Kritika të shumta ndaj Abazoviqit, kryeministri malazez drejt shkarkimit - NACIONALE

Kritika të shumta ndaj Abazoviqit, kryeministri malazez drejt shkarkimit

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq njoftoi sot se është nënshkruar marrëveshja themelore mes Malit të Zi dhe Kishës Serbe.

E njëjta nënkupton rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe kishës.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, shteti malazez obligohet karshi kësaj bashkësie fetare. Si për shembull, Kishës i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, i mundësohet mësimi fetar në shkolla publike, vlerësohet për institucion me subjektivitet historik 6 shekullor, i ofrohen të drejta publiko-juridike, etj.

Duhet kujtuar se qeveria e Malit të Zi pati dhënë dritën e gjelbër për këtë marrëveshje me 8 korrik. Kjo dakordancë e qeverisë malazeze me Kishën Serbe ia kishte humbur mbështetjen e shumicës Abazoviqit, dhe një gjë e e tillë po e dërgon drejt rrëzimit, kryeministrin e parë me origjinë shqiptare në këtë shtet.

Marrëveshja që po kundërshtohet ashpër

Kjo marrëveshje ka shkaktuar shumë reagime, duke nxitur opozitën e Frontit Demokratik që të kërkojë dorëheqjen e Abazoviqit. Porse ky i fundit, i ka refuzuar këto kërkesa, duke pohuar se nuk do të ofrojë dorëheqjen.

Partia e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq ka filluar sot nismën për t’i tërhequr besimin e dhënë ndaj qeverisë së vendit, të udhëhequr nga Dritan Abazoviq, raporton Vijesti.

Për më tepër, në rrjetin social Twitter kjo parti ka njoftuar se iniciativa, është e hapur për të gjithë ata që besojnë se qeveria është e papërgjegjshme ndaj interesave kombëtare të Malit të Zi.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re”, shkruan në postimin e tyre në Twitter.

Po ashtu në vendin fqinj, ka filluar një protestë në lidhje me këtë çështje.

Kësisoj, dhjetëra qytetarë veçse kanë filluar grumbullimin, me qëllim protestimin kundër nënshkrimit të sotshëm të Abazoviqit me Kishën Ortodokse Serbe.

Në një bisedë për Nacionalen ndërkaq, gazetari nga Mali i Zi, Haxhi Shabani theksoi se janë dy skenarë për situatën politike në këtë vend.

Mendoj se janë dy skenare të mundshme, por që nuk përjashtohet edhe ndonjë tjetër. Pasi, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq, tashmë me vendimin e saj për mospërkrahjen e këtij vendimi të Qeverisë së Malit të Zi, qeveria pakicë humb përkrahjen e shumicës në Parlamentin e Malit të Zi... si rrjedhim qeveria që udhëhiqet nga kryeminstri Dritan Abazoviq bie. Por ekziston mundësia që këtë qeveri pakicë ta përkrahë opozita e përbërë nga Fronti Demokratik dhe Demokratët, pasi këto subjekte janë angazhuar pikërisht për arritjen e marrëveshjes Qeveri e Malit të Zi-Kishë Ortodokse Serbe. Po të ndodhë ky skenar Qeveria e udhëhequr nga z. Abazoviqi mund të mbijetojë, megjithëse atëherë ky i fundit do të humbte identitetin e tij politik.” - ka thënë ai për gazetën.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq ka thënë se kryeministri Abazoviq nuk ka të drejtë të ratifikojë asgjë më shumë sesa gjyshja e tij.

“Shumë është bërë në këtë vend me mashtrim. Ka sanksione për gabimet dhe sukseset. Kryeministër, kjo nuk ishte as një ditë e bukur dhe as e përshtatshme. Ju nuk keni të drejtë të ratifikoni asgjë, më shumë se gjyshja ime”, tha Krivokapiq.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ranko Krivokapiq, duke cituar një dokument të brendshëm nga Brukseli, i cili ende nuk ka mbërritur zyrtarisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme, tha se për shkak të Marrëveshjes Themelore, draft raporti i Komisionit Evropian për Malin e Zi për vitin 2022 është mjaft negativ.

Reagime nga Kosova

Për gazetarin nga Kosova, Vehbi Kajtazi, kryeministri i Malit të Zi, është tradhtar i shtetit dhe i popullit.

"Vjen një shqiptar në pushtet në Mal të Zi, e bëhet tradhtari ma i madh i shtetit dhe kombit malazias. Ky është Dritan Abazoviq!", shkroi ai.

Edhe analisti Ilir Mirena është shprehur kundër kësaj marrëveshje të Abazoviqit me Kishën Ortodokse Serbe.

Përmes një postimi ku i ka bashkangjitur fotografinë e aktit të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Mirena ka shkruar me ironi kundër atyre që e kishin mbështetur kryeministrin shqiptar të Malit të Zi.

“Shumë e yryshin e keni pas bo mas këtij Abazoviqit, Zoti rahmet baftë n’juve”, ka shkruar Mirena.

Kujtojmë se 36 deputetë të Kuvendit të Malit të Zi sot kanë paraqitur mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë të drejtuar nga Dritan Abazoviq.

Siç thuhet në deklaratën e përbashkët të deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Partisë Socialdemokrate (SDP), Partisë Liberale (LP), Socialdemokratëve (SD) dhe Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve (DUA) arsyeja e këtij mocioni është mungesa e rezultateve të Qeverisë në drejtim të zbatimit të prioriteteve që u përcaktuan gjatë zgjedhjes së saj, derisa kulmi sipas tyre u vu nga marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe.

“Për më tepër, sjellja injorante e kryeministrit Dritan Abazoviq ndaj pikëpamjeve të institucioneve më të rëndësishme shkencore në vend, si dhe ekspertëve të shquar dhe organizatave të shoqërisë civile, dhe duke i vënë në plan të parë marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe ka çuar në ngritje të tensioneve në shoqëri dhe në humbjen e pakthyeshme të kohës së nevojshme për përmbushjen cilësore të detyrimeve nga agjenda evropiane. Kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin”, thuhet në deklaratë, shkruan Vijesti.

Lajme të ngjashme