"Kurrë s'është fajtor veç njëri, BE të jetë më e balancuar ndaj Kosovës": Golob dhe Plenkoviq gishtin kah Serbia - NACIONALE

"Kurrë s'është fajtor veç njëri, BE të jetë më e balancuar ndaj Kosovës": Golob dhe Plenkoviq gishtin kah Serbia

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Mesazhe të ashpra të padëgjuara më parë e të konkretizuara në masa ndëshkuese. Që nga fundi i majit kur u instaluan katër kryetarët e rinj shqiptarë legalë (ndonëse jo legjitimë) në komunat veriore, shteti kosovar e ka gjetur veten objekt qortimi nga i mbarë komuniteti Trans-Atlantik me të cilën e identifikon veten përnga përkatësia qoftë vlerërore, qoftë politike. I mbarë Perëndimi demokratik pa te Kosova një këmbëngulësi dhe kryemëvetësi për të ndjekur kursin e saj, pavarësisht kostos që mund të rëndonte mbi të. Kryetarin Lulzim Hetemi të Leposaviqit s’e hoqi nga zyra as numrin e madh të njësive speciale nga afërsitë e komunave, e as planin tre-pikësh për shtensionim s’e morri në konsideratë.

Megjithatë, në këtë unanimitet perëndimor, ka pasur edhe qëndrime ndryshe, ndonëse tejet tejet të pakëta. Sa i përket shteteve perëndimore këtu do të përbënin ndryshim Kroacia dhe Sllovenia...befasisht. Këto dy shtete, kaherë mike ndaj Kosovës, devijuan nga të pasurit një mendim me unionin 27 shtetësh evropian. I pari që do të thente këtë akull do të ishte kryeministri sllovem, Robert Golob, pas një takimi të nivelit të lartë të liderëve të shteteve evropiane.

Kurrë s’është fajtor veç njëri ”, do t’i thoshte rrjetit ballkanik të lajmeve “N1” kryeministri slloven. Këtu ai e kishte fjalën për konkluzionet që ishin miratuar në atë takim, se po qe se Kosova nuk do të reflektonte mbi kërkesat e BE-së për shtensionim të situatës në veri “do të rrjedhin pasoja negative”. Qasja ndaj Serbisë duke e larguar atë nga ekuacioni i përgjegjisës s’i dukej reale kryeministrit slloven. Këtu ai do t’i drejtohet BE-së me kërkesën për një “qasje më të balancuar” karshi kësaj situate.

Duhet të shpallen zgjedhjet lokale, duhet të ketë pjesëmarrje të serbëve, dhe vetëm më pastaj autoritetet kosovare mund të bëjnë diçka për themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”, do të komentonte Golob, për atë që ai e shihte sekuencën e natyrshme të shtensionimit.

Sa i përket situatës, Golob kursehej në dhënien e përgjigjeve fikse kush-çka. “Është një proces kompleks”, pati thënë ai ditë më parë, ndërsa pyetur për masat ndëshkuese të BE-së ai kishte pazuar pak. “Duhet të ketë një qasje më të balancuar...asnjëherë nuk është vetëm dikush fajtori...anipse kjo në një moment të caktuar mund të duket/paraqitet kështu”.

Në të njëjtën linjë të mendimit, për të mos thënë identike, ishte edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq. Shteti kroat, që për nga raportet me Serbinë në shumë dimensione i ka si të Kosovës, do të vinte në dyshim këtë heqje nga ekuacioni i përgjegjësisë për tensionet. “Shtensionimi”, tha ai, “duhet kërkuar edhe nga pala serbe”, siç e citoi REL (shërbimi në gjuhën serbe).

“Ne e pamë në çfarë mënyra dhe kush sulmoi KFOR-in dhe EULEX-in”.

Sapo kishte dalë nga takimi i nivelit të liderëve të BE-së dhe Plenkoviq shpaloi edhe jashtë qëndrimin që ai pati brenda mbledhjes. “Mesazhi që pata sot ishte një qasje më balancuese, dhe jo një lloj të presionit që do të ishte më efektive ku vetëm njërës palë i bëhet presion”, tha Andrej Plenkoviq.

Plenkoviq kërkoi që situata të stabilizohet në veri të Kosovës, dhe të shpallen zgjedhjet e reja në katër komunat të banuara me shumicë serbe.

Liderët e shteteve dhe qeverive të BE-së në atë samit të 30 qershorit në Bruksel kërkuan deeskalim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan “pasoja negative” nëse kjo nuk ndodh.

Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një deeskalim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe që Bashkimi Evropian i ka theksuar tashmë më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për Zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi i deeskalimit të tensionit do të ketë pasoja negative”, nënvizuan liderët në konkluzionet e miratuara.

Përveç këtyre dy liderëve ekzekutivë evropianë, Kosova s’kishte gjetur krah mbështetës për vendimet e saj; ndonëse edhe një kryetar komune autriake përmes një letre i kishte shprehur mbështetjen e tij Kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit. Fjala është për Kryetarit e Linzit (komunë në Austri me 200 mijë banorë), Klaus Luger.

Do të doja të falënderoja kryetarin e Linzit, Klaus Luger, për mbështetjen ndaj Kosovës në respektimin e rezultatit zgjedhor dhe sundimin e ligjit në veri të Kosovës, si dhe dënimin e tij ndaj agresionit të Serbisë, përfshirë kidnapimin e tre oficerëve policorë. Solidariteti demokratik evropian është qenësor”, kishte shkruar Albin Kurti.

Lajme të ngjashme