Krinxhologji: Harrojeni autobusin, virale ishte bërë fatura e një mjeku – me ide tajlandeze - NACIONALE

Krinxhologji: Harrojeni autobusin, virale ishte bërë fatura e një mjeku – me ide tajlandeze

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Skena ku një motoçiklist i del përpara një autobusi për të marrë një burrë të moshuar e mori dhenë ditëve të fundit në Kosovë. Gazeta Nacionale e çmontoi mitin, duke bërë të qartë se bëhej fjalë për ide të kopjuar e skenë “me regji”. Ky s’është rasti i vetëm i kopjimit të ideve që “dhezin”. Le të udhëtojmë pak prapa në kohë, jo më larg se në vitin 2022, për t’u rrëqethur nga një ide tjetër e kopjuar, që gjithashtu kishte marrë dhenë.

Ishte fillimi i verës së vitit 2022. Veterani i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, kishte njoftuar se i ishte lëshuar një faturë e pazakonshme pas vizitës te mjeku, raporton gazeta Nacionale.

“Pas të gjitha kontrollave mjekësore, dhe pas të gjitha analizave, kur vie koha e pagesës kjo është fatura. Përgjigjja e mjekut ishte, se pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe pa sakrificën e juaj ne nuk do të ishim këtu ku jemi. Ky veprim ishte tepër emocionues për mua” – kishte shkruar Qeriqi.

Pa dyshim, veprim për t’u përshëndetur i mjekut, por as ideja e tij, si ajo e motoçiklistit, nuk është origjinale. Sipas të gjitha gjasave, mjeku ishte motivuar nga një reklamë prekëse në Tajlandë, skenari i së cilës është pak më ndryshe, por thelbi është i njëjtë.

Reklama tajlandeze

Një fëmijë kapet nga farmacistja duke vjedhur ilaçe në një barnatore. Një tregtar e sheh qortimin e fëmijës në rrugë, i cili thotë se ilaçet i kishte për nënën e vet të sëmurë. Tregtari ia paguan ilaçet farmacistes dhe, përpos tyre, djalit të vogël i jep edhe një supë nga lokali i tij.

Disa vite më vonë, tregtari që e kishte bërë gjestin e mirë pëson sulm në zemër ose në tru dhe dërgohet në spital. Vajzës së tij i jepet fatura e spitalit, e cila është e papërballueshme. Ajo shqetësohet dhe mërzitet dhe detyrohet që ta nxjerrë shtëpinë në shitje.

Sidoqoftë, një ditë, përderisa po qëndronte pranë babait, mbi trupin e tij gjen ca letra. Janë faturat me 0 borxh. Mjeku që po kujdesej për burrin në spital ishte djaloshi që ky ia kishte dhënë supën dhe ia kishte paguar ilaçet, kur mjeku ishte fëmijë. Vërtet prekëse.

“Të gjitha shpenzimet janë paguar para 30 vjetëve – me tri pako të ilaçeve kundër dhimbjes dhe me një qese supë perimesh” – thuhet në letrën e mjekut.

Në faturën e mjekut kosovar thuhet: “Pagesen e shërbimit te sotëm e ke bere me 1999, qat kije nevoje [çfarëdo që ke nevojë] je i mirëseardhur te ne.”

Situata goxha të ngjashme, lexues të nderuar, apo jo?

Lajme të ngjashme