Kur Kadareja e kujtonte Ukshin Hotin: Shpirti i tij është i paprekur, shtillet i plotë në lirinë e Kosovës
Ismail Kadareja, shkrimtari i madh shqiptar që ndërroi jetë dy ditë më parë, kishte bashkëbiseduar në një mënyrë tejet jokonvencionale me Ukshin Hotin, profesor i njohur e ish-lider i UNIKOMB-it. Biseda mes Kadaresë dhe Hotit ishte një bashkëbisedim nga distanca e nëpërmjet letrave mes një shkrimtari në liri dhe një të burgosuri fizikisht, por me shpirt të lirë.
Bashkëbisedimi në formë pyetjesh e përgjigjesh, i botuar më pastaj në një libër të titulluar “Bisedë përmes hekurash”, mbeti një testament i një respekti mes dy subjekteve të librit, i cili mes të tjerash synonte lirimin e Hotit.
Libri kishte një mekanizëm operacional të thjeshtë: shkrimtari nga Gjirokastra pyeste, ndërsa filozofi nga Krusha e Rahovecit përgjigjej. Kadareja nuk ngurroi ta shkruante parathënien e këtij libri, duke e treguar makthin e përjetuar gjatë bisedës përmes hekurave.
“E gjithë kjo kërkoi një kohë tepër të gjatë. Një ngadalësi makthi diktonte ritmin e kësaj torture. Një si perde mjegulle rrinte mbi gjithçka. Duke e lexuar librin, lexuesi do ta ndiejë gjithmonë këtë mjegull. Pyetjet dhe përgjigjet shpesh nuk përkojnë. Aty-këtu ka zbrazësi. Nuk teprohet po të thuhet se libri ngjan herë-herë si i bombarduar. Shpjegimi është fare i thjeshtë: Ukshin Hoti i ka pasur pyetjet vetëm pak kohë (me sa duket, dy a tri orë) kështu që përgjigjet, të cilat me aq mund nisi t’i shkruante, i ka hartuar sipas kujtesës. Në botimin e librit është respektuar ky vizion i të burgosurit: pyetjet janë vënë bashkë, ashtu siç i ka lexuar ai, në atë ditë befasuese kur i ranë në dorë, dhe përgjigjet janë grumbulluar bashkë, ashtu siç i hartoi pastaj në ditët e zymta të burgimit” – shkruante Kadareja, transmeton Nacionale.
Në parathënien e tij, Kadareja e kontekstualizon prapavijën historike e politike të librit me Hotin, duke e ofruar “pikturën e madhe” të viteve të vështira të luftës në Kosovë.
“Në kohën kur ky libër po përgatitej me ngut, edhe më ngutshëm, përpara gjithë botës, po shpalo sej tragjedia e Kosovës. Krimi serb po afishohej përherë e më mizorisht e pa maskë. Një ndër tri sy nimet kryesore të këtij dialogu: lirimi i Ukshin Hotit, ai që pritej të kryhej falë këtij libri, kishte rrezik të dëmtohej pikërisht prej tij. Kjo ishte nyja tragjike që i mbajti ca kohë peng autorin e këtyre radhëve bashkë me njerëzit e afërm të Ukshin Hotit. Të egërsuar prej librit, kriminelët e Beogradit mund të shpejtonin zhdukjen e martirit” – rrëfente shkrimtari Kadare, për vdekjen e të cilit sot Kosova mban zi.
Ndërsa e shpaloste kronikën e sakrificës kosovare, Kadareja tregon për fatin e Hotit, i cili edhe 25 vjet pas lufte vazhdon të jetë i zhdukur me dhunë.
“Askush ende nuk e di ç’ka ndodhur me Ukshin Hotin. Nuk e dimë nëse është apo nuk është më në këtë botë. Burgu i Dubravës, ku mendohet se ka qenë për herë të fundit, u bombardua prej NATO-s. Thuhet se më 16 maj, një ditë para mbarimit të afatit të burgut, u nxorr andej, i shoqëruar nga dy përcjellës, për t’u çuar në drejtim të panjohur. Thuhen gjëra të tjera të pavërtetuara nga askush.
Ky dialog, që qysh në krye u quajt natyrshëm “mes hekurash” u bë edhe më dramatik. Tani ai ka midis jo vetëm hekurat, por edhe mjegullën e dendur të së panjohurës e ndoshta të mosqenies” – theksonte Kadareja, ndërsa i përmendte emrat e dy të burgosurve të tjerë politikë, Flora Brovina e Albin Kurti, të cilët atëbotë vazhdonin të mbaheshin në burgjet e Serbisë.
Megjithatë, Kadare ishte i bindur që, pavarësisht trajtës fizike të Hotit, shpirti i tij ishte i paprekur.
“Ukshin Hoti ndodhet tani në larginë. Le të shpresojmë që ai të jetë ende në botën e të gjallëve. Megjithatë, çfarëdo qoftë trajta e tij trupore, guri ku mbështet kryet, ose mbulesa sipër tij, shpirti i tij, është i paprekur. Ai shpirt i lirë ndodhet në kumtet që ka lënë, në librat e në letrat e tij. E mbi të gjitha, ai shtillet i plotë e ngadhënjyes në lirinë e Kosovës” – përfundonte Kadareja në parathënien e tij.
Në larginë është tashmë edhe Kadareja, i cili i bashkohet Hotit në universin e njerëzve që mbesin gjallë përmes shkrimeve, pavarësisht trajtës trupore./Nacionale.