nata e katërt e “Sunny Hill”, Kurti s’e ka çelur gojën për të thënë një fjalë të vemte për këtë festival, as në rrjete sociale, por as në paraqitje të tij. Kjo, për dallim nga presidentja e cila e priti Dua Lipën në presidencë.

Nuk dihet nëse shkak për këtë, është bërë çështja e 17 hektarëve që komuna e Prishtinës kishte vendosur t’ia jepte këtij festivali për 99 vjet, gjë e cila për pak sa nuk e zhvendosi krejtësisht organizimin nga Kosova.

Madje vetë Dukagjin Lipa, u kishte nisur një letër të gjatë për këtë krerëve të shtetit, ku që në hyrje theksohej se kërkesa e “Sunny Hill” është “politizuar”, derisa kritikohej opozita komunale në Prishtinë, që përbëhet pikërisht nga partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje.

Zhvendosja e festivalit

Dukagjin Lipa, organizatori i festivalit më të madh të mbajtur ndonjëherë në Prishtinë Sunny Hill – kishte ndarë një lajm të keq gjatë muajit qershor, ku konfirmonte se festivali nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë.

E gjithë kjo, siç u pa në letrën që ai ua kishte dërguar liderëve shtetërorë, kishte të bënte me 17 hektarët që Prishtina vendosi t’i jepte festivalit më të madh në Kosovë për 99 vjet.

Një çështje e tillë u diskutua shumë, por edhe u politizua me Vetëvendosjen që shprehte kritika të ashpra në ambientet e Asamblesë Komunale. Por, Kuvendi Komunal duket se nuk ka qenë i vetmi vend ku është stopuar ky vendim.

Ministria e Administrimit dhe Pushteti Lokal kishte ndërhyrë në punët e Komunës së Kosovës duke e vonuar vendimin për tokën e Sunny Hill.

Ndërsa ministri e Kulturës kishte thënë se kanë kërkuar dokumente shtesë lidhur me çështjen.

Ndërkohë, në Tiranë lajmi për Sunny Hill u prit me entuziazëm.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj vuri në pah menjëherë përfitimet që do t’i ketë Tiranë nga festivali.

Sidoqoftë, disa ditë më vonë, Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill, njoftuan se festivali do të mbahet përsëri në Prishtinë.

Por, përveç në Prishtinë, festivali do të organizohet edhe në Tiranë, më datë 26, 27 dhe 28 gusht.

Përditësim: Kurti megjithatë ka reaguar, në ditën e fundit të festivalit, duke shkruar një status në Facebook për Sunny Hill.

Lajme të ngjashme