Kurti: Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri - e dinë se po iu vije fundi
Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri. Kështu thotë kryeministri Kurti në paraqitjen e fundit publike.
Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", shefi i ekzekutivit ka komentuar zhvillimet në veri të vendit, duke shtuar se bandat e dinë që po ju vie fundi.
"Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje", ka thënë ndër të tjerash ai.
Më poshtë edhe postimi i plotë:
"Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje.
Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë".
