Kurti 'inatçor' dhe 'hakmarrës': Injoron Sunny Hill-in, e çon në qiell Dokufestin - NACIONALE

Kurti 'inatçor' dhe 'hakmarrës': Injoron Sunny Hill-in, e çon në qiell Dokufestin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Që nga 4 gushti e deri më 7 gusht, në Kosovë do të mbahet festivali “Sunny Hill”, i cili organizohet nga ylli kosovar i muzikës, Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa. Këtë vit, është edicioni i tretë i këtij festivali dhe mbajtja e tij, ka qëlluar në të njëjtën kohë me atë të festivalit të “Dokufest”. Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që të flasë vetëm për këtë të fundit, e jo edhe për të parin, që zakonisht, rikthen vëmendjen e mediave të huaja dhe 86 milionë ndjekësve të Dua Lipës kah Kosova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë së shtunës ka folur për “DokuFest”, për të cilin tha se është ngjarja më e madhe kulturore në vend, e madje paralajmëroi edhe një vizitë atje.

“Edicioni XXI është mundësi e mirë dhe arsye e fuqishme për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për ata që patën guxim në fillim. Dhe pastaj edhe vizion, durim e përkushtim. Faleminderit Veton, Aliriza, Samir, Eroll B, Linda, Nita, Eroll Sh, Alba, Jeton, Orhan, Burim, Dafina, Ares dhe plot të tjerë deri te mijëra vullnetarë përgjatë viteve e dekadave. Filmat, mbrëmjet e muzikës, punëtoritë, ngjarjet e tjera, një program fantastik sivjet. Gjatë këtyre tetë ditëve, do të më shihni sërish në Prizren. Magjia rifilloi”, ka thënë kryeministri në një postim në Facebook.

Ani se sot mbahet nata e tretë e “Sunny Hill”, Kurti s’e ka çelur gojën për të thënë një fjalë të vemte për këtë festival, as në rrjete sociale, por as në paraqitje të tij. Kjo, për dallim nga presidentja e cila e priti Dua Lipën në presidencë.

Nuk dihet nëse shkak për këtë, është bërë çështja e 17 hektarëve që komuna e Prishtinës kishte vendosur t’ia jepte këtij festivali për 99 vjet, gjë e cila për pak sa nuk e zhvendosi krejtësisht organizimin nga Kosova.

Madje vetë Dukagjin Lipa, u kishte nisur një letër të gjatë për këtë krerëve të shtetit, ku që në hyrje theksohej se kërkesa e “Sunny Hill” është “politizuar”, derisa kritikohej opozita komunale në Prishtinë, që përbëhet pikërisht nga partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje.

Si ndodhi gati zhvendosja e “Sunny Hill” në Tiranë?

Dukagjin Lipa, organizatori i festivalit më të madh të mbajtur ndonjëherë në Prishtinë Sunny Hill – kishte ndarë një lajm të keq gjatë muajit qershor, ku konfirmonte se festivali nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë.

E gjithë kjo, siç u pa në letrën që ai ua kishte dërguar liderëve shtetërorë, kishte të bënte me 17 hektarët që Prishtina vendosi t’i jepte festivalit më të madh në Kosovë për 99 vjet.

Një çështje e tillë u diskutua shumë, por edhe u politizua me Vetëvendosjen që shprehte kritika të ashpra në ambientet e Asamblesë Komunale. Por, Kuvendi Komunal duket se nuk ka qenë i vetmi vend ku është stopuar ky vendim.

Ministria e Administrimit dhe Pushteti Lokal kishte ndërhyrë në punët e Komunës së Kosovës duke e vonuar vendimin për tokën e Sunny Hill.

Ndërsa ministri e Kulturës kishte thënë se kanë kërkuar dokumente shtesë lidhur me çështjen.

Ndërkohë, në Tiranë lajmi për Sunny Hill u prit me entuziazëm.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj vuri në pah menjëherë përfitimet që do t’i ketë Tiranë nga festivali.

Sidoqoftë, disa ditë më vonë, Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill, njoftuan se festivali do të mbahet përsëri në Prishtinë.

Por përveç në Prishtinë, festivali do të organizohet edhe në Tiranë, më datë 26, 27 dhe 28 gusht.

“Sunny Hill” sjell spektakël të vërtetë

Të enjten ishte nata hapëse e festivalit, e cila solli një spektakël të vërtetë në Gërmi, atje ku edhe po organizohet.

Artistë vendorë si Yll Limani, Kida e Elvana Gjata përformuan, për t’u pasuar më pas nga Dua Lipa, e cila pushtoi skenën me një përformancë të jashtëzakonshme të “Future Nostalgia.

Në natën e dytë të festivalit, përformuan Dhurata Dora, Azet, Ghetto Geasy, Cozman dhe Onat. Ndërkaq, i ftuari kryesor ishte kolumbiani J Balvin, i cili i dha një atmosferë të mrekullueshme festivalit, derisa fitoi zemrën e turmës duke u shfaqur me flamurin e Kosovës në duar.

Festivali do të vazhdojë sonte dhe nesër, ku pritet të përformojnë shumë artistë të tjerë, duke përfshirë këtu Diplo dhe Skepta.

Mbrëmë, në natën hapëse, ishim dëshmitarë të një spektakli të vërtetë feste në Sunny Hill. Një që do t'i bënte edhe këta që çonin pluhur për 17 hektarët në Bërrnicë se nuk duhet të jepen për një event të tillë, të ndryshojnë qëndrime.

Lajme të ngjashme