“Kosova e Metohija”: A do të shuhen më 2024 strukturat paralele të Serbisë në shtetin kosovar?
Gjatë vitit të kaluar, disa reportazhe të Nacionales hodhën dritë mbi veprimtarinë e strukturave paralele dhe ilegale të Serbisë në jug të Kosovës. Më saktësisht, autori i këtij shkrimi i “vizitoi” këto struktura në Anamoravë dhe Dragash, ku dëshmohej prezenca e “ngulmimeve” paralele të Serbisë e pamje të pllakatave ku shkruhej “Kosova dhe Metohija”.
Por, së fundmi, shteti i Kosovës veproi në disa fshatra të rajonit të Gjilanit, duke i larguar dhjetra kamera të sigurisë, të cilat dyshohej se kontrolloheshi nga këto struktura dhe në mënyrë të pautorizuar mblidhnin pamje.
Edhe në veri, shteti i Kosovës i konfiskoi disa altorparlantë, që përdoreshin nga strukturat paralele për të nxitur qytetarët për të kundërshtuar aksionet e policisë. Pas këtyre veprimeve të fundvitit, pyetja legjitime është se a do t’iu vijë fundi pas gati 25 viteve strukturave paralele në Kosovë?
Analisti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se ekzistenca e strukturave paralele është ditur që nga përfundimi i luftës. Megjithatë, Shala theksoi se pas marrëveshjes së vitit 2013 në Bruksel, këto struktura u inkuadruan në sistemin e Kosovës, duke e ulur aktivitetin e tyre në terren.
Por Shala vlerëson se viti i kaluar solli ndryshime, ndonëse beson se shuarja e strukturave paralele lidhet me një marrëveshje të mundshme në Bruksel.
“A do të shuhen apo jo strukturat paralele, kjo do të mbetet në diskresionin e kryeministrit Kurti në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Pra se a do të arrihet dhe se a do të përfshihen ky element që këto struktura një herë e përgjithmonë të ndahen nga aspekti territorial i Kosovës. Në konturat dhe projeksionet aktuale, nuk e shoh të mundshme në bazë të atmosferës politike aktuale që këto struktura do të shuhen në vitin 2024. Përkundrazi, unë e shoh një potencial të organizimit të tyre, varësisht nga interesat që mund t’i vinë nga Beogradi zyrtar.” – shtoi Shala.
Në të njëjtin linjë të argumentimit është edhe politilogu Albinot Maloku. Sipas tij, ndërprerja e angazhimit të strukturave paralele ndërlidhet me zbatimin e pajtimit të ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit të kaluar.
“Angazhimi e puna e strukturave paralele te Serbisë në teritorin e Republikës së Kosovës, është nga temat që ka qenë pjesë e shumë bisedimeve në Bruksel mes palëve. Disa nga ato janë ndërprer, disa janë transferuar e punojnë me sistemin e Kosovës, mirëpo ka shumë prej tyre që janë aktive në shumë pjesë të Kosovës. Nderprerja e angazhimit dhe e punës së këtyre strukturave paralele të Serbisë në teritorin e Kosovës varet nga jetësimi i pajtimit të ndodhur mes Kosovës e Serbisë vitin e kaluar ne Bruksel e Ohër. Për rrjedhojë nuk mendoj qe mund të ndërprehet brenda këtij viti angazhimi i tyre.” – ka theksuar Maloku.
Në analizën e tij, Shala ka një paralajmërim, duke thënë se përfshirja e Milan Radojiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe që pranoi se e udhëhoqi sulmin në Banjsëk, në “njoftimin e kuq” të Interpolit, mund të nxisë strukturat paralele të vetëorganizohen.
“Shto këtu faktin që kërkimi i Milan Radojiçiqit nga ana institucioneve të Kosovës, kjo de facto i jep argument më tutje këtyre strukturave që në mbrojtje të nacionalizmit të tyre serb ndaj komunitetit serb në Kosovë, se thonë se u bëhet presion nga Qeveria e Kosovës, këta të vetë-organizohen dhe të jenë më të unifkuara dhe në këtë aspekt ne do të duhet të shohim kontekstin e ndikimit të tyre në cenimin e sigurisë publike dhe asaj nacionale” – ka thënë Shala.
Sjellim ndërmend që gjatë vitit 2023, grupi i Radojiçiqit e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë një polic kosovar.