IZOLIM| Kurti përshkallëzon marrëdhëniet me aleatët sërish, e çortojnë e s'e takojnë në zyrë - NACIONALE

IZOLIM| Kurti përshkallëzon marrëdhëniet me aleatët sërish, e çortojnë e s'e takojnë në zyrë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Që nga zgjedhjet e 7 qershorit, nuk ka asnjë evidencë në profilin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se ai ka takuar ndonjërin nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it në zyrën e tij.

Me dialogun strategjik të pezulluar nga SHBA-ja, si dhe me qortimet e njëpasnjëshme nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe të gjitha vendet e QUINT-it, Kurti ka vazhduar t’i përshkallëzojë marrëdhëniet me aleatët.

Ndonëse SHBA-ja, përmes rrugëve zyrtare dhe jozyrtare, i bëri thirrje qeverisë për implementimin e projektit për gazin amerikan, Kurti, herë personalisht e herë përmes vartëses së tij, Artane Rizvanolli, u shpjegoi amerikanëve arsyet pse, sipas tyre, projekti ishte i papranueshëm.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës e vendeve të tjera, reaguan disa herë brenda pak ditësh ndaj vendimeve të Kosovës.

Madje, këtë të enjte u shënua një rast edhe më interesant në marrëdhëniet ndërmjet aleatëve dhe partisë në pushtet. Teksa nesër pritet të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku do të shqyrtohet çështja e tërheqjes së dorëheqjeve të serbëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë, partia në pushtet nisi një parafushatë duke u bërë presion anëtarëve të KGJK-së, me pretendimin se, nëse nuk i miratojnë tërheqjet e dorëheqjeve, atëherë "i shërbejnë Vuçiqit".

Këtë parafushatë e nisi deputetja e zgjedhur Adriana Matoshi, e cila është e afërt me koordinatoren e politikave në Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe për të cilën është raportuar disa herë se i pranon të gatshme shkrimet prej saj.

Parafushata dhe presioni vazhduan edhe nga Mefail Bajçinovci, Arbreshë Hyseni dhe eksponentë të tjerë të partisë.

Ajo që ishte interesante në këtë rast është se Bashkimi Evropian lëshoi një komunikatë, duke kërkuar që të ndalet presioni ndaj KGJK-së para vendimit të së nesërmes.

"Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Kosovë", thuhet, ndër të tjera, në reagimin e BE-së.

Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat veç e veç, reaguan edhe për votimin në KPK dhe dekretin e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për pranimin e dorëheqjeve të serbëve që punonin në prokurori dhe që ishin dorëhequr rreth katër vjet më parë. Pra, bëhet fjalë për dorëheqje që kishin qëndruar në sirtarë për vite të tëra.

Vilat në Ujman

Rrënimi i shtëpive pranë liqenit të Ujmanit nga autoritetet e Kosovës, ndërkohë që procedurat gjyqësore ende nuk kishin përfunduar, ka shkaktuar reagime të ashpra nga vendet e QUINT-it.

Vendet e QUINT-it, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, kanë shprehur shqetësim për veprimet e pushtetit aktual, duke theksuar mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës.

Fillimisht, Zyra e BE-së theksoi se është e shqetësuar për këtë veprim të qeverisë në detyrë, duke nënvizuar se roli i Policisë së Kosovës duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor.

"Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme. Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur", thuhet, ndër të tjera, në reagimin e BE-së.

Reagim të menjëhershëm dhe me tone po ashtu të ashpra pati edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, e cila tha se është thellësisht e shqetësuar për këto rrënime.

"Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ndan shqetësimet e shprehura nga BE-ja. Jemi thellësisht të shqetësuar për rrënimin e shtëpive pranë liqenit të Ujmanit. Respektimi i procedurave të rregullta ligjore dhe zbatimi i parimeve të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës", thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.

Ndërkaq, Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë deklaroi se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe të paanshme në të gjithë Kosovën.

Sipas ambasadës, shqetësues është fakti që ky aksion është kryer ndërkohë që proceset gjyqësore ende janë në vazhdim.

"Respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, ku personat e prekur të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat e tyre. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga raportimet se veprimet për zbatimin e vendimeve janë ndërmarrë ndërkohë që procedurat gjyqësore ende janë në vazhdim", thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike.

"U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen me komunitetet e prekura, t’i trajtojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund ta minojnë besimin e publikut ose besimin ndërmjet komuniteteve", thuhet më tej në reagim.

Edhe Ambasada e Italisë në Prishtinë iu bashkua shqetësimit të ngritur nga Bashkimi Evropian për rrënimin e shtëpive pranë liqenit të Ujmanit, duke shpërndarë reagimin e BE-së në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Po ashtu, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, deklaroi se Franca pajtohet me deklaratën e BE-së.

Ndërkohë që tensionet ndërmjet Kurtit dhe aleatëve janë rikthyer, ai vazhdon të mbetet kryeministër në detyrë, pasi që nga certifikimi i rezultateve, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka thirrur seancën konstituive.

Lajme të ngjashme