Regjistrohet një tjetër shpërthim i fortë, teksa gazetarët largohen me përcjellje deri në jug - çka po ndodh në veri?
KFOR-i duket ta ketë deminuar e më pas edhe larguar mjetin e pashpërthyer që dyshohet të ketë qenë brenda zyreve të KKZ-së në veri.
Të paktën kështu raportojnë gazetarët e Nacionales, Halim Kafexholli e Miranda Shala, që duke u thirrur në informacione jozyrtare kanë thënë se mjeti veçse është hequr nga autoritetet gjegjëse.
Gjithashtu, atë që kanë mundur ta konfirmojnë është fakti se KFOR-i tashmë është larguar nga vendi ku qëndronte tash e një kohë, e ku kishte shkuar me shkas, për ta deminuar mjetin respektiv.
Veç kësaj, gazetarët tanë dhe jo vetëm janë detyruar të largohen nga vendi i ngjarjes. Madje ata do të vinë deri në jug nën përcjellje të policisë.
Kjo ka ndodhur pak çaste pasi u dëgjua një tjetër shpërthim i fortë.
Në anën tjetër, në një moment gjatë raportimet të drejtpërdrejt, gazetarja e Nacionales mbeti e shtangur, pasi pikërisht në ato momente u dëgjua një shpërthim.
Për më tepër, shikoni videon e mëposhtme:
Situata në veri gjatë ditës së martë ka qenë e tensionuar, ku kohë pas kohe, janë dëgjuar shpërthime, ndërsa është raportuar edhe për të shtëna armësh.
Një qytetar nga Mitrovica e Veriut, i cili ka dashur të qëndrojë anonim, ka thënë për Nacionalen se tash e disa netë, pjesëtarë të komunitetit serbë po qëndrojnë nëpër rrugë, duke përmendur këtu videon e publikuar para pak ditësh.
“Qe 3-4 netë, nëpër rrugica qëndrojnë njerëz të komunitetit serbë, kah 3-4 persona minimum (mbrëmë ose parmbrëmë keni mujt me e pa videon e tre rrokaqiejve). Sot ku KQZ vendosi me polici me shku nëpër zyrës e tyre dhe me ushtru detyrën, nuk ka pasë gjasa me u afru afër zyrës, për shk kqë tërë kohën, në një distancë jo të largët prej zyrës, kanë qendruar persona të komunitetit serbë, të gatshëm mos me leju kërkon me hy.” – ka thënë ky qytetar.
Ky qytetar, i ka thënë Nacionales se edhe në momentet derisa po kontaktonte me neve, po dëgjoheshin të shtëna me armë.
“Ka pasur edhe të shtëna të kohë pas kohshme të armëve, të cilat po vazhdojnë edhe në këtë moment. Siguri nuk ka. Polici pothuajse hiç. Sidomos në pjesën e tre rrokaqiejve, përveç një veture të Carabinierve që patrollojnë, tjerë nuk ka. Sa për Eulex, në rast eskalimi të situatës, janë të parët që ikin.” – ka thënë ai.
KQZ
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka folur gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur nga institucioni që ai drejton.
Mes të tjerash, Radoniqi ka thënë se zgjedhjet nuk mund të mbahen me zor, duke iu referuar situatës së fundit në veri të vendit.
Gjithsesi, deri më tani nuk ka ndonjë vendim zyrtar, por i njëjti pritet të merret pas raportit të detajuar policor.
Tutje, i pari i Komisionit Zgjedhor Zgjedhor deklaroi se nëse është e nevojshme që të shkohet në veri me gjithë aparatin policor, atëherë për çfarë zgjedhje po flasim.
“Qasja në këto vende është shumë e vështirësuar. Me dasht me shku, siç tha zotëri Kurteshi, me tërë aparatin policor të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje jemi duke dashur të organizojmë. Mbetet pa edhe një herë raportin e sigurisë të policisë, për të pasur një raport të tërësishëm për procesin zgjedhor, jo vetëm për sot. Atëherë na duhet ose të bëjmë ndonjë rekomandim, pasi me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë është fjala. Nuk mund të rrezikojmë askënd”, tha ai.
MPB
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar pas disa shpërthimeve që kanë ndodhur sot në veri të vendit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se sot Policia e Kosovës ka asistuar për funksionalizimin e zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.
Ai ka treguar se këta zyrtarë dhe policia janë sulmuar nga grupe të organizuara me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare.
Ministri i Brendshëm ka njoftuar se Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar individët e përshirë në këto rast.
“Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush. Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”, ka shkruar ai.
