Kumbara i Radojiçiqit: Kush është Veselinoviqi, që mediet serbe e quanin "Arkani i ri"?
Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, mediet opozitare serbe kanë drejtuar reflektorët e tyre në drejtim të grupit të Milan Radojiçiqit. Por N1, media kundërshtare e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, sot gjatë ditës ka raportuar edhe për një emër tjetër të njohur të botës kriminale serbe. N1 ka botuar një profil të Zvonko Veselinoviqit, që po ashtu është i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe, e të cilin Vuçiqi e kishte quajtur “Peshk të vogël”. Çfarë shkroi gazeta serbe?
Në shkrimin e saj, gazeta N1 shkruan për jetën kriminale të Veselinoviqit, përfshirë arrestimet për drogë, për ngritjen e barrikadave në Jarinje dhe Bërnjak, për pjesëmarrjen në grupin kriminal “Rojet e Urës së Ibrit” dhe përfshirjen në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ish-politikan serb i dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, transmeton Nacionale.
Por në artikull flitet edhe për një anë tjetër të Veselinoviqit, që N1 e quan edhe si “biznesmen kontravers”, ndërsa të njëjtin medie të ndryshme në Serbi, vite më parë, e kanë cilësuar edhe si “Arkani i ri”, duke e ndërlidhur figurën e tij më kriminelin Zheljko Razhnatoviq. Sipas N1, kompanitë që janë në pronësi të Veselinoviqit po shtrojnë disa rrugë në Beograd, përfshirë Koridorin X1.
Policia për qytetin e Beogradit, shkruan N1, ka “intervistuar dje Zvonko Veselinoviqin lidhur me pretendimet e inspektorit Sllobodan Milenkoviq se Veselinoviqi ka urdhëruar dhe paguar për organizimin e vrasjes së tij, si dhe vrasjen e inspektorit Dushan Mitiq.”
Biografia kriminale e Veselinoviqit
Sipas N1, Veselinoviq ka lindur më 30 dhjetor të vitit 1980 në Mitrovicë, ndërsa origjina e tij vjen nga fshati Dolanë që gjendet në afërsi të Zveçanit.
“Nuk dihet se cili është arsimimi i tij” – shkruan N1, ndërsa pas luftës Veselinoviqi ishte rreshtuar në krah të “Rojet e Urës”.
“Në vitin 1999, Veselinoviqi u dallua si rojtar i urës mbi lumin Ibër që ndan pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës.” – shkruhet tutje, ndërsa përmendet edhe përfshirja e tij në ngritjen e barrikadave dhe vrasjen e policit hero, Enver Zymerit.
“Në fillim të viteve 2000-ta, Veselinoviq u arrestua për krime të ndryshme. Herën e parë, në vitin 2003, së bashku me tre persona të tjerë në rrugën Rashkë-Kraljevë, kur në veturë u gjetën tre kilogramë e 190 gramë heroinë, vlera e së cilës arrinte në 150.000 euro” - raporton N1, transmeton Nacionale.
Një vit më vonë, së bashku me Drazhimir Stojkoviqin, Veselinoviqi ishte arrestuar sërish nën dyshimin për vrasjen e Slavisha Maksomoviqit. Por, kjo nuk ishte hera e fundit që ai ishte arrestuar.

“Në fund të vitit 2005, ai u arrestua në qendër të Mitrovicës për gjoja vjedhjen e një veture.
Menjëherë pas arrestimit, mbi 500 qytetarë kanë gjuajtur me gurë xhipat e policisë dhe me atë rast janë dëmtuar pesë vetura të këtij shërbimi” – vazhdon N1.
Në vitin 2011, me urdhër të Zyrës së Prokurorit për krim të organizuar, Veselinoviqi ishte arrestuar bashkë me vëllain e tij në Kopaonik, ku kishte kaluar një vit në paraburgim, ndërsa ishte liruar pas protestave të qytetarëve dhe kërkesave për lirim që u ishin drejtuar institucioneve kompetente.
Lidhja me Vuçiqët
N1 shkruan se bash në kohën kur kishte shumë artikuj negativ, Vuçiqi, që atëbotë ishte nënkryetar i partisë SNS, e kishte telefonuar Veselinoviqin.
“Më ka habitur edhe thirrja e Aleksandër Vuçiqit, kur ka filluar ndjekja, më ka thirrur personalisht në telefon dhe ka thënë se janë pas meje si parti.” – kishte thënë Veselinoviq.
Ndërsa vet Vuçiq kishte folur në vitin 2011 për Veselinoviqin, duke treguar se pse kompania e tij ishte përzgjedhur për t’i shtruar rrugët në veri të Kosovës.
"Më duket interesante që dikush thotë se Veselinoviqi është kriminel, jo Miljkoviqi. Veselinoviqi është një peshk i vogël, ai nuk është asgjë në krahasim me një kriminel të përmasave të tilla si Miljkoviç" - deklaronte Vuçiqi, transmeton Nacionale.
Edhe disa vitë më vonë, Vuçiqi kishte folur për Veselinoviqin, duke thënë se i kishte dhënë mbështetje politike gjatë trazirave në Kosovë në vitin 2011, por jo edhe për bizneset.
"Unë i dhashë mbështetje politike kur isha në opozitë. Mbështetja ka të bëjë me barrikada, jo me biznes. E kam parë Zvonko Veselinoviqin një herë në jetë. E kam parë në Kosovë. Ishte në vitin 2009." – kishte thënë Vuçiq në atë kohë.
Por, BIRN në Serbi dhe KRIK, dy medie të rëndësishme serbe, të cilat i citon N1, e përmend edhe lidhjen e afërt në mes të Veselinoviqit dhe Andrej Vuçiqit, vëllai i vogël i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Siç shkruan BIRN-i dhe KRIK-u, ka shumë informacione për kinse afërsinë e tij me Andrej Vuçiqin, vëllain më të vogël të presidentit serb dhe kumbarit të tij, Nikola Petroviq (siç dëshmohet nga fotografia që BIRN publikoi më herët).
Konfirmimin se ai ka vazhduar punimet rrugore në Korridorin 11 konfirmohet nga një tjetër foto e publikuar nga BIRN-i, ku ai ndodhet në kantier nën shoqërinë e ministres së atëhershme Zorana Mihajlović.” – transmeton N1, teksa shkruan se për Veselinoviqin thuhej se vendos gjithçka në veri.
Ndryshe, nga viti 2021, Veselinoviq, por edhe Radojiçiq janë të sanksionuar nga ShBA-ja, ndërsa nga viti 2022, ata janë të sanksionuar edhe nga Britania e Madhe.



