Jo një, po dy herë: Çka ka ndodhur me vendimin e Haxhiut për suspendimin e vëllait të Kollçakut?
Jo një herë, po dy herë, duket se e ka suspenduar nga puna përmbaruesin privat, Ilir Mulhaxha, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Si qëndron puna?
Më datë gjashtë dhjetor Ministria e Drejtësisë do të konfirmonte se e ka suspenduar nga puna Ilir Mulhaxhën, i cili njëherit, është vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku – Mulhaxha. Vendimi i njëjtë, është marrë edhe dje.
6 dhjetor
Në llogarinë e ministres Albulena Haxhiu në Facebook, tash nuk figuron ndonjë postim i datës gjashtë dhjetor.
Por pikërisht atë kohë, Nacionale kishte raportuar për suspendimin nga puna të përmbaruesit privat. Sidoqoftë, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, duket se ende e ka “publik”, postimin ku lajmërohet për një gjë të tillë.
“Ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë për t'i pasuruar orkestruesit e tenderëve që lidheshin qëllimisht në disfavor të Kompanisë!” – thuhet në këtë postim.
10 janar
Ndërkohë të martën, ministrja Haxhiu sërish do të lajmëronte për suspendimin nga puna e personit të njëjtë, duke publikuar madje edhe vendimin.
Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu ka thënë se pas kërkesës së AKP-së për inicimin e procedurës, mbi bazën e shkeljeve të pretenduara, ka marrë këtë vendim.
“Nuk mund të tolerojmë që mbi kurrizin e interesit të përgjithshëm të realizohen interesa të kundërligjshme personale.” – thuhet në këtë postim.
Të dyja vendimet, nëse krahasohen, janë të njëjta përveç një paragrafi më tepër në atë që e publikoi dje ministja Haxhiu.
“Në këtë drejtim, dhe bazuar në të dhënat e kërkesës së parashtruar për inicimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat z.Mulhaxha, dhe si rrjedhojë e kallzimit penal të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës “AKP), Prokuroria Speciale më datë 04.01.2023 ka nxjerrë urdhër me të cilin ndalohet tërheqja e mjetëve nga llogaria bankare e përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha.” – thuhet në këtë paragraf.
Megjithatë, në të dyja vendimet, në pikën dy, shkruan se “vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”.
Pra, të dyja vendimet, ai i gjashtë dhjetorit dhe ai dhjetë janarit, kanë hyrë në fuqi në këto data.
Për çka u denoncua Mulhaxha?
Nuk dihet nëse suspendimi ka ndodhur për të njëjtin rast, por siç kishte raportuar Nacionale në dhjetor, një qytetar me emrin Feim Kelmendi, e kishte denoncuar publikisht përmbaresin Ilir Mulhaxha.
“Kur jemi te dhuna psikologjike une personalisht qe nje kohe te gjate e ndjeje qe eshte duke u ushtruar dhune aq e madhe psikologjike ndaj meje nga nje permbarues privat (Ilir Mulhaxha) sa qe me ndodh shpesh qe edhe enderr e shoh ate kriminel.” – kishte thënë ai.
Ai madje, kishte thënë se “ky person ka një mburojë të hekurt nëpër institucione”.
“Po te kishte instrument qe mat nivelin e dhunes qe une e ndjej qe me shkaktohet nga ky person dhe po te kishte shtet sic duhet ky njeri do te perfundonte ne burg te perjetshem. Fatkeqsisht kam bindje qe ky person ka nje mburoje te hekturt neper institucione qe askush nuk guxon te mirret me te. Fal zotit qe nivelin e durimit e kam shume te larte sepse perndryshe moti do te kisha perfunduar une ne burg ne vend te tij.” – kishte shkruar z.Kelmendi.
