"Viktimë e islamit radikal", hoxhallarë e ekspertë të sigurisë alarmojnë pas sulmit të imamit në Podujevë
Një rrahje deri në alivanosje në fshatin Lupç të Poshtëm të Podujevës, ka tronditur opinionin. Cak i sulmit ishte një hoxhë (60-vjeç), i cili u rrah nga xhemati i tij. Tre vëllezër, të cilët dyshohen për bindje ekstreme, përdorën shufra metalike për t’i qëruar hesapet rreth organizimit të xhamisë.
Tashmë, tre vëllezërit Murturi, të cilët dyshohen për sulmin, janë arrestuar, e sipas burimeve të gazetës Nacionale, ata janë të indoktrinuar nga doktrina e vehabizmit.
Përgjakja e imamëve
Lajmi për rrahjen e imamit Zeqir Berisha, ka rikthyer në qendër të debatit një temë tashmë të harruar: të rinjtë e radikalizuar.
Bekim Jashari, kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, tha se sulmi erdhi nga njerëz që tentuan të instalojnë një islam ndryshe.
“Informacioni i parë nëse i kthehemi kronologjisë, është se imami ka qenë në Gllamnik dhe ka ardhur në Lupç. Imami viteve të fundit ka pasur probleme me një predikim të një islami ndryshe, e për të cilat na kanë njoftuar. Ka pasur tendenca për ndërhyrje në autonominë e tij të punës. Shkolla jonë është Hanefi, dhe imami e ka ruajtur këtë frymë. Në këtë situatë mund të japim versionet se i besojmë imamit tonë, sepse ai është legjitim për të kryer detyrën e tij”, tha Jashari në T7.
“Është tentuar që islami në këtë Xhami të marrë pamje ndryshe. Pa paragjykuar sulmuesit. Këta i njoh si emra. Në vitin që shkoi i kemi takuar në zyrën tonë. U kemi treguar atyre se Bashkësinë Islame e përfaqëson imami dhe ju jeni vetëm xhemat. Nëse ka elemente të sulmit ideologjik, bëjmë me dije se në Llap, Kosovë e Shqiptari, elemente të frymëzuara nga doktrina të huaja nuk do të kenë vend në Llap. Urojmë që të mos dalë kjo. Është ankuar dhjetëra herë në Bashkësi Islame dhe në Policinë e Shtetit. Një punëtor që ka qëlluar para 3 jave në xhami ka treguar se është sulmuar fuqishëm verbalisht imami në fjalë”, shtoi ai.
Por, sulmi ndaj Berishës erdhi krejt papritmas, pas viteve të heshtjes së myslimanëve të radikalizuar.
Në vitet e kaluara, ka pasur edhe disa sulme të tjera.
Njëri ndër sulmet fizike më të famshëm ishte ai ndaj Osman Musliut, hoxhës së njohur nga Drenica.
Musliu, në një prononcim për gazetën Nacionale, tha se dhuna e ushtruar ndaj imamit është gjëja më e keqe që mund të ndodhë.
“Dhuna e ushtruar sot ndaj imamit është gjëja më e keqe që mund të ndodhë, sidomos kur ajo ushtrohet brenda një xhamie. Por, fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë kur matrapazët sillen si kapadai brenda xhamive të Kosovës. Unë vetë kam qenë i sulmuar nga ekstremistë apo radikalë ndaj të cilëve kam ngritur zërin moti. Fatkeqësisht, edhe ngritja e zërit për të tërhequr vëmendjen tek ky problem por edhe vetë dhuna e ushtruar ndaj meje dhe kolegëve të mi, janë neglizhuar, duke hasur në vesh të shurdhër tek institucionet fetare por edhe ato shtetërore”, deklaroi ai.
Tutje, mulla Osmani tregon se deri më tani nuk ka asnjë zhvillim drejt zbardhjes së rastit të tij, ndonëse sulmi kishte ndodhur në vitin 2009.
“Në lidhje me sulmin në xhami në vitin 2009 që ishte organizuar ndaj meje sa isha kryetar i Këshillit të BIK në Drenas, deri më sot nuk ka asnjë zhvillim. Asnjëherë nuk ka pasur masa nga BIK ndaj punëtorëve të këtij institucioni që ishin pjesëmarrës në këtë akt të dhunshëm. Po ashtu nuk ka të dënuar e asnjë masë tjetër nga gjykata apo organet tjera kompetente të institucioneve tona. Mbi 50 persona që ishin pjesëmarrës, ishin marrë në pyetje për këtë rast, por për çudi asgjë s’doli në pah! Pra, një imam dhe kryetar i një këshilli sulmohet dhunshëm brenda një xhamie e nuk mirret asnjë masë nga askush! Me një fjalë, institucionet tona na kanë thanë “Zoti jua baftë çaren!”, shtoi Musliu.

