Policia në veri ushqehet nga biznesi privat: Sveçlës i reagojnë ashpër, ky ‘tentoi’ të sqarohet - NACIONALE

Policia në veri ushqehet nga biznesi privat: Sveçlës i reagojnë ashpër, ky ‘tentoi’ të sqarohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla paraditen e së shtunës publikoi dy fotografi të policëve në veri të vendit, derisa njoftoi se një biznes në Prishtinë, u ka përgatitur ushqim. Kjo shkaktoi reagime të shumta, duke cilësuar se zyrtarët policorë nuk po trajtohen si duhet. Kush i reagoi dhe çfarë i tha?

Në fotografitë e publikuar nga Sveçla, shihen zyrtarët policorë që sipas tij, ndodhen në Bërnjak, derisa po ofrojnë siguri në këtë kohë kur situata atje është mjaft e tensionuar.

“Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policor që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë. Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tone.” – shkruante Sveçla.

Çfarë tentoi më pas?

Duket se Sveçla ka lexuar reagimet ndaj këtij postimi të tij, dhe ka tentuar që të sqarohet në njëfarë mënyre.

Ministri ka vendosur që t’ia kthejë përgjigjen një komentuesi, praktikë që s’e kemi parë shumë te ministrat tanë.

Sipas tij, Policia e Kosovës i ka të gjitha kushtet, madje "më mirë se çdo herë tjetër".

“Kjo ka simboliken e saj, perndryshe Policia e Kosoves ka gjitha kushtet e plotësuara sipas standardeve më te mira, e më mirë se cdo herë tjetër. Patjeter që lidhja mes Policisë së Kosovës dhe popullatës është më e fortë se kurrë!” – shkruante ai.

Shumë reagime

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, pas publikimit të këtyre fotografive, ka kërkuar që policia të furnizohet me ushqim, armatim e veshëmbathje.

“Në njëren anë krenohen qe kanë miratu buxhetin ma të lartë për siguri, në anën tjetër sigurinë e vendit e trajton përmes rrugëve të bamirësi. Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i qeverisë së Albin Kurtit për turpin e tij e tonin si shtet, po mburret që ushqimin për policinë në Veri përmes rrugës së bamirësisë. O dështaka, o shkatërrues të institucioneve, policinë e këtij vendi trajtojeni me dinjitet, siguroju paga, ushqim, armatim e veshmbathje.” – tha ajo.

Musliu bëri edhe një reagim tjetër më vonë, duke i kërkuar ministrit Sveçla që të marrë vendim, e të mos bëjë “filma”.

Ndërkaq, zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka thënë se ky veprim, tregon për një “shtet të dështuar”.

“Kjo flet për një shtet të deshtum që i ushqen policët me narazak e një banane. Me u gëzu kur bizneset private shtrojnë një shujtë qysh duhet.” – shkroi ajo.

“Të ndalen talljet me Policinë e Kosovës.” – kjo ishte kërkesa e gazetarit Parim Olluri sa i përket kësaj situate.

Ndërkaq, analisti Ilir Mirena, ka thënë se ky është një veprim i turpshëm dhe se policia po lihet nën mëshirën e bamirësisë.

Marre! Falenderim per kete biznesin privat qe i qon ushqim policeve ne veri, ama eshte marre per shtetin e Kosoves me i lane policet atje ne meshire te lemoshave”, ka shkruar Mirena.

Veç kësaj, edhe analistja e aktivistja, Zana Avdiu ka reaguar për këtë situatë, duke thënë se “policia nuk ka nevojë për lëmoshë”.

Lajme të ngjashme