Nata e dytë në Sunny Hill: J Balvin fiton turmën me flamurin e Kosovës, Babastars ashtu-ashtu - NACIONALE

Nata e dytë në Sunny Hill: J Balvin fiton turmën me flamurin e Kosovës, Babastars ashtu-ashtu

1 javë më parë

nga Burim Pacolli

Nata e dytë në Sunny Hill kaloi pothuajse njejtë si e para - shumë njerëz, shumë muzikë, e shumë artistë, disa prej të cilëve performuan më mirë e disa më dobët.

Një këshillë që duhet ta ngulitni në kokë e ta mbani në kafaz si të paprekshme, pavarësisht nivelit të alkoolit në gjak që mund të keni - kurrë mos synoni fillimin e skenës, nëse nuk e keni plan të qëndroni deri në fund.

Sinqerisht, do ta pësoni keq nëse përfundoni në atë pjesë, e në gjysmë të koncertit për llojlloj arsye (për të marrë pije, banjo, apo thjesht për t'u ulur diku), vendosni të dilni nga aty, për t'u kthyer prapa.

Mallkime, shtyerje e sharje të vazhdueshme përjetova kur vendosa të bëja një gjë të tillë, pasi niveli i ngushtësisë po më shkaktonte probleme nga më të ndryshmet. Ishte një distancë e konsiderueshme e sulmuar ngjeshmërisht me qenie të gjalla, e të cilëve iu kishin ardhur në majë të hundës njerëzit si unë që po kërkonin të lëviznin prapa. Një vajzë më goditi me shpullë në krah, u ktheva i habitur... "ec mo, çka po sillni".

Vazhdoja të shikoja me habi, para se të kyçej edhe shoqja e saj në diskutim me të shara. Ishte e qartë, panika e dëshpërimi kishte nxjerr më të mirën nga to dhe shumë të tjerë dhe me të drejtë.



Sidoqoftë, morali i asaj që thashë deri tash: Mos ia mësyni fillimit, nëse nuk e keni ndërmend të qëndroni deri në fund, do ta pësoni keq.

Njerëz me batanije ishin stacionuar në fillim të skenës që nga dita, për ta ruajtur vendin para mbrëmjes.
Ghetto Geasy, Cozman dhe Onat ishin përmendur si emra të përvetshëm në njoftimin e Sunny Hill të pjesmarrësve të natës së dytë, dhe jo me emrin e kahmotshëm të grupit, "Babastars".

Një intro e gjatë i parapriu inkuadrimit të tyre në skenë, dhe ajo video-montazhë e krijuar kishte veç një protagonist - Ghetto Geasyn. Këta dy të tjerët u shfaqën veç pasi përfundoi klipi.

Natyrisht, i performuan krejt hitet e mundshme që mund t'i kenë, të përcjellura me ndonjë gafë të inzhinierëve të zërimit, të cilët nuk e bënin ndaljen e lëshimin e bitit në kohën e duhur.

Po ashtu, edhe komunikimi i tyre me turmën ishte minimal. Përveç fundit kur, në një episodë tjetër klisheje, kërkuan nga publiku t'i ndiznin dritat e telefonëve. Shija është subjektive, dhe nuk dyshoj që mijëra njerëz aty mund të kenë qenë duke e bërë qejfin e botës me ta. Por, për mua, ishte performancë absolutisht e tmerrshme. Ndonjëherë bërtisnin mbi këngët playback, e nganjëherë dukej se vetëm lëviznin buzët. Thjesht mezi po prisja të përfundonte. Gjuha trupore e Geasyt po ashtu linte shumë për të dëshiruar.

Totalisht dukej i pa impresionuar me atë që po shihte e po dëgjonte, derisa rrallëherë kishte diçka për t'i thënë publikut.
Azet dhe Dhurata Dora ishin dy performues të tjerë, të cilët elektrizuan masën me disa këngë ultra, ultra të popullarizuara në masë.
"O s'shkoj pa e ngu Azetin jo..." po i bërtiste njëri vazhdimisht miqve, të cilët ishin lodhur së qëndruari në këmbë në një turmë masive njerëzish.

Performanca e Azetin dhe Dhuratës ishte ashtu siç mund ta paramendoni... shumë brohoritma, një publik që këndonte njëzëri e gjëra të tilla.

Tutje ishte koha për artistin kryesor të natës, kolumbianin J Balvin.

Ky u përkujdes të fitonte zemrën e turmës me aq mundësi sa kishte, më së shumti me mbajtjen e flamurit të Kosovës dhe duke thënë fjalët shqip "të dua".

Këngët e tij më të njohura nxitnin zhurma e brohoritma, me vet artistin që dukej i ngazëllyer nga ajo që po shikonte.

Kaq për një natë të dytë në Sunny Hill.

Lajme të ngjashme