Duke folur për çështjen e radikalizmit, hoxha nga Drenasi thekson se mungojnë institucionet kredibile për ta luftuar këtë dukuri.
“Radikalizmi dhe lëvizjet qëllimkëqija e duan vetëm një gjë: xhungël. Ashtu siç edhe populli thotë: ujku do mjegull. Pra ilaçi më i mirë për këtë problem janë institucione kredibile, me mision të qartë, me udhëheqës vizionarë. Por këto elemente mungojnë tek institucionet tona fetare dhe shtetërore. Që nga parlamenti i Kosovës, si organi më i lartë shtetëror, e që nuk miraton ligjin për fetë, por na lë në mëshirën e fatit, e deri tek BIK që udhëhiqet nga një klan interesxhinjsh, mbizotëron një gjendje e pakuptueshme në lidhje me çështjet fetare”, përfundoi ai.
I sulmuar nga ekstremistët radikalë në vitin 2012 ka qenë edhe imami nga Kaçaniku, Musli Verbani
Alarmimi
Pas shumë viteve, të rinjtë e radikalizuar nga doktrina vehabiste e islamit sulmuan një imam në moshë.
Sipas Bedri Elezit, njohës i çështjeve të radikalizmit fetar në Kosovë, sulmi duhet konsideruar i rëndë për sigurinë e qytetarëve.
“Sulmi fizik ndaj Imamit të moshuar në fshatin Lupç, komuna e Podujevës, z. Zeqir Berisha, nga tre vëllezërit Murturi për të cilët viktima thotë se janë persona me bindje radikale dhe vehabiste dhe të nijetit, e kanë shqetësuar, edhe më parë duhet konsideruar si tejet i rëndë për sigurinë e qytetarëve. Sidomos kur marrim parasysh faktin se Kosova po ballafaqohet me një radikalizëm tejet të shpejtë, dhe mosreagimin e autoriteteve të sigurisë në kohë reale.“
Tutje, Elezi jep edhe një sqarim se pse ndodhin këto sulme.
“Sulmet e tilla, mund të kenë qëllim dërgimin e mesazhit tek të gjithë imamët të cilët nuk duan t'u binden emirëve lokalë. Ka pasur edhe raste të tjera ku imam apo udhëheqës të këshilleve kanë ngritur shqetësime për veprime radikale nga persona apo grupe me bindje vehabiste, por reagimi i policisë ka munguar, e që në fakt i ka inkurajuar këto veprime”, sqaroi Elezi.
Por, Elezi ka edhe kritika ndaj shtetit të Kosovës, i cili sipas tij nuk po merret seriozisht me luftimin e radikalizmit.
“Fakti se autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës po lejojnë punën e shumë imamëve në xhami të cilat janë pa dekret dhe kontroll të BIK, nënkupton edhe një lloj mbështetjeje të aktiviteteve të dyshimta e të cilat në vazhdimësi mund të sjellin edhe aktivitete dhune në Kosovë. Ka dyshime se këta persona apo grupe mbështeten nga burime të dyshimta financiare, e të cilat dyshohet se kalojnë përmes strukturave sekrete serbe dhe ruse”, përfundoi ai.
Çka ndodhi në Podujevë?
Xhematit në ditën e premte në xhaminë e fshatit Lupç i Poshtëm të komunës së Podujevës, nuk mundi t’i prijë imami i saj, Zeqir Berisha. Hoxha 60-vjeçar i këtij fshati, mbrëmë pas orës 22:00 u rrah gati për vdekje nga tre persona të cilët më herët kishin qenë xhemat i tij. Tre vëllezërit Murturi e sulmuan para derës së xhamisë imamin, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda. Nacionale ju sjell rrëfimet e familjarëve e mjekëve për këtë rast.
U kthye nga Vlora e Shqipërisë për të shërbyer si imam në Kosovë. Por, në kryerjen e punës në vendlindje, imami 60-vjeçar, Zeqir Berisha, hasi në shumë vështirësi. Sfidat e punës për të, ishin aq të mëdha, saqë desh i morën edhe jetën.
Hoxhë Zeqiri kishte 10 vite që i printe xhematit në fshatin Lupç të komunës së Podujevës.
Vëllezërit Shkodran, Behar e Atdhe Murturi, kishin pakënaqësi për mënyrën e faljes së hoxhës e xhematit në xhaminë e fshatit Lupç.
Këta të tre, për më shumë se një vit, në mënyra të ndryshme e kishin kërcënuar e pastaj kanosur hoxhën dhe familjen e tij. Për këto raste, hoxhë Zeqiri kishte lajmëruar edhe policinë.
Por, situata ka eskaluar në mbrëmjen e së enjtes. Rreth orës 22:00, hoxhë Zeqiri u ballafaqua sërish me tre vëllezërit, të cilët e rrahën gati deri në vdekje.

