Krasniqi: Qeveria mos të fshihet pas KFOR-it, të hiqen barrikadat në veri - NACIONALE

Krasniqi: Qeveria mos të fshihet pas KFOR-it, të hiqen barrikadat në veri

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të fshihet pas KFOR-it.

Sipas tij, barrikadat duhet të tërhiqen, pasi ato janë vendosur tash e disa kohë dhe nuk guxojmë të vonohemi më shumë.

Veç kësaj, siç thotë i pari i demokratëve kosovarë, partia që ai drejton ka qenë e qartë në kërkesën dhe ftesën e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare sa i përket denoncimit të veprimeve anti-shtet nga strukturat e dirigjuara nga Beogradi zyrtar.

“PDK ka qenë e qartë në kërkesën dhe ftesën e saj ndaj bashkërisë ndërkombëtare, që t’i denoncojë veprimet anti shtet ndaj Kosovës, të kontrolluara dhe të dirigjuara nga Beogradi zyrtar në mënyrë të veçantë kundër bandave kriminale.

Kjo do ishte si hap i parë i nevojshëm në mënyrë që pastaj të ketë një koordinim mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it për t’i lëvizur këto barrikada. Ne kemi pasur situata të tilla edhe në të kaluarën, por i kemi hequr barrikadat. Nuk mundet qeveria të fshihet pas KFOR-it, qeveria duhet ta zbatojë Kushtetutën dhe ligjet, përndryshe duhet ta deklarojnë paaftësinë e vet për të qenë qeveri e Kosovës”, ka thënë fillimisht ai për KosovaPress.

Tutje, Krasniqi pranoi faktin se tash e disa kanë ftuar ekzekutivin që të merret seriozisht me çështjen e barrikadave në veri, duke pohuar se ato nuk guxojnë të kthehen në normalitet.

“Ka disa ditë që kemi ftuar Qeverinë e Kosovës që të merret seriozisht me çështjen e barrikadave në veri. Nuk guxon që barrikadat të kthehen në normalitet, nuk të bëhen barrikadat pjesë e përditshmërisë, sepse qëllimi i bandave kriminale që i kontrollon presidenti serb Vuçiq që po i shtojnë këto barrikada dita ditës, është që këto të bëhen normaliteti i ri në veri. Do të ishte dështim i qeverisë dhe institucioneve udhëheqëse të vendit tonë nëse dorëzohen para kësaj qasje”, vazhdoi Krasniqi.

Barrikada

Veriu vazhdon të jetë nën barrikada në fundin e vitit 2022. Pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq nga autoritetet e kosovare, i cili dyshohet se organzoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në veri, më 10 dhjetor, serbët lokalë përsëri kanë ngritur barrikada përmes disa kamionëve në rrugët që qojnë në pikat kufitare në veri.

Derisa barrikadat vazhdojnë të bllokojnë rrugët e Kosovës, Serbia vazhdon të ‘shqyrtojë’ vendimin për t’i kthyer 1000 trupa të armatosura në Kosovë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Megjithatë kjo ëshë konsideruar e papranueshme edhe nga palët ndërkombëtare, të cilët kanë dënuar sulmet ndaj autoriteteve policore të EULEX-it dhe kanë bërë thirrje të largohen menjëherë bllokadat serbe në pikat kufitare.

Historia

Që prej 17 shkurtit të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, veriu i vendit ka qenë përpjekje e vazhdueshme për kontroll nga autoritetet e Republikës së Kosovës për të shtrirë sovranitetin në atë pjesë.

Megjithatë, pas çdo intervenimi kishte rezistencë të vazhdueshme nga serbët, të cilët vendosnin barrikada në rrugët e veriut.

Në vazhdimësi, intestifikimeve të Kosovës për të vënë kontroll në atë pjesë, serbët u përgjigjeshin me barrikadime të rrugëve kufitare dhe jo vetëm.

Lajme të ngjashme