As hoxhallarët e njohur nuk e dënojnë sulmin e radikalëve ndaj imamit nga Podujeva - NACIONALE

As hoxhallarët e njohur nuk e dënojnë sulmin e radikalëve ndaj imamit nga Podujeva

3 vjet më parë

nga Gazeta Nacionale

Rrahja brutale e imamit 60-vjeç, Zeqir Berisha, ka tronditur opinionin kosovar, duke e ngritur për diskutim edhe një herë çështjen e radikalizmit fetar islam në Kosovë. Imami nga Lupçi i Poshtëm i Podujevës, u sulmua nga tre vëllezër që dyshohen të jenë ndikuar nga doktrina radikale e vehabizmit.

Një gjë e tillë, i ka alarmuar disa hoxhallarë e ekspertë të sigurisë.

Por, të heshtur janë treguar politikanët kosovarë, që sot udhëheqin me shtetin. Në fakt, krejt pa fjalë për rastin janë edhe disa prej imamëve më të famshëm në Kosovë.

“Sukut-i*” i hoxhallarëve

Asnjë nga hoxhallarët me nam në Kosovë nuk ka folur ende për rastin. Madje, as ata që dikur akuzoheshin për qëndrime radikale, e të cilat në vazhdimësi i mohonin.

Shefqet Krasniqi, imam i njohur për qëndrime kontraverse, nuk ka folur, e as shkruar, ndonjë fjalë në lidhje me sulmin ndaj një kolegu të tij.

Çuditërisht, ligjëruesi në Fakultetin e Studimeve Islame, që ka mendim për gjithçka, e të cilin mendim nuk ngurron ta shprehë, ka zgjedhur të mos reagojë ende për rastin. Ai ka bërë disa postime të emisionit të tij.

Për sulmin fizik ndaj imamit Berisha, nuk ka shkruar ndonjë germë as Enis Rama, imam shumë i popullarizuar nga Mitrovica, postimi i fundit i së cilit është fjalimi (hytbja) gjatë faljes së namazit të xhumasë.

Edhe kolegu i tij nga i njëjti qytet, Ekrem Avdiu, ka preferuar të mos deklarohet me shkrim në Facebook.

Po ashtu, edhe Fatmir Latifi, hoxhë nga Mitrovica, që s'përton të flasë pothuajse për gjithçka.

Njëjtë edhe hoxha Fadil Musliu, po ashtu shumë i zëshëm për tema të ndryshme. Gjithashtu karvanit të heshtjes i është bashkuar edhe Mazllam Mazllami, imam nga Prizreni.

Por, njëjtë nuk ka vepruar edhe Hysamedin Abazi, hoxhë në xhaminë “4 llullat” në Prishtinë, i cili e ka dënuar ashpër sulmin ndaj imamit Berisha.

“I indinjuar dhe i tronditur deri në palcë nga rrahja brutale e hoxhës së nderuar në Llap! O Zot i mëshirshëm, mëshiroje dhe shëroje hoxhën tonë dhe udhëzoji të rinjtë tanë dhe kthjellojua mendjen nga idetë e çoroditura... Ja Allah!”, shkroi Abazi në Facebook.

Krahas Abazit, reagim të ashpër pati edhe Osman Musliu, i cili e dha një deklaratë për Nacionalen.

Ai tha se dhuna e ushtruar ndaj imamit është gjëja më e keqe që mund të ndodhë.

“Dhuna e ushtruar sot ndaj imamit është gjëja më e keqe që mund të ndodhë, sidomos kur ajo ushtrohet brenda një xhamie. Por, fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë kur matrapazët sillen si kapadai brenda xhamive të Kosovës. Unë vetë kam qenë i sulmuar nga ekstremistë apo radikalë ndaj të cilëve kam ngritur zërin moti. Fatkeqësisht, edhe ngritja e zërit për të tërhequr vëmendjen tek ky problem por edhe vetë dhuna e ushtruar ndaj meje dhe kolegëve të mi, janë neglizhuar, duke hasur në vesh të shurdhër tek institucionet fetare por edhe ato shtetërore”, deklaroi ai.

Për dhunën ndaj imamit Berisha ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Heshtja e udhëheqësve shtetërorë

Një natë më parë, Berishën e sulmuan me shufra metalike, duke i shkaktuar gjakderdhje të brendshme. Edhe familjarët e tij, po edhe kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari, kanë thënë se sulmi erdhi për arsye fetare.

Sipas tyre, hoxha kishte probleme të vazhdueshme në lidhje me praktimin në xhami, duke aluduar se tre sulmuesit ishin të indoktrinuar nga vehabizmi, lëvizje radikale islame.

Ndonëse ka orë që është duke u raportuar për sulmin e imamit nga radikalët fetarë, udhëheqësit shtetërorë ende nuk kanë bërë ndonjë reagim.

Kryeminsitri Albin Kurti, si udhëheqës i Qeverisë, ende nuk ka folur për rastin.

Njëjtë, e heshtur deri më tani është edhe presidentja Vjosa Osmani.

Si shefe e shtetit, Osmani nuk është deklaruar për sulmin gati deri në vdekje ndaj imamit Berisha.

Osmani u pa në konferencë me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, por as aty nuk foli ndonjë fjalë për rrahjen brutale ndaj imamit.

Pa fjalë ende është edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

As ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili mund të informohet nga dora e parë si shef i Policisë. Madje, edhe me informacione që nuk i kanë as mediet.

As ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është deklaruar për rastin.

*Nga arabishtja, në gjuhën shqipe e ka kuptimin e heshtjes.

Lajme të ngjashme