Përkundër kundërshtimeve, Abazoviq nënshkruan marrëveshjen me Kishën Serbe - NACIONALE

Përkundër kundërshtimeve, Abazoviq nënshkruan marrëveshjen me Kishën Serbe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka njoftuar se Marrëveshja Themelore në mes Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, është nënshkruar të mërkurën.

Duhet kujtuar se qeveria e Malit të Zi pati dhënë dritën e gjelbër për këtë marrëveshje me 8 korrik. Sipas kësaj marrëveshje rregullohet marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse serbe.

Në bazë të kësaj marrëveshje shteti malazez obligohet karshi kësaj bashkësie fetare. Si për shembull, Kishës i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, mundësohet mësimi fetar në shkolla publike, vlerësohet për institucion me subjektivitet historik 6 shekullor, i ofrohen të drejta publike-juridike, etj.

Kjo marrëveshje ka shkaktuar shumë reagim, duke nxitur opozitën e Frontit Demokratik që të kërkojë dorëheqjen e Abazoviqit. Porse ky i fundit, i ka refuzuar këto kërkesa, duke pohuar se nuk do të ofrojë dorëheqjen.

Ndërkohë, partia e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq ka filluar sot nismën për t’i tërhequr besimin e dhënë ndaj qeverisë së vendit, të udhëhequr nga Dritan Abazoviq, raporton Vijesti.

Për më tepër, në rrjetin social Twitter kjo parti ka njoftuar se iniciativa, është e hapur për të gjithë ata që besojnë se qeveria është e papërgjegjshme ndaj interesave kombëtare të Malit të Zi.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re”, shkruhet në postimin e tyre në Twitter.

Po ashtu në Mal të Zi një organizim proteste në lidhje me këtë çështje ka filluar. Kësisoj, dhjetra qytetarë veçse kanë filluar grumbullimin, me qëllim protestimin kundër nënshkrimit të sotshëm të Abazoviqit, me Kishën Ortodokse Serbe.

E ardhmja e Abazoviqit

Siç kishte shkruar kohë më parë Nacionale, Marrëveshja me Kishën Serbe ia kishte humbur mbështetjen e shumicës Abazoviqit. Një gjë e tillë, do të çojë drejt rrëzimit të kryeministrit të parë me origjinë shqiptare në këtë vend.

Gazetari nga Mali i Zi, Haxhi Shabani në një bisedë për Nacionalen, theksonte se janë dy skenarë për situatën politike në këtë vend.

Mendoj se janë dy skenare të mundshme, por që nuk përjashtohet edhe ndonjë tjetër. Pasi, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq, tashmë me vendimin e saj për mospërkrahjen e këtij vendimi të Qeverisë së Malit të Zi, qeveria pakicë humb përkrahjen e shumicës në Parlamentin e Malit të Zi... si rrjedhim qeveria që udhëhiqet nga kryeminstri Dritan Abazoviq bie. Por ekziston mundësia që këtë qeveri pakicë ta përkrahë opozita e përbërë nga Fronti Demokratik dhe Demokratët, pasi këto subjekte janë angazhuar pikërisht për arritjen e marrëveshjes Qeveri e Malit të Zi-Kishë Ortodokse Serbe. Po të ndodhë ky skenar Qeveria e udhëhequr nga z. Abazoviqi mund të mbijetojë, megjithëse atëherë ky i fundit do të humbte identitetin e tij politik.” - ka thënë ai.

Kujtojmë që pas nënshkrimit të marrëveshjes, partia e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviqit, e kishte bërë të qartë kundërshtimin ndaj kësaj marrëveshje. Për më tepër, ai pati bërë të qartë se në rast të nënshkrimit të kësaj marrëveshjes, do të iniciojë votëbesim ndaj qeverisë së Abazoviqit.

Porse thirrjes për tërheqjen e besimit ndaj qeverisë së Abavozicit, partia prej nga vjen ai URA iu është përgjigjur nëpërmjet një njoftimi. Në shkrimin e lëshuar për publik URA pohon se nuk ka një shumicë të kërkuar të deputetëve që të kalojë një votëbesim ndaj qeverisë së Abazoviqit.

Ne besojmë se Parlamenti i Malit të Zi dhe partitë në të do të dinë të përcaktohen në mënyrën e duhur sipas një politike shtetërore të përgjegjshme dhe racionale kundër intolerancës, tensioneve të pabaza, problemeve dhe ekstremizmit”, shkruhet në njoftimin e partisë URA.

Ndërsa vetë Abazovic, në reagimin e tij pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, deklaroi se ai është i fokusuar më tepër tek probleme të përditshme të qytetarëve.

“Vazhdojmë, të fokusuar në një standard më të mirë jetese për qytetarët”, ka shkruar në një postim në Facebook, të lëshuar si reagim ndaj situatës së krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën serbe.

Lajme të ngjashme