8 ditë barrikada, policët në Jarinje dyshohet se nuk janë zëvendësuar: Çka dihet deri tash?
Sot janë bërë tetë ditë që prej vendosjes së barrikadave në disa pika në veri të Kosovës. Institucionet deri më tash nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për largimin e tyre, ndërsa është kërkuar ndihmë nga KFOR-i. Zyrtarët që po qëndrojnë në Jarinjë, dyshohet se janë bllokuar atje dhe nuk janë zëvendësuar që tetë ditë. Çka dihet deri tash rreth kësaj?
Burime të Nacionales kanë thënë se në pikën kufitare në Jarinje, tash e tetë ditë zyrtarët policorë, dhe doganierët, nuk janë zëvendësuar.
Ky burim, na ka thënë se bëhet fjalë për rreth 20 zyrtarë.
Sindikata: Shëndeti dhe jeta e tyre është e rrezikuar
Kështu ka thënë Sindikata e Policisë së Kosovës të premten në një komunikatë për media, ku shprehu shqetësimet në lidhje me këtë situatë.
Në reagimin e tyre, po ashtu theksohej qartë zyrtarët policorë në Leposaviq dhe Jarinje, kanë mbetur të bllokuar pas barrikadave të vendosura atje.
“Me të njejtin qëllim qëndrojnë zyrtarët policorë edhe në dy lokacionet e veriut të vendit, në Leposaviq dhe Jarinje ku janë të bllokuar nga barikadat e vendosura nga grupe jolegjitime kriminale. Bllokimi i rrugëve ka hyrë në ditë në tetë dhe si pasojë është cenuar lëvizje e lirë e qytetarëve dhe organeve të rendit dhe zyrtarët policor në Leposaviq dhe Jarinje kanë mbetur të bllokuar pa pasur mundësi t’ju bëhet ndrrimi sipas rregullave për funksionim normal.” – thuhej në komunikatë.
Mes tjerash, sindikata i ka bërë thirrje urgjente presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe vendeve të QUINT-it që të mundësohet zëvendësimi i zyrtarëve policorë menjëherë.
“Zyrtarët policor në këto dy lokacione të bllokuara po qëndrojnë me moral shumë të lartë, por shëndeti dhe jeta e tyre është e rrezikuar seriozisht për shkak të kushteve të vështira të krijuara nga rrethanat dhe ambienti në të cilin qëndrojnë.” – u bë e ditur në fund të komunikatës.

Policia s’pranon të flasë rreth situatës
Nacionale ka kontaktuar me policinë e Kosovës, por nga ky institucion, nuk kanë pranuar të flasin rreth këtij rasti.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i tha Nacionales se për situatën në veri, nuk jepen “përgjigje individuale”.
“Për situatën në veri janë me dhjetëra komunikata që janë lëshuar për të gjitha mediat pa dallim DHE asnjë përgjigje individuale.” – tha ai.
Nacionale ka dërguar pyetje edhe në Doganën e Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.
Qeveria e pret KFOR-in që t’i largojë barrikadat
Ditë me parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke e pritur KFOR-in për t`i larguar barrikadat, duke shtuar se janë kthyer në pengesë edhe për qytetarët serbë.
Por në deklaratën e kryeministrit Kurti, nuk përmendej diku policia e Kosovës.
"Mbase me se miri do të ishte të hiqen prej atyre që janë vendosur. Mirëpo ata që i kanë vendosur barrikadat janë vendosur edhe vetë në barrikada, madje me armatim. Nuk janë këto barrikada civile. Në anën tjetër, ne kemi dhënë kohen e kërkuar prej KFORi-it që ata ta bëjnë heqjen e këtyre barrikadave dhe ministri ynë i Punëve të Brendshme po pret", ka thënë Kurti në një intervistë për ATV.
Barrikadat në veri u rikthyen të shtunën e kaluar pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiq, i cili dyshohet për pjesëmarrje në organizimin e sulmeve në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në veri, grupet të organizuar të serbëve kanë vendosur bllokimin e rrugëve që të qojnë në pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
Për të penguar lëvizjen e lirë, ata në rrugët kryesore kanë vendosur kamion dhe makineri të ndryshme. Pas këtyre veprime, institucionet e Kosovës kanë vendosur t`i mbyllin dy pikat kufitare me Serbinë.

