Kurti (ç’)magjeps studentët për migrimin: S’është Evropa aq mirë ekonomikisht si dikur, jeta atje s’është si në filma
‘Situata (ekonomike) në Evropën Perëndimore nuk është si në të nëntëdhjetat, e me që ra fjala as si para një dekade...ekziston iluzioni se kur shkohet atje jeta është si në filmat e tyre”.
Ky ishte mesazhi që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – në një fjalim si të mentorëve jetësor – u dha studentëve të AUK-ut, duke u folur çmagjepshëm për largimin e të rinjve nga vendi për në Evropën Perëndimore.
Kurti tha shumë të rinj kanë shkuar “veçse për t’u kthyer prapa” duke qenë të udhëzuar nga “një iluzion” se me të mbërrirë atje “jeta do të ishte si në filmat e tyre”.
Por, “jo”, tha Kurti.
“Kur shkoni në San Francisko dhe mendoni për krejt këto filmat e mëdhenj, aty udhëve i shihni krejt ata persona të pastrehë – pra, kur shkoni në San Francisko dhe Los Angeles, ju nuk jeni duke shkuar në Hollivud”, u tha Albin Kurti studentëve, raporton Nacionale.
Jeta atje, sipas Kurtit, është edhe e vështirë – dhe këtë duhet ta kenë parasysh të rinjt.
“Shumë njerëz po shkojnë vetëm që të kthehen prap: sepse aty u duhet të marrin apartment me qira dhe mezi ia dalin të ushqehen dy herë në muaj në restorane, në mënyrë që të mund të bëjnë jetesë aty, dhe mbase do të kthejë para-gjepi te familjarët e tyre”, vazhdoi Kurti.
Por, pati edhe një shpjegim se pse sipas tij BE “ishte bërë objekt dëshire” për qyetetarët kosovarë: “sepse e kishim të ndaluar” dhe “e mbivlerësonim”.
Madje mori një shembull aspak të qëndrueshëm në kontekstin në fjalë, duke invokuar përvojën e tij personale: burgun.
“Unë vetë isha në burg, dhe kurdo që je në burg mendon vetmevete ‘vetëm po të mundja të dilja jashtë njëherë, atëherë bota do ta shihte kush jam’ por kur dilni jashtë, doni të ktheheni prap”, tha Kurti.
“Gjithmonë e mbivlerësoni atë që s’e keni. Mendoj që shumë nga migrimi ndodhi se menduan që në Gjermani a Zvicer do ta marrë këtë punë apo atë pozitë”, tha ai.
Kurti fjalitë i pati çmagjepsëse dhe madje e quajti edhe “ontologjike” (qenësore) nevojën “për të jetuar më shumë se vetëm në një vend, e për të folur me shumë se vetëm një gjuhë”.
“Ne s’duhet të brengosemi nëse dikush shkoi, por duhet t’i shfrytëzojmë për nga dobia të gjithë qytetarët jashtë të kontribuojnë në vendin tonë. Mendoj që njerëzit që janë jashtë ende mund të kontribuojnë në vendin tonë”.
“Nëse dikush lëshon vendin sepse pagën në sektorin privat nuk e ka 200 euro më të madhe, sidoqoftë në Evropën Perëndimore situata (ekonomike) nuk është aq mirë siç kishte qenë në të nëntëdhjetat, ose mbase edhe para një dekade meqë ra fjala”, tha Kurti.
Kurti tha se ka prej tyre që shkojnë “vetëm për një rrog pak më të vogël” dhe se “kjo na lëndon më së shumti”.
“Po, është e vërtetë që disa të rinj po largohen nga Kosova... Ata që shkojnë në Harvard, Oksford e Kembrixh...do t’i mbështetim".
"Por, ata që shkojnë atje veçse për një rrogë pakëz më të madhe, kjo na lëndon më së shumti. Për shembull, nëse një e re dhe i ri e kanë rrogën 800 euro, vetëm po ta kishin 1 mijë euro do të kishin vendosur të rrinin, kjo na lëndon më së shumti”, tha ai.
“Por, nëse shkojnë për pozita në institute kërkimore ose që të avancojnë në kuptimin e profesioanlizmit të tyre dhe aftësive akademike, kjo s’është më e keqja fare. Në fakt ne duhem të sigurohemi që ata të kthehen pas disa viteve”, tha Kurti.
“Sidoqoftë, një pjesë e diasporës sonë po kthehet: dy kategoritë që po kthehen janë njerëz të rinj sikurse jeni ju, që duan t’i shohin rrënjët e prindërve dhe gjyshërve dhe ato që pensinohen atje. Ky është fenomeni i diasporës turke dhe polake në Gjermani", tha Albin Kurti.