KQZ-ja e re me emra të vjetër: Partitë politike i dërgojnë te presidentja emrat e njëjtë për anëtarë të KQZ-së - NACIONALE

KQZ-ja e re me emra të vjetër: Partitë politike i dërgojnë te presidentja emrat e njëjtë për anëtarë të KQZ-së

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jetë me anëtar të vjetër. Kjo pasi partitë politike parlamentare kanë propozuar për anëtarë të ri të KQZ-së zyrtarët e njëjtë.

Gazeta Nacionale ka mësuar se tashmë të gjitha grupet parlamentare i kanë dërguar për dekretim te presidentja Vjosa Osmani kandidatët e tyre.

Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi sërish do të përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje në KQZ-së.

Sjellja jo e mirë e këtyre dy zyrtarëve ndaj mediave dhe shoqërisë civile nuk i ka penguar partisë së Albin Kurtit që përsëri të njëjtit t`i dërgojë në KQZ.

Madje, VV-së nuk i ka penguar as fakti që Sami Kurteshi, më 5 qershor, në bazë të Ligjit të Punës, del në pension.

Njëjtë ka vepruar edhe Partia Demokratike e Kosovës. Gazeta ka mësuar se kjo partitë ka nominuar përsëri Arianit Elshanin dhe Ilir Gashin për anëtarë në institucionin që organizon zgjedhjet në Kosovë.

As Lidhja Demokratike e Kosovës nuk dëshiron ndryshimin e zyrtarit që deri me tani e ka përfaqësuar në KQZ. Partia e Lumir Abdixhikut për dekretim në Presidencë e ka dërguar emrin e Sami Hamitit.

AAK-ja ka vepruar ndryshe prej tri partive të mëdha. Ky subjekt politik nuk do të ia vazhdojë mandatin Ibrahim Selmonajt. Partia e Ramush Haradinajt ka propozuar Muharrem Nitajn për anëtar të ri në KQZ.

Edhe partitë politike nga komunitetet i kanë propozuar kandidaturat e tyre.

Gazeta ka mësuar se Partia e Re Demokratike (NDS) për anëtar në KQZ ka propozuar Almir Saitin, Partia Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) ka propozuar Myfera Shiniku dhe Partia e Romëve të Bashkuar të Kosovës ka propozuar Alfred Kinolli.

Gjithashtu, mësohet se Lista Serbe e ka dërguar në Presidencë emrin e anëtarit që aktualisht përfaqëson këtë subjekt politik në KQZ.

Çka thotë ligji për emërimin e anëtarëve të KQZ-së?

Mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i lidhur me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë tregon se shefja e shtetit është e obliguar që jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend të ua kërkojë grupeve parlamentare propozimet për anëtarë të KQZ-së.

Në nenin 61 të këtij ligji, ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, jepen detaje për këtë çështje.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”, thuhet në paragrafin 6 të këtij neni.

Më tej, në këtë nen tregohet se brenda çfarë periudhe kohore partitë politike duhet t`i përgjigjen presidentes Osmani.

“Grupet parlamentare/subjektet politike brenda afatit prej shtatë (7) ditësh i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga Presidenti bëhet brenda pesë (5) ditësh nga dërgimi i propozimeve”, thuhet në këtë paragraf.

Mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend.

Fillimi i mandatit sipas këtij paragrafi, nënkupton përfundimin e mandatit paraprak.

KQZ-ja ka 11 anëtarë. Aktualisht LV-ja përfaqësohet nga dy anëtarë(Sami Kurteshi, Alban Krasniqi). Edhe PDK-ja në këtë mandat përfaqësohet me anëtarë (Arianit Elshani dhe Ilir Gashi). Nga një anëtar kanë LDK-ja(Sami Hamiti) dhe AAK-j(Ihraim Selmanaj). Ndërsa katër përfaqësuesit tjerë iu takojnë partive nga komunitet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit e ka certifikuar më 27 mars.

Lajme të ngjashme