Ku është barazia? Veç 53 gra diplomuan dje në Akademinë e Policisë së Kosovës
Në një shoqëri patriarkale si kjo e Kosovës, profesionet janë të ndara në baza gjinore, ku shumica e profesionëve janë për burra, sidomos ato që kanë të bëjnë me sigurinë, si ushtria, policia, zjarrfikësit e të ngjashme. Një gjë e tillë u vërejtë edhe në diplomimin e kadetëve të rinj, të gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës.
Nga 430 kadetë të rinj që i janë bashkuar dje Policisë së Kosovës, vetëm 53 ishin gra. Pra vetëm 12,3 për qind e të diplomuarve dje ishin gra. Në ceremoninë e diplomimit ishte prezente edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Osmani, gruaja në krye të shtetit të Kosovës, deklaroi se diversiteti gjinor në Policinë e Kosovës është pasqyrim i shtetit dhe reflektim i një mjedisi të sigurt që e meriton Kosova.
“Ju mbani një përgjegjësi të dyfishtë. Së pari të dashura vajza, do t’i shërbeni vendit dhe qytetarëve për garantim të rendit e sigurisë, por do të jeni inspirim për shumë gra e vajza që do të ndjekin rrugën tuaj. Kjo pjesëmarrje e grave tregon edhe angazhimin serioz për rritjen e numrit të grave në këto pozita. Besoj fuqishëm se pjesëmarrja e grave në polici dhe në të gjitha strukturat e sigurisë është investim i nevojshëm për sigurinë në gjithë vendin tonë.” – deklaroi zonja Osmani.
Por në fjalët e z. Xhelal Sveçlës, ministër i Punëve të Brendshme, vetëm 15 për qind e policisë janë gra. Duke marrë për bazë faktin se gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë, vështirë se mund të thuhet se diplomimi i 53 grave në mesin e 430 kadetëve pasqyron “diversitetin gjinor” siç deklaroi Osmani.
“Policia vazhdon të jetë shembull për barazi gjinore jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Funksionimi i shoqatës brenda policisë është një vlerë tjerët në Kosovë. Polici ka të punësuar. Pjesëmarrja e tyre mbi 15 për qind vajzat dhe gratë janë në Polici që nga gjeneratat e para, ku nga rreshter e deri te grada kolonel.” - deklaronte ministri Sveçla në konferencën për lansimin e Agjendës për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës dhe Planin e Veprimit 2021-2023.
Ndërsa dje në ceremoni, Kurti vlerësoi lartë punën e Policisë së Kosovës.
"Policia e Kosovës qëndron e palëkundur në mision e ruajtjes së rendit dhe të sigurisë publike. Ajo është në të përditshmen e qytetarëve, andaj ndryshimin dhe avancimin e saj e ndjejnë dhe përjetojnë sidomos qytetarët. Jemi të lumtur që Policia vazhdon të renditet ndër tre institucionet më të besueshme për qytetarët tanë." - shkroi ai.
“Përparësia për pranimin e grave”
Pse vazhdon të jetë ky numër kaq i vogël i grave? – ishte pyetja që gazeta Nacionale e adresoi në Policinë e Kosovës dhe Shoqatën e Grave në këtë institucion. Nacionale e pyeti Policinë e Kosovës se sa ka qenë numri i burrave dhe grave që kanë aplikuar në konkursin nga i cili diplomuan 430 kadetë policë.
“Te gjitha proceset e konkurseve kane qene te hapura dhe publike.” (sic) – thuhet në përgjigjen jashtëzakonisht të shkurtër të Policisë.
Ndonëse në njoftimet e Policisë thuhet se ka lehtësime dhe përparësi për gratë, një gjë e tillë mohohet nga ish-kandidatet për police. Gazeta Nacionale ka biseduar me një Kandidate të 10 nëntor 2021-ës, e cila në kushte anonimiteti deklaroi se këtë vit ka hezituar të aplikojë përsëri për shkak të parregullsive të vitit të kaluar.
Testi me shkrim ka qenë i përkthyer nga gjuhët e huaja, pyetje që nuk kishin kuptim në gjuhën shqipe janë disa nga ankesat e ish-kandidates.
“Fillimisht ne testin me shkrim, qe eshte bere online qe nga viti i fundit, thuhet se jane bere vec testime te njohurive bazike, gje e cila nuk ka qene e vertete, pytjet, sidomos ato te matematikes dhe logjikes kane qene me funksione matematikore dhe po ashtu edhe si pytje kane qene vetem te perkthyera nga gjuhet e huja dhe nuk kan pasur kuptim ne gjuhen shqipe, shembull: Ndaje numrin 200 blla blla detyra pastaj, tash ne gjuhen shqipe ndaje i bije edhe minusoje edhe pjestoje, pra cdo here ka pasur kesi lloj pytje te pakuptimta”, ka thënë ajo për Nacionalen.
Tutje, ajo tha se koha e shkurtë për përgaditje për test fizik ua bën grave të pamundur pranimin vajzave.

“E dyta sa i perket testit fizik, nga data e aplikimit e deri te testi fizik i bie dikund 3/4 muaj, qe nuk eshte mjaftueshem kohe per me u pergatit fizikisht per ushtrimet dhe pjesen e testit fizik qe kerkohet atu, sidomos per cikat e reja qe i kane pas rreth 18/19 vjece, une vet kam bere fitnes per 4 muaj dhe nuk ka qene kohe e mjaftueshme per te arritur cka ata dojne, ne fund te fundit, polic duhesh me qene, nuk ki me qene bodyboulder dhe nese ju duhen te tille munden me i trajnu prap jo me kerku ne test ate pjekuri fizike”.
Ish-kandidatja ka treguar edhe për disa parregullësi në Policinë e Kosovës.
“Tek pjesa e intervistimeve nuk kam arrit, sdu te flas dicka qe skam qene pjese e saj. Tek ajo pjesa e testit me shkrim kam bere ankese, kur e kam kerku pergjigjjen ne ankese tek statcioni kryesor i policise ne Prishtine kane thene se nuk e kemi ankesen dmth eshte zhdukur....”, tha ajo.
Sipas saj, Policia e Kosovës duhet t’i jap përparësi pjesës akademike nëse duan që të kenë më shumë gra.
“Une si nje cike e re e cila ka synu qe permes policise me u bo nje prokurore ne te ardhmen, ku kam pasur edhe pergatitje tjera profesionale dikun nga mosha 16 vjecare, nuk eshte marre parasyshe per asnje kandidat, nese ata do ti kishin fuqizuar vajzat dhe grate, kishin me e kqyre edhe pjesen akademike, shtoj ketu qe kam pasur dy bachelors te perfunduar dhe kam rene per dy pike nga testi. Mendoj qe kjo mjafton me ta heke deshiren me u bo pjese e ketij institucioni...”- tha ajo për Nacionalen.
Më pas shtoi, se i gjithë lehtësimi për gra janë 10 pompa dhe barkore me pak se për burra.
“krejt cka eshte lehtesim per grate, djemt i kane pas 30 pompa qe u themi ne, vajzat 20, djemt 30 barkore, vajzat 20 keshtu dmth kjo ka qene sa e kujtoj "lehtesimi"- përfundoi ajo.


