“Avullimi” i 3.5 milionëve nga AKP-ja: Detaje të reja nga "vjedhja" tronditëse - NACIONALE

“Avullimi” i 3.5 milionëve nga AKP-ja: Detaje të reja nga "vjedhja" tronditëse

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

3.5 milionë euro janë "avulluar" nga xhirollogaria e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Shuma prej gati 2.1 milionëve është bllokuar, teksa mbi 1.4 milionë të tjera janë transferuar tek palët e tjera, të treta. Të përfshirë në këtë rast është një përmbarues privat dhe Gjykata Komerciale e themeluar tash së voni nga Qeveria Kurti. Si ndodhi rasti dhe çka duhet të dini për këto mjete?

3.5 milionë euro është vlera e parave që janë “vjedhur” nga xhirollogaria e AKP-së dhe se deri më tani, për fatin e 1,421,980.85 euro nuk dihet, ndërsa është bllokuar një shumë prej 2,078,651.65 eurove.

Çka ndodhi?

Një procedurë apo vendim përmbarimor, gjyqësor, nuk mund të merret ndaj një kompanie që është shpallur në likudim nga AKP-ja. Por kjo gjë nuk ka ndodhur kështu, pasi 3.5 milionë euro janë tërhequr kundërligjshëm nga xhirollogaria e AKP-së.

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme më 2015 kishte marrë një udhëzim që ndaj kompanive që janë në likuidim nga AKP-ja, që të pezullohet çdo procedurë gjyqësore, administraive apo arbitrazh që është kundër ndërmarrjes dhe asteve të saj.

Mirëpo, sipas AKP-së edhe pse ishin të njoftuar për udhëzimin e Dhomës së Posaçme të Supremes, përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha dhe kompania “Steel Comodities AD” kishin inicuar procedurë përmbarimore.

Më datë 27 janar 2014 Steel Commodities ka parashtruar ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme ndaj vendimit të AL-së MIT138-0552 e cila është e regjistruar me numër C-IV-14-0446 dhe DhPGjS ende nuk ka nxjerrë ndonjë vendim në lidhje me këtë ankesë. Kërkesa e palës ishte e bazuar në vendimin e arbitrazhit të Odës Komerciale Ndërkombëtare të Parisit nr. 15386/FM të datës 05 Nëntor 2010. Paralelisht me procedurën që është duke u zhvilluar në DHPGJS, pala ka iniciuar procedurën përmbarimore në bazë të vendimit të arbitrazhit, duke anashkalur në këtë rast procedurën gjyqësore civile pranë kësaj dhome.” – thuhet në përgjigjen e AKP-së për Nacionalen.

Tutje, më datë 23 qershor 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë konkluzion përmes së cilit ka pezulluar procedurën në këtë çështje përmbarimore për arsye se ndërmarrja ishte në likuidim.

Më datë 23 qershor 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm ka nxjerrë Konkluzion P.nr.90/20 përmes së cilit ka pezulluar procedurën në këtë çështje përmbarimore për arsye se Ndërmarrja është në likuidim. Kërkesën në fjalë e ka refuzuar Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm me Konkluzionin e datës 31 maj 2021 dhe e ka rikonfirmuar Konkluzionin e datës 23 qershor 2020, P. nr.90/20 dhe ka vendosur që procedura të mbetet e pezulluar në përshtatshmëri me Ligjin Nr. 04/L-034 për AKP-në dhe Udhëzimin C-IV-14-1607.” – thuhet në përgjigjen e AKP-së dhënë Nacionales.

Pas kësaj, pala ishte ankuar në Gjykatën Komerciale e themeluar në muajin gusht 2022 nga Qeveria Kurti.

Pas ankesës, kjo gjykatë kishte nxjerrë Aktvendimin me të cilin ka lejuar vazhdimin e procedurës përmbarimore, në kundërshtim me udhëzimin e Dhomës së Posaçme të Supremes.

Përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha, që ka qëlluar të jetë vëllai i deputetës së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kishte tërhequr nga AKP-ja, më saktësisht nga llogaria e ndërmarrjes “NewCo Llamkos Steel” (në likuidim) në Bankën Qendrore të Kosovës, mjetet në mënyrë të kundërligjshëm duke mos-respektuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas AKP-së, pavarësisht masave të nevojshme që aktvendimi të mos ekzekutohet, më 29 dhejtor, Mulhaxha kishte lëshuar urdhërin për transfer ndaj BQK-së, ku në bazë të së cilit, janë tërhequr 3,500,632.50 nga llogaria bankare e Newco Llamkos, në llogarinë bankare të përmbaruesit.

Transferi i tillë bankar i përmbarimit është ekzekutuar në kundërshtim me nenin 10 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së dhe Udhezimin nr. C-IV-15-1607 të Dhomës së Posacme të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me ndalimin e ekzekutimit te permbarimeve nga fondet ne likuidim.” – kanë thënë nga AKP-ja.

Për udhëzimin e Dhomës së Posaçme të Supremes ishin të njoftuar Gjykatat Themelore, Ministrina e Drejtësisë, Ministrina e Financave dhe BQK-ja.

Më tej, për këtë rast AKP-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj zyrtarëve të institucioneve të tjera. Nuk dihet se për cilët zyrtarë bëhet fjalë.

AKP ka paraqitur kallëzim penal ndaj zyrtarëve të disa institucioneve tjera. Kallëzimi penal është deponuar më 30 dhjetor 2022 pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.” – kanë thënë nga kjo agjenci.

Për ekzkutimin e 3.5 milionë eurove, është folur edhe në Kuvendin e Kosovës gjatë javës së kaluar.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e kishte quajtur Gjykatën Komerciale, gjykatë jokompetente

Janë ekzekutuar 3.5 milionë euro nga xhirollogaria e mirëbesimit, fonde të AKP-së, që qëndrojnë në Bankën Qendrore të Kosovës. Po e them janë ekzekutuar nga një gjykatë jokompetente dhe përmbarues. E dimë të gjithë që për çështje të privatizimit është ekskluzivisht Dhoma e Posaçme pranë Gjykatës Supreme. Këto 3.5 milionë euro janë ekzekutuar me urdhër të gjykatave tjera. Krejt çka kemi parë është se ministrja e Drejtësisë ka suspenduar një përmbarues privat me kërkesë të AKP-së në lidhje me këtë rast.” – kishte thënë Bajrami.

Më tej, ajo kishte ngritur dyshime se parat prej 1.4 milionë eurove janë disbursuar në llogari të gjykatësve dhe prokurorëve.

Sipas informatave që kemi AKP-ja ka reaguar dhe prokuroria ka arritur t’i bllokojë 2.1 milionë euro. Mirëpo, fondet e AKP-së që janë disbursuar tani në llogari të gjykatësve dhe prokurorëve janë 1.4 milionë euro.” – kishte deklaruar ajo.

Kush është përmbaruesi Ilir Mulhaxha?

Përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha është vëllai i deputetës së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Mulhaxha tashmë është supsenduar më 10 janar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas ankesës së AKP-së.

Mulhaxha dyshohet se ka bërë shkelje flagrante të dispozitave ligjore dhe akteve juridike përkatëse.

Mulhaxha edhe muaj më parë ishte suspenduar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Për këtë rast kishte folur edhe ministrja Haxhiu, duke thënë se nuk do të tolerohet të realizohen interesat personale në mënyrë të kundërligjshme.

Sot, në kuadër të kompetencave ligjore kam marrë vendim për suspendimin e përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha. Ky vendim është marrë pas kërkesës së AKP-së për inicimin e procedurës disiplinore ndaj permbaruesit privat, mbi bazën e shkeljeve ligjore të pretenduara. Andaj, për t'u siguruar që procedura disiplinore zhvillohet pa pengesa dhe pa asnjë ndikim, kam marrë vendim siç përcaktohet në dispozitiv. Nuk mund të tolerojmë që mbi kurrizin e interesit të përgjithshëm të realizohen interesa të kundërligjshme personale.” – kishte thënë ministrja Haxhiu.

Për të mos harruar, AKP-ja ishte premtuar nga kryeministri, Albin Kurti që do të shuhet, por deri më tani kjo Agjenci vazhdon të funksionojë.

Lajme të ngjashme