“Duhet vrarë burimin”: Pse Kurti po e sulmon kaq ashpër e me nervozë LDK-në? - NACIONALE

“Duhet vrarë burimin”: Pse Kurti po e sulmon kaq ashpër e me nervozë LDK-në?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës në seancat e fundit të Kuvendit ka shfaqur një nervozë interesante, të drejtuar vetëm kah njëra parti parlamentare: LDK-ja. Çka po e bën Kurtin nervoz te kjo parti që drejtohet nga Lumir Abdixhiku? Për ta marrë vesh një gjë të tillë, folëm me ish-kryetarin e Albin Kurtit në Vetëvendosje, Visar Ymerin.

Kurti gjatë ditës së djeshme i bëri edhe një sulm personal shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashit. Sipas tij, ai e kishte sulmuar Gashin pasi ai i ndërhynte në fjalime. E Gashi tha se thjesht i kishte thënë “dobët kryeministër”.

Megjithatë, Kurti ka rrëshqitur në nivel personal me LDK-në edhe në të kaluarën. Në seancën e 2 shkurtit, ai krahasoi Avdullah Hotin e Lumir Abdixhikun me vartësit e tij Besnik Bislimin dhe Hekuran Muratin. Sipas tij, këta të fundit ishin shumë më të mirë e më të guximshëm.

Por, pse Kurti po e sulmon specifikisht LDK-në kur kritikat atij po i vijnë edhe nga PDK-ja e AAK-ja.

Visar Ymeri, ish-kryetari i Vetëvendosjes, beson se Kurti rrëshqet në sulme personale për shkak të humbjes së një debati të madh me këtë parti politike.

“Veprimet e fundit të Kryeministrit Kurti në raport me dialogun, të shprehura veçanërisht ne debatin e djeshëm parlamentar paraqesin një zhvendosje serioze konceptuale nga LVV dhe Kurti i dikurshëm. Deri në dhjetorin e vitit të kaluar Kurti sillej sikur sovraniteti shtetëror është absolut dhe se shtrirja e tij (thellësia institucionale e gjerësia gjeografike) burojnë nga vullneti i brendshëm politik e aspak nga rrethanat e jashtme gjeopolitike e partneriteti ndërkombëtar. Ndërkohë që LDK e kryetari i saj Abdixhiku mbanin qëndrimin e kundërt: që vullneti i brendshëm politik realizohet vetëm atëherë kur bashkërendohet e njëjtësohet me partnerët ndërkombëtarë në rrethana të caktuara gjeopilitike. Në debatin e djeshëm (por edhe në përplasjet e javës së kaluar) Kurti realisht, edhe pse jo në të folme e në mënyrë eksplicite, e pranoi se koncepti i tij ka dështuar e ai i Abdixhikut (por edhe i opozitës në përgjithësi) ka fituar.”

Në një veprim të çuditshëm, Kurti i drejtohej kryetarit të LDK-së me fjalët: “A po më propozoni që të shkojmë me forcë në veri?” Kjo ishte e çuditshme pikërisht pasi ai vet kishte propozuar një gjë të tillë.

Në anën tjetër, Abdixhiku e sulmonte Kurtin – siç ka bërë vazhdimisht tash e disa javë – për mungesën e institucioneve të vendit në veri, që sipas tij erdhën shkaku i politikave të gabuara të kryeministrit dhe moskoordinimit me partnerët e Kosovës. Kjo përmendet sërish nga z. Ymeri në përgjigjen e tij për Nacionalen.

“Ju kujtohet se si javën e kaluar e sulmonte LDK-në në Kuvend pikërisht me shprehjen “A po propozoni që ta dërgojmë policinë në Veri?” Pra tash Kurti po thotë që në Veri problemi nuk zgjidhet me polici, ashtu siç i thoshin opozita kur ky mësynte në kundërshtim me kërkesat e ShBA-ve. Tash, ky Kurti i ri, i çalbinizuar, po e gjen veten befas brenda një koncepti të ri politik – që nuk është i tij, e që është tradicionalisht i LDK-së.”

Por, a po e pranon Kurti humbjen e tij karshi LDK-së në këtë formë?

“Për ta përvetësuar konceptin duhet vrarë burimin.” – shtoi ai.

Ymeri i tha Nacionales se Kurti e kishte humbur edhe debati për ekonominë me LDK-në.

“Për më tepër se kaq duket se Kurti po e kupton se edhe debatin për ekonominë e ka humbur në raport me LDK-në. Një panik të tillë na e tregon videoja ku LDK sulmohet si e padijshme ekonomikisht. Nëse LDK është e padijshme në rrafshin ekonomik, dhe nëse këtë qytetarët e Republikës e dijnë, atëherë pse pati nevojë VV të na tregojë? Mbase për shkak se VV po frikësohet se qëndrimet e LDK po rezonojnë te qytetarët? Përzgjedhja e Lumir Abdixhikut dhe Abdullah Hotit si shënjestra të sulmit dhe krahasimi me Besnik Bislimin dhe Hekuran Muratin tregon që Kurti është në panik nga qëndrimet e LDK për ekonominë te shprehura kryesisht nga këta dy përfaqësues të LDK-së." - argumentoi Ymeri.

Megjithatë, sulmet e Kurtit ai i sheh edhe si mundësi të një trembjeje elektorale.

Këto sulme janë edhe luftë për koncepte (pra përvetësim konceptesh) edhe garë elektorale (meqë qartazi në sondazhe zakonisht shihet se rritja e LDK-së nënkupton rënie të VV-së dhe anasjelltas). Kurti po shndërrohet në një sondazh goxha të saktë – ata që i sulmon janë ata që po rriten.” – u shpreh ai.

Lajme të ngjashme